2017-05-13 15:46:00

Papa Françesku: në Fatima: dje shenjtëroi barinjtë e vegjël, pastaj u kthye në Romë


Ishte një fundjave e paharrueshme për Papën Françesku dhe për shtegtarët e Fatimës, që vijojnë të drejtohen kah Shenjtërorja qysh prej njëqind vjetësh. Po ky nuk ishte shtegtim i zakonshëm. Nisi me pritjen e Papës, vijoi me lutjet prekëse e mbrëmësoren e së premtes, kremtuar nën dritën sugjestionuese të 600.00 qirinjve të ndezur, që vezullonin si yjet në errësirën e natës së majit. Pas kremtimit, gjithçka ishte gati në sheshin, ku Papa do të kremtonte, dje, në orën 10.00, Meshën për shenjtërimin e Xhaçinta e Françesk Marto, dy barinjtë që, pikërisht njëqind vjet më parë, panë në vegim Zojën e bekuar. Vegimi u njoh nga Kisha si fenomen i mbinatyrshëm, që në vitin 1930.

Para se të kremtonte Meshën, sipas programit, Papa pati një takim privat, në sallën e vogël të Shtëpisë “Nossa Senhora do Carmo”, me kryeministrin e Portugalisë, Antonio Luis Santos da Costa.

Pastaj Mesha, me pjesëmarrjen e një turme vigane njerëzish. “Qielli vë në lëvizje këtu një mobilizim të vërtetë të përgjithshëm kundër kësaj indiference, që na e ngrin zemrën dhe e rëndon dritëshkurtësinë tonë. Nuk duam të jemi shpresë e dështuar!”. Këto, fjalët e Françeskut në homelinë e Meshës, kremtuar në njëqind vjetorin e dukjeve mariane gjatë së cilës shenjtëroi dy nga tre vegimtarët e Fatimës, vdekur në moshë të njomë nga epidemia e etheve spanjolle.

Në kremtim, sipas organizatorëve, morën pjesë një milion besimtarë. Të pranishëm, edhe presidenti i Portugalisë, i Paraguajt e i Sao Tomè.

“Jeta – kujtoi Papa Bergoglio gjatë homelisë - mund të jetohet vetëm falë bujarisë së një jete tjetër. Nëse kokrra e grurit, e rënë në tokë, nuk vdes, mbetet vetëm; por nëse vdes, jep shumë fryt(Gjn 12,24); e tha dhe e bëri Zoti, që na paraprin gjithnjë. Kur kalojmë përmes një kryqi, Ai ka kaluar para nesh. Kështu, nuk lartohemi mbi kryq për të gjetur Jezusin; por ishte Ai që u poshtërua dhe zbriti deri tek kryqi, për të na gjetur neve, për të ngadhënjyer, në ne, mbi errësirën e së keqes e për të na çuar përsëri kah Drita.

“Nuk mund të mos vija këtu për të nderuar Virgjërën Nënë e për t’ia besuar bij e bija” - tha Papa në homelinë e Meshës së Shenjtërimit të dy barinjve të Fatimës. “Nën mantelin e saj nuk humbasin, nga krahët e saj vjen shpresa e paqja, për të cilën kanë nevojë e që unë e kërkoj në lutje për të gjithë vëllezërit e mi në Pagëzim e në natyrën njerëzore”, posaçërisht për sëmurët e të gjymtuarit, të burgosurit e të papunët, të varfërit e të braktisurit.

Të shumëdashur vëllezër, ta lusim Zotin me shpresë se njerëzit na dëgjojnë; e t’u drejtohemi njerëzve me sigurinë se Zoti na ndihmon gjithnjë. Ai na krijoi si shpresë për të tjerët, shpresë reale dhe e realizueshme, sipas gjendjes në të cilën jetojmë.

Papa citoi edhe një fragment nga vegimet e Xhaçintës të sapolumnuar, treguar sipas kujtimeve të vegimtares së tretë, Motrës Luçia dos Santos, vdekur më 2005, për të cilën vijon procesi i lumnimit. Luçia e përshkruan kështu vegimin e së kushërirës: “A nuk shikon shumë udhë, shumë shtigje e ara plot me njerëz, që qajnë nga uria, sepse nuk kanë asgjë për të ngrënë? E Atin e Shenjtë në një kishë, para Zemrës së Papërlyer të Marisë, në lutje? E njerëz të panumërt, në lutje pranë tij?”.

Ju falënderoj, vëllezër e motra, që më shoqëruat!

Si e kreu Meshën, Françesku drekoi me ipeshkvijtë portugezë e me grupin, që e shoqëronte e, në përfundim, pas një ceremonie të shkurtër lamtumire në bazën ushtarake të Monte Real, u nis për Romë, ku arriti rreth orës së parashikuar, 19.05.








All the contents on this site are copyrighted ©.