2017-05-12 14:39:00

Kardinali Parolin: nga Fatima, një mesazh dashurie e përvujtërie


Mesazhi i Fatimës është mesazh qendror i krishterimit, është kumti se Krishti është Ngjallur e është Zotëria i historisë: kështu pohon Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin në pragun e udhëtimit të Papës Françesku në Shenjtëroren mariane në Fatima të Portugalisë.

Papa Françesku mbërrini në Shenjtëroren e Zojës së Bekuar në Fatima të Portugalisë. Me këtë shtegtim të tij apostolik të 19-të ndërkombëtar, Ati i Shenjtë Bergoglio dëshiron të shpreh e të vë në dritë, përtej, natyrisht dashurisë së tij e devocionit të tij që ka ndaj Zojës së Fatimës, sidomos respektin e vëmendjen që ka ndaj eksperiencës e përshpirtërisë mariane të popullit të Zotit. Një eksperiencë mariane kjo që diti të shikonte në ngjarjet e Fatimës, tashmë të largëta të 1917, një gjurmë të veçantë të Virgjërës Mari të këngës ungjillore të Madhërimit.

Virgjëra që e madhëron Zotin, sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë, Zoja e Rruzares, e cila nuk iu duk të pasurve, nuk iu duk të pushtetshmëve, nuk iu duk njerëzve me ndikim por iu duk tre fëmijëve, të cilët të në një farë mënyre mund t’i konsiderojmë të fundmit e shoqërisë, për të përdorur terminologjinë e Papës Françesku janë gati “të hedhurit”, të “mënjanuarit” e shoqërisë: e  Zoja deshi t’i privilegjonte këta njerëz, këtë kategori njerëzish.

Më 1917 jemi në një kohë lufte, këndej flitej për urrejtje, për hakmarrje, për armiqësi, për ndeshje, për “masakra të kota” siç u shpreh Papa Benedikti XV; Zoja e Bekuar përkundrazi flet për dashuri, flet për falje, flet për aftësinë e flijimit të vetvetes e na mëson t’ia dhurojmë vetveten të tjerëve. Këndej kemi një përmbysje të plotë të vlerave a të mos vlerave që në atë moment mbizotëronin në shoqëri. Prandaj më duket se këta dy tregues kanë një aktualitet të madh edhe për Portugalinë e pak edhe për mbarë botën: aftësia për t’u nisur nga të fundmit e shoqërisë, për t’i vlerësuar të mbramët dhe aftësia për t’i jetuar në mënyrë autentike vlerat, që mund të jenë në themelin edhe të një bashkëjetese paqësore e solidare brenda çdo shteti e ndërmjet vendeve.








All the contents on this site are copyrighted ©.