2017-05-12 17:05:00

Barinjtë e Fatimës


Luçia e Jezusit, protagonistja kryesore e Dukjeve, lindi më 22 mars 1907, në Aljustrel, në famullinë e Fatimës. Më 17 qershor 1921 hyri në Kolegjin e Vilar (Porto), drejtuar nga rregulltaret e Shën Dorotesë. Më pas kaloi në Tuy, ku veshi zhgunin rregulltar e mori emrin Maria Luçia e Zojës së Dhimbshme. Kushtet e përkohshme rregulltare i bëri më 3 tetor 1928, të përjetshmet, më 3 tetor 1934. Më 25 mars 1948 u transferua në Coimbra, ku hyri në Karmelin e Shën Terezës, duke marrë emrin Motër Luçia e Zemrës së Papërlyer. Më 31 maj 1949 bëri kushtet e përjetshme. U kthye disa herë në Fatima: në maj 1946, më 13 maj 1967, në vitin 1981 për të drejtuar, në Karmel, punimet e pikturës së Dukjeve të Fatimës; pastaj edhe më 13 maj 1982, më 1991 dhe në vitin 2000, me rastin e tri vizitave të Gjon Palit II. Ndërroi jetë në Karmelin e Shën Terezës, në Coimbra, më 13 shkurt 2005. Në trevjetorin e vdekjes, nisi çështja e Lumnimit të saj.

Françesko Marto lindi më 11 qershor 1908, në Aljustrel. Vdiq shenjtërisht më 4 prill 1919, në shtëpinë atërore. Shumë i ndjeshëm e kundrues, e orientoi gjithë përshpirtërinë për “të ngushëlluar Zotin”. Trupi i tij mbeti i varrosur në varrezën famullitare deri më 13 mars 1952, datë në të cilën u zhvendos në Bazilikën e Cova di Iria.

Xhaçinta Marto lindi më 11 qershor 1908, në Aljustrel. Vdiq shenjtërisht më 20 shkurt 1920, në spitalin Dona Stefania, në Lisbonë, pas një sëmundjeje të gjatë e të dhimbshme, duke i ofruar të gjitha dhimbjet për kthimin e mëkatarëve, për paqen në botë e për Atin e Shenjtë. Më 12 shtator 1935 trupi i saj u mbart solemnìsht nga varri i familjes së  baronit Alvaiazére, në Ourém, në varrezën e Fatimës, pranë vendit ku flinte vëllai i vogël, Françesku.  Më 1 maj 1951 trupi i Xhaçintës u mbart përsëri dhe u vendos, në mënyrë të thjeshtë, në varrin e përgatitur, në Bazilikën e Cova d’Iria

Procesi i lumnimit të Vegimtarëve të Fatimës, Francesku e Xhaçinta Marto, nisi më 1952 e përfundoi më 1979. Më 15 shkurt 1988 dokumetet përfundimtare iu dorëzuan Gjon Palit II dhe Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve. U deklaruan të Nderuar më 13 maj 1989 e u lumnuan nga Gjon Pali II, në Fatima, më 13 maj të vitit 2000. Më 28 prill 2008 nisi çështja e lumnimit për motër Luçinë, që kishte ndërruar jetë më 13 shkurt 2005.








All the contents on this site are copyrighted ©.