2017-05-13 17:05:00

Bashkësitë fetare, politikanëve të Shqipërisë: ndërtoni ura e jo mure


Sot, partitë e opozitës dhe përkrahësit e tyre u mblodhën në protestë në Tiranë, duke kërkuar një qeveri teknike, që ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të lira parlamentare, parashikuar më 18 qershor. Opozita, me në krye Partinë Demokratike, e ka bojkotuar parlamentin që nga shkurti i këtij viti e shprehet me siguri se qeveria aktuale e kryesuar nga Edi Rama do ta manipulojë votën. Ambasadat e huaja i këshilluan qytetarët e tyre të qëndronin larg protestës. Partitë opozitare nuk janë regjistruar për zgjedhje e të gjitha përpjekjet e ndërkombëtarëve për t’i ulur palët në tryezën e bisedimeve kanë dështuar.

         Në këtë situatë, bashkësitë fetare në Shqipëri ndjenë përgjegjësinë shpirtërore dhe morale t’i drejtohen klasës politike dhe të gjithë atyre, që kanë përgjegjësi institucionale për të mirën e vendit. Kështu, të premten, më 12 maj, një ditë para protestës, Komuniteti Mysliman, Kisha Orthodhokse Autoqefale, Kisha Katolike, Kryegjyshata Botërore e Bektashinjëve dhe Vëllazëria Ungjillore, shprehën shqetësimin e tyre për atmosferën e krijuar në vend, duke filluar nga mungesa e dialogut dhe e vullnetit për dialog, tek retorika e dhunshme e përçmuese në informim, tek korrupsioni dhe prodhimi i lëndëve narkotike.

         Prandaj, i ftuan me ngulm dhe me forcë të gjithë faktorët politikë në Shqipëri, si nga ana e opozitës, ashtu edhe nga ana e qeverisë, të ndërtojnë ura e jo mure. “Duhet një dialog i sinqertë, i bërë në shumë nivele, - shkruajnë krerët e fesë - duke përfshirë sa më shumë aktorë dhe faktorë. Keni përgjegjësi përpara popullit dhe duhet të mendoni për të qysh nga dita që keni marrë përsipër të hyni në politikë. E mira e popullit është synimi juaj madhor”.

Gjithashtu, bashkësitë fetare kërkuan uljen e toneve të retorikës së dhunshme dhe përçmuese ndaj kundërshtarit politik. “Kjo vetëm nxeh gjakrat dhe nxit veprime të dhunshme”, sqaruan në mesazh. E më pas: të garantohet një proces parazgjedhor dhe zgjedhor transparent dhe gjithëpërfshirës. “Në mënyrë të veçantë e sidomos – ngrenë zërin krerët e feve - u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të mos bien pre e tundimit të shitblerjes së votës apo të votimit nën kërcënim për vendin e punës, që është buka e fëmijëve. Gjithashtu, u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve që kanë përgjegjësi për zgjedhjet, të luftojnë të gjithë dukurinë e shitblerjes së votës dhe të kërcënimit për vendin e punës”.

Të gjitha komunitetet fetare kërkuan krijimin e kushteve që ligji dhe e drejta të sundojë në jetën shoqërore të Shqipërisë dhe shqiptarëve; që çdo nismë qytetare dhe politike të shërbejë për të mirën e përbashkët dhe të shmangë çdo lloj dhune ndaj njerëzve, objekteve dhe institucioneve. Së fundi, siguruan se do të vazhdojnë të luten për të ardhmen dhe mirëqenien e vendit. 








All the contents on this site are copyrighted ©.