Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha në botë

Zoja e Fatimës e Gjon Pali II

Gjon Pali II para shtatores se Zojes se Fatimes

13/05/2017 12:45

Në festën e sotme të Zojës së Fatimës përkujtojmë atentatin kundër Papës Gjon Pali II më 1981 dhe zbulimin e "së fshehtës së tretë"  në vitin 2000, ngjarje që lidhen me një fill të vetëm, providencial.    

Nuk është gabim po të themi se në zemrën plot devocion marian të një pape si Gjon Pali II, festa e Zojës së Fatimës zinte një vend të privilegjuar. Eshtë një festë që përshkon gjithë papninë me një parabolë të veçantë, duke nisur nga faqja dramatike e 13 majit 1981 e duke përfunduar simbolikisht në Fatima me vizitën në Shenjtërore në vitin 2000. Faqe e jashtzakonshme edhe ajo e fundit. Zbuloi të fshehtën e tretë të Fatimës, në të cilin përfshihej vegimi i "Ipeshkvit të veshur me të bardha, që binte përdhé si i vdekur, nën goditjet e një arme zjarri"

Kthehemi simbolikisht në pasditen e së mërkures, 13 maj 1981. Është festa e Zojës së Fatimës. Gjon Pali II, prej tri vjetësh në fronin e papnisë, përshkon ngadalë Sheshin e Shën Pjetrit: papritmas lëkundet i gjakosur, ndërsa një zë gjarpëron ndërmjet njerëzve dhe i shndërron buzëqeshjet në lot: "Kanë qëlluar Papën!" Zhurma e turmës kthehet në një heshtje të thellë. Priten lajme. Dora që ka qëlluar është e turkut 22 vjeçar, Ali Agça. Vrasësi arrestohet nga shërbimi i sigurisë. Ndërsa Papa transportohej me shpejtësi në Poliklinikën Gemelli me një plumb që i kishte përshkuar zorrët, atentatori nisej drejt burgut romak "Regina Coeli".   

Gjon Pali II rrezikonte të vdiste gjatë rrugës për në spital, ku iu nënshtrua një operacioni të gjatë e delikat, në sajë të të cilit mundi të mbijetonte. Prandaj ka pohuar gjithnjë se mundi të shpëtonte nga vdekja në sajë të ndërmjetësimit të Zojës së Fatimës, festa e së cilës bie pikërisht më 13 maj, në kujtim të 13 majit 1917 kur iu duk për herë të parë, në Kova da Ira, tre barinjve të vegjël portugezë: Luçisë, Françeskut e Gjaçintës, këta dy të fundit u shpallen Shenjtorë, sot më 13 maj 2017 nga Papa Françesku, pikërisht në Fatima.

Mesazhi që u përcolli Zoja barinjve të vegjël mbetet aktual: është mesazhi i paqes; ashtu si Shenjtërorja e Fatimës është shenjtërore e paqes, djep i paqes. Në atë Shenjtërore ruhet plumbi,  që e  përshkoi Papën Wojtilla, ngërthyer si stoli e çmuar, në aureolën e kurorës së shtatores së Zonjës. Ruhet edhe një copëz nga muri i Berlinit, që tregon se Zoja ngadhënjeu edhe atje, ku perdja e hekurt e ateizmit dukej e pakapërcyeshme. E bota, që edhe sot tronditet rëndë nga konfliktet, nuk duhet ta harrojë porosinë e Zojës: lutjen për paqe, sepse paqja është dhuratë që vjen nga qielli, dhuratë e Zotit.

13/05/2017 12:45