Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Kalendari

Më 11 maj kalendari përkujton Shën Anthimin me shokët e tij martirë

Vittore Crivelli: Kryqezimi - ANSA

11/05/2017 12:44

Më 11 maj, kalendari kishtar përkujton Shën Injacin prej Lakonit e Shën Gualtierin, si dhe Shën Anthimin dhe shokët e tij martirë: Maksimin, Basin, Fabin, Sisinin diakon, Dioklecianin, Fiorencin, Faltonin Piniano e Aniçia Lucinën, shenjtër e dëshmitarë të Krishtit. Këta martirë, të martirizuar e të nderuar në vende të ndryshme, lidhen ndërmjet tyre përmes Akteve e Anthimit.

Falton Piniani, bashkëshort i Aniçia Luçinës, stërnip i Perandorit Galieni, qe dërguar nga Diokleciani e Maksimiliani si prokonsull në Azi. I tronditur thellë nga fundi i këshilltarit të tij, Keremonit, persekutues i të krishterëve, që vdiq nga një sëmundje e tmerrshme, u sëmur edhe ai vetë. E shoqja, si e pa se mjekimet nuk kishin asnjë rezultat, iu lut të krishterëve që ishin akoma në burg, të ndërmjetësonin për shërimin e të shoqit. E në burg ishin Anthimi, diakoni Sisini, Maksimi, Basi, Fabi, Diokleciani e Fiorenci. Anthimi e siguroi gruan e dëshpëruar se i sëmuri do të shërohej në se do kthehej në fenë e krishterë. E kështu edhe ndodhi.

Atëherë Piniani i liroi të gjithë të krishterët që ishin nën kontrollin e tij, duke i fshehur në pronat që kishte në Sabinë e në Piceno. Një prej trojeve të tij ia fali Sisinit, Dioklecianit e Fiorencit, të cilët pas tri vjetësh, me që nuk pranuan të flijonin për nder të idhujve, u mbyten me gurë nga populli i tërbuar kundër tyre. Anthimi, i fshehur në një vilë të Pinianit në rrugën romake Salaria, pasi shëroi e ktheu në fe një adhurues të flaktë idhujsh dhe shkatërroi gjitha hyjnitë që ai mbante në shtëpi, qe paditur tek Prokonsulli Prisku; i hedhur në lumin Tiber me një gur të lidhur në qafë, doli mrekullisht shëndosh e mirë nga ujërat.

Atëherë Prisku ia preu kokën e qe varrosur në Uratoren ku lutej. Pas tij iu pre koka edhe Maksimit e u varros në të njëjtën Uratore. Basi, që u jepte zemër besimtarëve për t’i përballuar provat e reja, u arrestua e, me që nuk pranoi të flijonte për Bakun e Cereren, u masakrua nga populli në tregun e Forum Novum. Fabi u kap dhe, si u torturua në të njëjtin vend, iu pre koka. Piniani e Lucina vdiqën nga vdekje natyrore në Romë. 

Të dhënat e hollësishme për martirët, të cilët kremtohen në data të ndryshme i gjejmë në Martirologun Romak dhe në Martirologun Jeronimian. Prej tyre më 11 maj kremtohen Sisini, Diokleciani e Fiorenci. Më i përhapur është kulti i Shën Anthimit, të cilit iu kushtuan shumë Kisha.

11/05/2017 12:44