2017-05-10 12:00:00

Papa, Tawadrosit II: njohja e Pagëzimit na bën më tepër vëllezër


Kremtohet sot Dita e Miqësisë ndërmjet Kishës kopto-ortodokse dhe Kishës Katolike. Papa Françesku i dërgon, me këtë rast, një mesazh urimi Patriarkut kopto-ortodoks të Aleksandrisë, Tawadros II, të cilin e takoi edhe gjatë shtegtimit të tij të fundit në Kajro të Egjiptit. Ja çfarë shkruan Ati i Shenjtë:

“Shenjtërisë së Tij, Tawadros II

Papë i Aleksandrisë dhe Patriark i Selisë së Shën Markut

I dashur Vëlla,

         pas vizitës sime në Egjipt e pas takimit të bekuar me Shenjtërinë Tuaj në Kajro, me rastin e 4-vjetorit të takimit tonë vëllazëror në Romë, më 10 maj 2013, po e shfrytëzoj këtë mundësi për t’Ju shprehur urimet më të përzemrta për paqe e shëndet, si edhe gëzimin e mirënjohjen për lidhjet shpirtërore, që bashkojnë Selinë e Pjetrit me Selinë e Markut.

         Dëshiroj të ritheksoj mirënjohjen time të thellë për mikpritjen, që më rezervuat, si edhe për takimin tonë prekës e për lutjen e përbashkët si vëllezër në Krishtin. Jam veçanërisht mirënjohës për faktin se e kemi përforcuar unitetin e pagëzimit tonë në Korpin e Krishtit, duke deklaruar së bashku “se me një shpirt të vetëm e me një zemër të vetme, do të përpiqemi, me sinqeritet të plotë, të mos e përsërisim Pagëzimin e dhënë në njërën nga Kishat tona për ata, që dëshirojnë të kalojnë tek tjetra”. Lidhjet e vëllazërimit ndërmjet nesh “na nxisin të intensifikojmë përpjekjet e përbashkëta, duke vijuar në kërkimin e unitetit të pandashëm, pavarësisht nga ndryshimet, nën udhëheqjen e Shpirtit Shenjt”.

         Në këtë udhë, mbështetemi nga ndërhyrja e fuqishme e martirëve pranë Zotit dhe nga shembulli i tyre. Le të vazhdojmë pra të ecim së bashku në rrugën tonë drejt së njëjtës Tryezë eukaristike, duke e shtuar dashurinë dhe pajtimin.

         Dëshiroj të siguroj lutjen time të vazhdueshme për Shenjtërinë Tuaj e për paqen në Egjipt e në Lindjen e Mesme. Në këtë Kohë Pashkësh i kërkoj Shpirtit Shenjt, forcë e dhembshuri e Zotit, të na i mbushë zemrat me hir e të ndezë në to flakën e dashurisë së Tij. Shpirti i paqes na dhashtë mundësinë të rritemi në shpresë, në miqësi e në pajtim.

         Me këto ndjenja, në këtë përvjetor të veçantë, tashmë i mirënjohur si ditë e miqësisë ndërmjet Kishës ortodokse kopte dhe Kishës Katolike, shkëmbej me Shenjtërinë Tuaj një përqafim vëllazëror paqeje në Krishtin, Zotin tonë.

Nga Vatikani, 10 maj 2017”

         Deklarata kujton takimin ndërmjet dy krerëve të Kishave të krishtera më 10 majin e vitit 2013, pak pas zgjedhjes së Patriarkut Tawadros II. Por ai takim me Papën Françesku u bë në 40-vjetorin e një takimi tjetër të rëndësishëm, që përcaktoi hapa vendimtare në rrugën e ekumenizmit. Qe përqafimi i 10 majit të 40 vjetëve më parë ndërmjet Papës Pali VI dhe Papës kopto-ortodoks Shenouda III. Ata nënshkruan një deklaratë të përbashkët mbi fenë e vetme në Krishtin, pavarësisht se me tradita të ndryshme.

         Kjo deklaratë e vitit 1973 u firmos pas shekujsh marrëdhëniesh të vështira. Të dyja Kishat pranuan se Krishti “është Zot i përsosur përsa i përket Hyjnisë së Tij dhe njeri i përsosur përsa i përket humanitetit të Tij”. Kjo frazë u bë themeli i dialogut teologjik ndërmjet Selisë së Shën Pjetrit dhe Selisë së Shën Markut, që vijon edhe sot. Më vonë, 10 maji u caktua si Dita e miqësisë ndërmjet kopto-ortodoksëve dhe katolikëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.