2017-05-11 12:07:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: shpjegimi i lutjes “Falemi Mari”


Të dashur dëgjues, javës së kaluar, së bashku me muajin e majit, kushtuar Zojës së Bekuar, filluam shpjegimin e lutjes “Falemi Mari”, lutjes më të dashur me të cilën themi Rruzaren.

Pjesa e parë e saj shqiptohej nga besimtarët që në shekullin IV. Vërtet, një papirus i këtij shekulli, gjetur në Egjipt në vitin 1917 nga studiuesi anglez James Rendel Harris (1852-1941) përmban frazën “Sub tuum praesidium” (Nën mbrojtjen tënde), e cila është bërthama primitive e lutjes “Falemi Mari”. Nga Egjipti, lutja u përhap në dy formula: ajo lindore (bizantino-ambroziane) dhe ajo perëndimore (aleksandrino-romake).

Pjesa e dytë, ajo që fillon me “Shenjtja Mari, Nëna e Tënzot…” u shtua më vonë, por atë do ta shqyrtojmë javën e ardhshme. Sot, vazhdojmë me pjesën e parë. Në emisionin e kaluar shpjeguam frazën “Falemi Mari, Hirplotë, Zoti me ty”. E sot vijojmë me:

Bekuar je mbi të gjitha gratë

Këto fjalë, së bashku me të mëpasmet, janë të Elizabetës, kushërirës së Marisë, siç na thotë Ungjilli sipas Lukës (shih Lk 1, 42). Elizabeta, e shndritur nga Shpirti Shenjt, e kupton se Maria është “e bekuara ndër të gjitha gratë”. Edhe i biri i Elizabetës, që ajo mban në shtat, pavarësisht nga mosha e shtyrë, merr pjesë, madje, i paraprin gëzimit të nënës: “Ja, që, posa zëri i përshëndetjes sate arriti në veshët e mi, foshnja prej hareje kërceu në kraharorin tim” (Lk 1,44), i thotë Elizabeta së kushërirës. Maria, pra, është e bekuara e Zotit, Krijuesit, autorit të jetës, që bën gjëra jashtëzakonisht të veçanta në këtë vashë të re.

E bekuar fryti i barkut tënd, Jezus

Pasi e kupton se Maria është “e bekuar ndër të gjitha gratë”, Elizabeta njeh frytin e bekuar, që ajo mbart në vetvete. Që fëmija në barkun e Zojës ishte krejtësisht i veçantë, ia pati thënë Marisë edhe engjëlli: “Ky do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Hyjit tejet të lartë” (Lk 1, 32). Jezusi, fryt i Shpirtit Shenjt (shih Lk 1,35; 4,18) dhe i Marisë është i Bekuar si askush tjetër, me të njëjtën natyrë me Hyjin e, megjithatë, plotësisht “fryt i barkut” të Marisë, siç thotë lutja. Vërtet, zënia e këtij fryti ishte e mbinatyrshme, por krejt shtatzania e Virgjërës ishte më se e natyrshme e vijoi nëntë muaj, si ajo e çdo gruaje tjetër. Maria barti Fjalën e bërë njeri në kraharorin e vet, ndjeu lëvizjet e tij, e ushqeu, e pa të rritet brenda barkut. E si prej çdo nëne, fëmija mori diçka edhe prej saj: ndoshta, ngjyrën e syve, ndonjë tipar, ndonjë aspekt të karakterit. Pasi pranoi vullnetin e Hyjit me shpirt e me jetë, duke i thënë “po” Zotit, Maria pranoi edhe frytin e kësaj “po”-je në trupin e vet. Një fryt, që u quajt Jezus, emër i zakonshëm ndër hebrenjtë e asaj kohe, që do të thotë “Jahve, pra Zoti, shpëton”.

Këtu përfundon pjesa e dytë e lutjes “Falemi Mari”. Me të tretën, do të njihemi në emisionet e ardhshme.








All the contents on this site are copyrighted ©.