Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Udhëtime e vizita

Papa në Fatima: “Përmes Marisë, besojmë në forcën revolucionare të dashurisë”

Papa, në Fatima, ndez qiriun e Pashkëve

12/05/2017 23:00

Vizita e parë e Françeskut, ishte ajo në Kapelën e Dukjeve. Papën e priti Rektori i Shenjtërores, ndërsa pranë Kapelës ishin mbledhur rreth njëmijë fëmijë, në një shesh, që mund të zërë më se 600 mijë vetë. Françesku u gjunjëzua para shtatores së Zojës e i dhuroi një trëndafil ari. Më pas, darkoi privatisht në Shtëpinë “Nossa Senhora do Carmo”, për t’u rikthyer, përsëri, si kishte rënë muzgu, në Kapelëzë, ku bekoi qirinjtë, ndezi Qiriun e Pashkëve dhe, si i falënderoi besimtarët, që e pritën ndërmjet tyre e u bashkuan me të në Fatima e gjetiu, në këtë shtegtim, të jetuar në shpresë e paqe, iu drejtua me fjalët e Zojës, në Dukjen e korrikut 1917:

“Ju kam të gjithëve në zemër! Ndjej se m’u besuat nga Jezusi, posaçërisht më nevojtarët”.

Maria – uroi në vijim Papa - Nëna e ëmbël dhe e kujdesshme e të gjithë nevojtarëve, ju nxjerrtë hirin e bekimit të Zotit. Rëntë ky hir mbi gjithë të varfërit e të mjerët, të cilëve ua vodhën të tashmen; mbi gjithë të përjashtuarit e të braktisurit, të cilëve u mohohet e ardhmja, mbi të gjithë jetimët e viktimat e padrejtësisë, të cilëve nuk u lejohet as të kenë të kaluar; zbritët mbi të gjithë bekimi i Zotit të mishëruar në Jezu Krishtin. E Papa shqiptoi, në këtë çast, bekimin e mirënjohur, shkëputur nga Libri i Numrave (Nm 6,24-26):

“Zoti të bekoftë e të ruajtë! Të ndriçoftë me fytyrën e vet e pastë mëshirë për ty! E sjelltë fytyrën e vet kah ti e të dhëntë paqe!”.

Ky bekim - shpjegoi - u përmbush plotësisht në Virgjërën Mari, sepse asnjë krijesë nuk pa të shndrisë përmbi të fytyra e Zotit, si e pa ajo,  që i dha fytyrë njeriu Birit të Atit të Amshuar.

E ne tani – shtoi Papa, duke kujtuar se pas pak do të bekonte qirinjtë e do t’i printe Rruzares - do të mund ta kundrojmë në çastet e gazmendit, të dritës, të mundimeve e të lumnisë së jetës së saj.

Me Krishtin e Marinë, ne mbetemi në Zotin:

“Nëse duam të jemi të krishterë, duhet të jemi marianë, domethënë duhet të pranojmë lidhjen themelore, jetike e providenciale, që bashkon Zojën me Krishtin e që na hap udhën drejt Tij”.

Kështu, sa herë themi Rruzaren, në këtë vend të bekuar ose në çdo vend tjetër, Ungjilli rinis udhën në jetën e secilit, të familjeve, të popujve e të mbarë botës.

Shtegtarë me Marinë…! Po me cilën Mari? – pyeti Papa, duke vijuar me një enumeracion pyetjesh: “Marinë, mësuese të jetës, shpirtërore? Të parën, që ndoqi pas Krishtin gjatë “udhës së ngushtë” të kryqit, duke na dhënë shembullin, apo një Zoje “të paarritshme” e, prej këndej, edhe të paimitueshme? Të Lumen, sepse i besoi gjithnjë e në çdo rrethanë fjalët hyjnore, apo një lloj shenjtëreshe, tek e cila vrapohet për të siguruar favore me çmim të ulët? Virgjërën Mari të Ungjillit, të nderuar nga Kisha lutëse, apo Marinë e skicuar sipas dëshirave të disave, të cilët e shikojnë duke ndalur krahun hakmarrës të Zotit, gati për të ndëshkuar: një Mari më të mirë se Krishti, parë si gjykatës i pamëshirë? Më të mëshirshme se Qengji i flijuar për ne?

Padrejtësi e madhe kryhet kundër Zotit e hirit të tij – shpjegoi më pas - kur pohohet së pari se mëkatet dënohen nga gjyqi i Tij, pa kujtuar - siç na tregon Ungjilli - se falen nga mëshira e Tij! Duhet t’ia kundërvëmë mëshirën gjykimit, e atëhere Zoti do të gjykojë gjithnjë duke u nisur nga drita e mëshirës. Natyrisht që mëshira e Zotit  - vijoi të shpjegojë Papa - nuk e mohon drejtësinë, sepse Jezusi mori mbi vete pasojat e mëkatit tonë, njëherësh me dënimin e duhur. Ai nuk e mohoi mëkatin, por pagoi për ne, mbi Kryq:

“E kështu, në fenë, që na bashkon me kryqin e Krishtit, çlirohemi nga mëkatet tona; lëmë mënjanë çdo formë frike e druajtjeje, sepse ai që do, nuk ka frikë” (krh 1 Gjon 4-18).

E Françesku vijoi:

“Sa herë që shikojmë Marinë, besojmë përsëri në forcën revolucionare  të dashurisë e të dhembshurisë. Në të shikojmë se përvujtëria e dashuria  nuk janë virtyte të të ligshtëve, por të të fortëve. Që nuk kanë nevojë t’i keqtrajtojnë të tjerët, për ta ndjerë veten të rëndësishëm. E kjo, e bën Zojën model për ungjillëzimin”.

Françesku uroi, në vijim, që secili prej nesh të bëhet, me Marinë, shenjë e sakramentit të mëshirës së Zotit, që fal gjithnjë, fal gjithçka. Të kapur përdore me Marinë e nën sytë e saj, mund të këndojmë me gëzim mëshirën e Zotit e mund të themi:

“Shpirti im këndon për ty, o Zot! Mëshira, që pate për gjithë shenjtorët e për mbarë popullin besnik, arriti edhe tek unë. Për shkak të krenisë së zemrës sime, jetova çkujdesshëm, duke ndjekur ambicjet e mia e interesat e mia, por pa arritur të pushtoj asnjë lloj froni, o Zot! E vetmja mundësi që kam për t’u lartuar, është kjo: ‘Që Nëna jote të më marrë për krahu, të më mbulojë me mantelin e saj e të më bëjë vend pranë Zemrës sate’. E ashtu qoftë!”. 

12/05/2017 23:00