Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Liturgjia

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 5-të të Pashkëve ‘A’

Krishti eshte Ngjallur!

13/05/2017 16:18

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë leximet biblike të liturgjisë së Fjalës së Zotit të dielës së 5-të të kohës së Pashkëve, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik kishtar.


Jemi në të Dielën e Pestë të Pashkëve, e akoma meditojmë ngjarjet qendrore të historisë: ngjalljen e Jezu Krishtit Zot. Po kush është Jezusi për ne? Ungjilli i kësaj së diele (Gjn 14,1-12) na përkujton një përcaktim me të cilin ai u paraqit e propozua para nesh, njerëzve: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta”. U kërkonte dishepujve ta konsideronin e pranonin si të tillë. Jezusi është Udha, e Vërteta e Jeta edhe për ne. Mirëpo nganjëherë përshkojmë udhë tjera që na çojnë larg nga e vërteta e tij, e në një jetë që nuk është e denjë për bijtë e Zotit.
Shën Pjetri në Leximin e Dytë (1Pt 2,4-9)  përshkruan rolin e të krishterëve, si gurë të gjallë në Kishën e Jerusalemit të asaj kohe, e tani shfaqen gjithnjë më tepër si ndihmë e çmueshme dhe e pazëvendësueshme në Kishën e sotme.
E mos ta harrojmë mesazhin e Ungjillit të kësaj së diele, se Jezu Krishti, bariu ynë i mirë, pra, është udha që na shpie tek Ati Qiellor, është e vërteta që na bënë të lirë, është jeta që na mbush me gëzim.
Nga leximet biblike të kësaj së diele të pestë të Pashkëve kemi udhëzime të rëndësishme për jetën e dishepujve dhe të komuniteteve të krishtera.

                                               Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Vap 6, 1-7

Lexim prej Veprave të Apostujve

Në atë kohë, me të rritur të numrit të nxënësve, filluan ankesat e hebrenjve që flisnin greqisht kundër hebrenjve vendas pse në shërbimin e përditshëm po i lënin pas dore vejushat e tyre. Atëherë të Dymbëdhjetët bashkuan në një mbledhje të përgjithshme nxënësit e u thanë: “Nuk është e drejtë ta lëmë predikimin e fjalës së Hyjit për të shërbyer në tryezë. Gjeni, pra, o vëllezër, ndër ju shtatë vetë në zë të mirë, plot me Shpirt Shenjt e me urti, të cilët do t’i caktojmë për këtë detyrë, kurse ne do t’i kushtohemi krejtësisht uratës dhe shërbesës së fjalës.”  Propozimi i pëlqeu krejt mbledhjes së nxënësve. Ata atëherë zgjodhën Shtjefnin, njeri plot fe e Shpirt Shenjt, pastaj Filipin, Prohorin, Nikanorin, Timonin, Parmenin dhe Nikollën, proselit prej Antiokisë. Këta i vunë para apostujve. Apostujt, pasi u lutën, vunë duart mbi ta. Fjala e Hyjit vazhdonte të përhapej. Shtohej shumë numri i nxënësve në Jerusalem dhe shumë priftërinj e pranonin fenë. Fjala e Zotit.

Psalmi  33

Ref: Kthehu drejt nesh, o Zot, sepse në ty shpresojmë

————————————————

Galdoni, o të drejtë me Zotin,
të drejtëve u ka hija lavdërimi!
Lavdërojeni Zotin me kitarë,
bini gëzueshëm lirës me dhjetë korda!

————————————————-

Sepse e drejtë është fjala e Zotit,
e të gjitha veprat e tija me besë.
E do drejtësinë e gjyqin,
plot është toka me mirësinë e Zotit.

————————————————–

Qe, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë,
mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij:
 për t’i shpëtuar nga vdekja
e për t’i ushqyer në kohën e urisë.

———————————————–

Leximi i dytë 1 Pjt 2, 4-9

Lexim prej Letrës së parë të shën Pjetrit apostull

Fort të dashur, afrohuni Krishtit – Gurit të gjallë, njëmend të përbuzur prej njerëzve, por të zgjedhur dhe të çmueshëm para Hyjit, që edhe ju, si gurë të gjallë, të ndërtoheni shtëpi shpirtërore, për të qenë meshtari e shenjtë për të kushtuar fli shpirtërore, që i pëlqejnë Hyjit nëpër Jezu Krishtin.  Këndej thuhet në Shkrim shenjt: “Ja, po vë në Sion një gur këndi, të zgjedhur, të çmueshëm: kush beson në të, jo, nuk do të mbetet i turpëruar!” Për ju, pra, që besoni, nder; kurse për ata që nuk besojnë, “gur që përbuzën ndërtuesit, u bë gur i këndit.” E “gur në të cilin zihet në thua, buzë shkëmbi nga thyhet qafa.” Ata zënë në thua sepse nuk e dëgjojnë predikimin e Ungjillit, për çka edhe janë të caktuar. Porse ju jeni “Fis i zgjedhur, meshtari mbretërore, komb i shenjtë, popull që Hyji e fitoi për vete, për t’i shpallur veprat e madhërueshme të Atij që ju thirri nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme.” Fjala e Zotit.

Aleluja

Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta, thotë Zoti: askush nuk shkon tek Ati pos nëpër mua.

Aleluja

Ungjilli  Gjn 14, 1-12

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet: “Mos t’ju shqetësohet zemra! Besoni në Hyjin edhe në mua besoni! Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa. Po të mos kishte, a do t’jua thosha: ‘Po shkoj t’ju bëj gati vendin’? Kur të shkoj e t’ju përgatis vendin, do të vij prapë e do t’ju marr tek unë, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju. Ku shkoj unë, ju e dini rrugën.” “Zotëri – i tha Toma – ne  s’dimë ku po shkon. Si, pra, mund ta dimë udhën?” Jezusi u përgjigji: “Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta. Askush nuk shkon tek Ati pos nëpër mua. Nëse më njohët mua, do ta njihni edhe Atin tim. Qysh tash e njihni dhe e keni parë.”  Filipi i tha: “Zotëri, na e dëfto Atin e na mjafton!” “O Filip – i tha Jezusi – kaq shumë kohë jam me ju e nuk më njohe ende? Kush më ka parë mua, ka parë edhe Atin. Si thua, pra: ‘Na e dëfto Atin!’ Po a nuk beson se unë jam në Atin e Ati është në mua? Fjalët që jua them, nuk jua them prej vetvetes: Ati që banon në mua i kryen veprat e veta. Më besoni mua: Unë jam në Atin dhe Ati është në mua. Përndryshe, besoni për shkak të vet veprave!  Përnjëmend, përnjëmend po ju them: kush beson në mua, veprat që i bëj unë edhe ai do t’i bëjë. Madje do të bëjë edhe më të mëdha se këto, sepse unë po shkoj tek Ati.” Fjala e Zotit.

13/05/2017 16:18