Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

App:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Udhëtime e vizita

Papa: Fatima mobilizim kundër indiferencës, që i ngrin zemrat

Pope Francis celebrates a centenary mass marking the apparition of the Virgin Mary at Fatima's Sanctuary, central Portugal, on May 13, 2017. - AFP

13/05/2017 14:13

Papa shenjtëroi sot, në Fatima, dy barinjtë e vegjël, Françeskun e Xhaçintën Marto, gjatë një Meshe me pjesëmarrjen e një turme vigane njerëzish. “Qielli vë në lëvizje këtu një mobilizim të vërtetë të përgjithshëm kundër kësaj indiference, që na e ngrin zemrën dhe e rëndon dritëshkurtësinë tonë. Nuk duam të jemi shpresë e dështuar!”. Këto, fjalët e Françeskut në homelinë e Meshës, kremtuar në njëqind vjetorin e dukjeve mariane gjatë së cilës shenjtëroi dy nga tre vegimtarët e Fatimës, vdekur në moshë të njomë nga epidemia e etheve spanjolle,.

Homelia e Papës Françesku:

“U duk në qiell[…] një grua e veshur me diell”: dëshmon vegimtari i Patmos në “Zbulesë” (12,1), duke vërejtur se ajo po nxirrte në dritë një fëmijë. Pastaj, në Ungjill, e dëgjuam Jezusin duke i thënë dishepullit: “Ja Nëna jote!” (Gjn 19,26-27). E kemi një Nënë! Një “Zojë tejet e bukur”, komentonin ndërmjet tyre tre vegimtarët e Fatimës, duke u kthyer në shtëpi, në atë ditë të bekuar të 13 majit, njëqind vjet më parë. Në mbrëmje, Xhaçinta nuk mundi të përmbahej më e ia tregoi sekretin nënës: “Sot kam parë Zojën!”. Ata kishin parë Nënën e qiellit. Në vazhdën, që ndoqën sytë e tyre, u drejtuan sytë e shumëkujt, por… nuk panë gjë. Zoja e Bekuar nuk erdhi këtu që ta shikonim: për këtë kemi gjithë amshimin, kuptohet, nëse shkojmë në Qiell. 

Por ajo, duke e parandjerë e duke ia paralajmëruar rrezikun e skëterrës atij, që kalon një jetë - shpesh të propozuar e të imponuar - pa Zot e që e dhunon Zotin në krijesat e tij, erdhi të na kujtojë dritën e Zotit, që banon në ne e na mbulon, sepse, siç e dëgjuam në Leximin e parë, “Fëmija u rrëmbye drejt Zotit” (Zb 12,5). E, sipas fjalëve të Luçisë, tre të zgjedhurit gjindeshin brenda dritës së Zotit, që rrezatonte nga Zoja. Ajo i mbështillte me mantelin e Dritës, që ia kishte dhënë Zoti. Sipas asaj, që besohet e dëgjohet nga shumë shtegtarë, jo nga të tërë, natyrisht, Fatima është, mbi të gjitha, ky mantel drite, që na mbështjell këtu, ashtu si në çfarëdo vendi tjetër të Tokës, kur lypim strehë nën mbrojtjen e Virgjërës, për t’i kërkuar, ashtu si na mëson lutja “Të falemi Mbretëreshë”: “Na e kallxo Jezusin”.

Të shumëdashur shtegtarë, e kemi një Nënë! Të kapur pas Saj, si bij, jetojmë me shpresën që mbështetet tek Jezusi, sepse, siç e dëgjuam në Leximin e dytë, “ata që marrin begatinë e pamasë të hirit e të dhuratës së drejtësisë, do të mbretërojnë në jetë nëpër një të vetmin ‑ Jezu Krishtin”(Rom 5,17). Kur Jezusi u ngjit në qiell, e mori me vete dhe e çoi pranë Atit - edhe natyrën tonë njerëzore - të cilën e pati marrë në kraharorin e Virgjërës Nënë, e që nuk do ta lërë kurrë më. Si një spirancë e mbështesim shpresën tonë mbi këtë natyrë njerëzore, që rri në qiell në të djathtën e Atit (krh Ef 2,6). Kjo shpresë le të jetë leva e jetës për të gjithë ne! Shpresë, që na mbështet gjithnjë, deri në frymën e fundit.

