2017-05-12 12:41:00

Kard. Komastri: me zemër do të jemi në Fatima me Papën


Sot pasdite, në orën 17.00, vikari i përgjithshëm i Papës për Qytetin e Vatikanit, kardinali Angelo Comastri, kryeson lutjen e Rruzares në Bazilikën e Shën Pjetrit. Më pas, të pranishmit përshkojnë në procesion me shtatoren e Zojës së Fatimës, rrugën e Pajtimit përpara Bazilikës. Nisma e organizuar nga Unitalsi – shoqatë, që kujdeset për transportimin e të sëmurëve në shenjtëroret e Zojës – përkon me udhëtimin e Papës Françesku në Fatima të Portugalisë, ku Ati i Shenjtë Bergoglio shkoi për 100-vjetorin e Dukjeve të Zojës e ku do të shpallë shenjtorë dy nga barinjtë, të cilëve iu duk Shën Maria: Françeskun e Gjaçintën. Është një mënyrë për t’u bashkuar me shtegtimin e Bergoglios, siç na thotë vetë kardinali Comastri:

 Pa dyshim. Ky shtegtim i shtatores së Zojës dhe Rruzarja Shenjte përkon qëllimisht me udhëtimin e Papës në Fatima. Atin e Shenjtë mund ta quajmë “babain” e familjes së madhe katolike. Papa shkon të lutet. Është e qartë se ne bashkohemi me të e duam ta shtrijmë lutjen tonë për të gjitha ndjetet, që Papa merr me vete për t’ia dorëzuar Zojës së Fatimës. Duam të jemi me të, në bashkim me të: idealisht, me zemër, jemi në udhëtim me Papën.

Në videomesazhin për portugezët, para se të nisej, Papa Françesku tha se shkon si bari universal para Virgjërës, duke i ofruar tufën me lule të vëllezërve e motrave të të gjithë botës. Premtoi t’ia besojë të gjithë Zojës, duke i kërkuar t’i pëshpërisë secilit: “Zemra ime e Papërlyer do të jetë streha dhe rruga, që do të të çojë te Zoti”. Cili është kuptimi i këtij gjesti në dritën e historisë së Fatimës?

Duhet t’i kontekstualizojmë fjalët, që i tha Zoja Luçisë. Në vitin 1917, Zoja u tha fëmijëve të Fatimës se do t’i merrte shpejt në qiell Gjaçintën dhe Françeskun, e kështu u bë. Kur Luçia mori vesh këtë lajm, pati frikë të rrinte vetëm mbi tokë, pa kushërinjtë, që për të ishin shokë të përditshëm. E Zoja – si nënë e vërtetë – i tha Luçisë të mos ketë frikë: “Zemra ime e Pëperlyer do të jetë streha dhe rruga, që do të të çojë te Zoti”. Papa deshi t’i kujtojë këto fjalë për të na thënë të gjithëve se fjalët e Zojës për Luçinë vlejnë edhe për ne. Zemra e Papërlyer e Marisë është strehë, në të cilën mund të gjemë siguri edhe sot, mund të gjejmë ngushëllim në mesin e problemeve të jashtëzakonshme, që kemi këto kohë. Zoja është nënë e, nga maja e Kryqit, Jezusi na ka lënë në dorë të saj. Duke parë Gjonin, i pati thënë Marisë: “Grua, ja biri yt”. Ç’do të thotë kjo? Sillu si nënë me Gjonin, ndihmoje, qëndroji afër. Por në Gjonin ishim edhe të gjithë ne…

Shtegtimi i Papës në Fatima është program kthimi në udhën e Zotit, siç e tha ai vetë. Edhe Zoja u kërkoi të gjithëve pendesë e kthim. Këto aspekte janë akoma aktuale për njerëzimin, apo jo?

Më se aktuale. Mund të themi se Zoja e Fatimës e ka përmbledhur mesazhin në dy fjalë: lutuni dhe bëni pendesë për kthimin e mëkatarëve. Ç’do të thotë kjo? Mëkati bën keq dhe është i keq pikërisht për këtë arsye. Sot e kemi humbur sensin e mëkatit e për pasojë, edhe atë të bashkëpunimit me Zotin për të fituar mbi mëkatin në botë. Jezusi ka ardhur për të fituar mbi mëkatin. E ai akt dashurie i Jezusit bëri të mundur faljen e çdo mëkati! Por, duhet hapur zemra. Zoja na thotë: lutuni për kthimin e mëkatarëve e edhe ju, gjeni hapësirë për Zotin në jetën tuaj, sepse përmes jush mund të krijohen kushte, që ua hapin zemrën njerëzve për Hyjin.

“Zhgënjehet ai, që mendon se misioni profetik i Fatimës ka përfunduar”, pati thënë Benedikti XVI, pikërisht në Fatima, në vitin 2010. Mision profetik akoma i frytshëm, pra?

Posi jo! Ishte viti 1917 e Zoja u tha fëmijëve se lufta po mbaronte. Ishte fjala për Luftën I Botërore. Zoja u tha fëmijëve: tashmë po mbaron, por nëse njerëzit do të vazhdojnë ta fyejnë Zotin, nëse njerëzit do të vijojnë të mëkatojnë, do të vijë një luftë e re, shumë më e keqe se kjo që po përfundon. Këtu, ka vend për reflektim. Pse Zoja e lidh luftën me mëkatin e njerëzimit? Sepse çdo mëkat është barot, që grumbullohet e grumbullohet… sepse kur mëkatojmë largohemi nga Zoti e kur largohemi nga Zoti është njëlloj sikur heqim traun, mbi të cilin mbështetet shtëpia njerëzore. E ja atëherë, profecia: nëse njerëzit nuk rreshtin së fyeri Hyjin, mëkati do të akumulojë kaq shumë barot sa t’i bëjë keq gjithë njerëzimit. Kjo profeci është gjithnjë aktuale. Madje, aktuale më tepër se kurrë në këtë çast.

Historia e dukjeve të Zojës së Fatimës lidhet edhe me paqen. Edhe këtu mund të shohim aktualitetin e një lufte botërore pjesë-pjesë, siç thotë Papa Françesku…

Sigurisht! Në botë ka dhunë, sepse ka dhunë në zemrat e njerëzve. Kujtoj një thënie të Nënë Terezës - Çmim Nobel për Paqen - e cila pati theksuar se të gjitha luftrat fillojnë nga zemra. Kur zemra është plot me urrejtje e ka të pamundur të gjejë paqe. Ja, thirrja e Fatimës: thirrje për kthim që njerëzit të bëhen më të mirë e, duke u bërë më të mirë, ta bëjnë më të mirë botën.








All the contents on this site are copyrighted ©.