2017-05-12 12:13:00

Më 12 maj kalendari përkujton Shenjtorët Nereu, Akileu e Pankraci, martirë


Sot më 12 maj Kisha katolike përkujton Shenjtorët Nereu, Akileu e Pankraci, martirë

Nereu e Akileu, sipas traditës, qenë dy ushtarakë të ushtrisë romake. Bëjnë pjesë në grupin e ushtarakëve, me të cilët filloi “epoka e martirëve” nën Dioklecianin. Duke i shërbyer tiranit e duke zbatuar pa asnjë kundërshtim urdhrat e tij, ata torturonin çdo ditë “rebelët e krishterë”, siç quheshin nga paganët ndjekësit e fesë së re, ardhur nga Lindja.

Të mahnitur nga qëndrimi i patundur i martirëve të krishterë para vdekjes, vendosën të ndiqnin shembullin e tyre. U kthyen në fenë e Krishtit. E si morën guximin të shpallnin haptas se ishin të krishterë, u përjashtuan menjëherë nga radhët e ushtrisë dhe u dënuan me vdekje, të cilën e përballuan me guxim e me gëzim. Iu pre koka në Romë, nën perandorin Dioklecian, në vitin 304, e u varrosen në varrezën e Domitilës në Ardeatina.

Më pas, për nder të tyre, në Termet e Caracallës u lartua një nga bazilikat e njohura romake. Simboli i tyre, ashtu si i të gjithë martirëve, është palma.  Basorelievi, që paraqet xhelatin duke i prerë kokën Shën Akileut konsiderohet si vepra më e lashtë artistike, ardhur deri në ditët tona, dëshmi e martirizimit të të krishterëve të parë. 

Edhe historia e Shën Pankracit, që vdiq tepër i ri nën Perandorin Dioklecian, i copëtuar në amfiteatër nga një luan, është pasuruar me shumë elemente legjendare, të cilat është vështirë t’i ndash nga e vërteta historike. Sidoqoftë, është një nga shenjtorët më popullor, jo vetëm në Itali, por edhe jashtë saj: njihet si Pajtor i Rinisë të Veprimit Katolik, ndërsa i janë kushtuar bazilika, kisha e kuvende: bazilika e tij në Romë u ngrit nga Shën Gregori i Madh; kisha në Londër, nga Shën Augustini i Canterburyt; madje iu kushtua edhe një stacion i metropolitanës londineze; anglez ishte edhe Wisemman-i (Uajsman), autori i romanit të famshëm “Fabiola”, përkthyer në gjuhën shqipe nga Imzot Vinçenc Prennushi, një nga personazhet kryesore të të të cilit është pikërisht Shën Pankraci.








All the contents on this site are copyrighted ©.