Të fortë në këtë shpresë, u mblodhëm këtu, për të falënderuar për bekimet e panumërta të dhëna nga qielli gjatë këtyre njëqind vjetëve, të kaluara nën këtë mantel Drite, që Zoja, duke u nisur nga kjo Portugali e pasur me shpresë, e shtriu mbi të katër anët e tokës. Si shembull, kemi parasysh Shën Françeskun Marto e Shën Xhaçintën, që Zoja e bekuar i shoqëroi në detin e pafundmë të Dritës së Zotit, duke i çuar ta adhurojnë. Prej këndej e morën forcën për t’i kapërcyer kundërshtimet e vuajtjet. Prania  hyjnore u bë e përhershme në jetën e tyre, siç e shohim qartë në lutjen ngulmuese për mëkatarët e në dëshirën e përhershme për të ndenjur pranë “Jezusit të fshehur” në Tabernakull.

Në Kujtimet e saj (III, n 6), Motër Luçia citon fjalët e Xhaçintës, menjëherë pas një vegimi: “A nuk shikon shumë udhë, shumë shtigje e ara plot me njerëz, që qajnë nga uria, sepse nuk kanë asgjë për të ngrënë? E Atin e Shenjtë në një kishë, para Zemrës së Papërlyer të Marisë, në lutje? E njerëz të panumërt, në lutje pranë tij?”.

Ju falënderoj, vëllezër e motra, që më shoqëruat! Nuk mund të mos vija këtu për të nderuar Virgjërën Nënë e për t’ia besuar bij e bija. Nën mantelin e saj nuk humbasin, nga krahët e saj vjen shpresa e paqja, për të cilën kanë nevojë e që unë e kërkoj në lutje për të gjithë vëllezërit e mi në Pagëzim e në natyrën njerëzore, posaçërisht për të sëmurët e të gjymtuarit, të burgosurit e të papunët, të varfërit e të braktisurit. Të shumëdashur vëllezër, ta lusim Zotin me shpresë se njerëzit na dëgjojnë; e t’u drejtohemi njerëzve me sigurinë e Zoti na ndihmon gjithnjë.

Ai na krijoi si shpresë për të tjerët, shpresë reale dhe e realizueshme, sipas gjendjes në të cilën jeton secili. “Duke lypur e duke kërkuar nga secili prej nesh kryrjen e detyrave të tij (Letër e motër Luçisë, 28 shkurt 1943)  qielli vë në lëvizje këtu një mobilizim të vërtetë të përgjithshëm kundër kësaj indiference, që na e ngrin zemrën dhe e rëndon dritëshkurtësinë tonë. Nuk duam të jemi shpresë e dështuar! Jeta mund të jetojë vetëm falë bujarisë së një jete tjetër". “Nëse kokrra e grurit, e rënë në tokë, nuk vdes, mbetet vetëm; por nëse vdes, jep shumë fryt”(Gjn 12,24); e tha dhe e bëri Zoti, që na paraprin gjithnjë. Kur kalojmë përmes një kryqi, Ai ka kaluar para nesh. Kështu, nuk lartohemi mbi kryq për të gjetur Jezusin; por ishte Ai që u poshtërua dhe zbriti deri tek kryqi, për të na gjetur neve, për të ngadhënjyer, në ne, mbi errësirën e së keqes e për të na çuar përsëri kah Drita.

Nën mbrojtjen e Marisë, jemi në botë roje të agimit, që dinë ta kundrojnë fytyrën e vërtetë të Jezusit Shëlbues, atë që shkëlqen Pashkëve, e të rizbulojmë fytyrën e re e të bukur të Kishës, që shndrit e tëra, kur është misionare, mikpritëse, e lirë, besnike, e varfër në mjete e e pasur në dashuri.

13/05/2017 14:13