2017-05-13 17:35:00

Papa të sëmurëve: jetojeni jetën si dhuratë të çmuar për Kishën


Në përfundim të Meshës në Shenjtëroren e Fatimës, Papa u drejtoi një përshëndetje të posaçme të sëmurëve të pranishëm: “Mos kini turp të jeni thesar i çmueshëm i Kishës - u tha atyre. - Mbështetuni mbi lutjen, që lartohet për ju e me ju, në të katër anët e botës. Hyji Atë nuk do t’ju harrojë kurrë!”.

Ishte i Shenjtnueshmi Sakrament, i ekspozuar mbi altar për Adhurimin Eukaristik, në përfundim të Meshës, e akoma, figura e kokrrës së grurit që vdes, për të sjellë fryt, e kujtuar gjatë homelisë, në sfondin e fjalëve që Papa u drejtoi të sëmurëve, të cilëve u përsëriti: kur kaloni përmes kryqit, mos harroni se Zoti ka kaluar atje para nesh:

“Në mundimet e Tij, Ai i mori mbi vete të gjitha vuajtjet tona. Jezusi e di mirë ç’do të thotë dhimbje, na kupton, na ngushëllon e na jep forcë, siç bëri me Shën Françeskun Marto e Shën Xhaçintën e edhe me shenjtorët e të gjitha kohëve”.

Ashtu si Kisha qe e tëra në lutje për Shën Pjetrin Apostull, kur ishte i ngujuar në burgun e Jeruzalemit - vijoi Papa - kështu edhe sot Kisha i lutet Zotit t’i ngushëllojë të munduarit si ju; e Ai ju ngushëllon. Para syve tanë kemi Jezusin e fshehur, por të pranishëm në Eukaristi, ashtu siç e kemi Jezusin e fshehur, por të pranishëm në plagët e motrave e të vëllezërve tanë, të sëmurë e të munduar:

“Sot Virgjëra Mari ua përsërit të gjithëve pyetjen, që ua pati bërë njëqind vjet më parë barinjve të vegjël: ‘A doni t’ia ofroni Zotit?’. Përgjigjja: ‘Po, duam!’ - na jep mundësi t’i kujtojmë e t’i përngjajmë jetës së tyre”.

Të dashur të sëmurë - i nxiti Françesku njerëzit, që ishin aty pikërisht për të dëgjuar fjalë ngushëllimi - jetojeni jetën tuaj si dhuratë e mos e ndjeni veten vetëm si njerëz, që kanë nevojë për solidaritet, por si pjesëmarrës, në kuptimin më të plotë të kësaj fjale, në jetën e Kishës:

“Prania juaj e heshtur, por më shprehëse se shumë fjalë, lutja juaj, flijimi i përditshëm i vuajtjeve tuaja në bashkim me ato të Krishtit të kryqëzuar për shëlbimin e botës, pranimi durimtar e deri i gëzueshëm i gjendjes suaj, janë burim shpirtëror e pasuri për çdo bashkësi të krishterë”.

Mos kini turp - përfundoi Papa - të jeni thesar i çmuar i Kishës!








All the contents on this site are copyrighted ©.