2017-05-13 14:24:00

‘Ju kumtojmë Lajmin e Mirë’: ta njohim Ungjillin e Lukës me dom Marjan Palokën


Në rubrikën radiofonike të dielës ‘Ju kumtojmë Lajmin e Mirë’, me dom Marjan Palokën lexojmë Ungjillin e Lukës (n. 51). Kësaj radhe, me dom Marjan Palokën përshkojmë e komentojmë kreun 14,1-14 të Ungjillit të Lukës, ku kemi shërimin e njeriut që kishte hidropizinë, një lloj sëmundjeje që shfaqet me mbledhje lëngjesh në disa golle të trupit, sidomos në bark. Pastaj, fragmenti ungjillor nga rreshti 7 deri 14 na sjell qortimin e Jezusit drejtuar miqve e zotshtëpisë. Jezusi, pra, përkujton të bëjmë mirë pa pritur prej njerëzve shpërblim për në daçim të na shpërblejë Hyji- Prandaj e përmend shtresën e skamnorëve që nuk janë në gjendje të na e kthejnë të mirën që u kemi bërë.

LUKA: 14. SHËRIMI I NJERIUT QË KISHTE HIDROPIZINË kreu 14

1 Një të shtunë Jezusi shkoi në shtëpinë e një kryetari farisenjsh për të ngrënë bukë e të pranishmit po e vërenin dijekeqas. 2 Kur, ja, para tij një njeri i sëmurë me hidropizi. 3 Atëherë Jezusi mori fjalën e u tha mësuesve të Ligjit e farisenjve: “A është e lejueshme të shërosh të shtunën apo jo?”

4 Ata heshtën. Atëherë Jezusi e mori për dore të sëmurin, e shëroi dhe e nisi të shkojë. 5 Atyre pastaj u tha: “Cili prej jush po i ra djali ose kau në pus nuk ka për ta nxjerrë menjëherë ditën e shtunë?”

6 Ata s’mundën t’i përgjigjen në këto fjalë.

Qortim miqve dhe të zotit të shtëpisë

7 Duke vënë re se si të grishurit zgjidhnin vendet e para, u tha këtë shëmbëlltyrë:

8 “Kur ndokush të të ftojë në dasëm, mos u ul në krye të vendit, pse ndoshta është i grishur ndonjë që duhet nderuar më tepër se ti, 9 që, kur të vijë ai që të ka thirrur ty dhe atë, të mos të të thotë: ‘Lëshoja vendin këtij!’ Atëherë të duhet, plot turp, të shkosh e të zësh vendin e fundit. 10 Përkundrazi, kur të jesh i grishur, shko e rri në vendin e fundit që, kur të vijë ai që të ka grishur, të të thotë: ‘Mik, ngjitu më lart!’ Atëherë ke për të qenë i nderuar në sy të të gjithë të grishurve. 11 Vërtet, kushdo e lartëson veten, do të përvujtërohet e kush e përvujtëron vetveten, do të lartësohet.”

12 Atëherë iu drejtua edhe atij që e kishte grishur: “Kur shtron drekë ose darkë, mos i thirr miqtë e tu, as vëllezërit e tu, as farefisin tënd, as fqinjët e pasur, sepse mund të ndodhë që edhe ata të thërrasin ty për ta kthyer nderën e kështu ta shpërblejnë. 13 Por, kur të bësh gosti, grish skamnorë, të gjymtë, të çalë e të verbër. 14 Atëherë do të jesh i lum, sepse këta nuk kanë me çka ta kthejnë dhe do të shpërblehet në të ngjallur të të drejtave.”

Po më tepër ta dëgjojmë komentin e dom Marjan Palokës... 








All the contents on this site are copyrighted ©.