2017-05-10 11:08:00

Më 10 maj kalendari përkujton shën Gjonin e Avilës, meshtar e doktor i Kishës


Më 10 maj kalendari përkujton shën Gjonin e Avilës, meshtar e doktor i Kishës. Shën Gjoni i Avilës, meshtar e doktor i Kishës, lindi në Almodovar del Kampo, më 6 janar 1499, ndërroi jetë në Montila, më 10 maj 1569. Gjoni ishte meshtar spanjoll, predikatar e mistik i madh. I shpallur shenjt nga Papa Pali VI më 1970, njihet si Apostull i Andaluzisë.

Lindi në gjirin e një familjeje fisnike kastiliane, ku mori mësimet e para të fesë e nisi edhe rrugën e dijes. Në moshën e pjekurisë, vijoi studimet për drejtësi në universitetin e famshëm të Salamankës, për të kaluar, më pas, në Universitetin e Alkalá de Henares, ku u diplomua në filozofi e teologji. Mbeti jetim kur ishte ende student e, kur u shugurua meshtar, në vitin 1525, Meshën e parë e kremtoi në Kishën, ku ishin varrosur prindërit, për t’ua shpërndarë, më pas, të gjitha pasuritë të varfërve.

Më 1527 deshi të nisej për në Meksikë, por zelli e gojëtaria, që e bënë shumë të famshëm, shkuan në vesh të ipeshkvit të Seviljes, që e ngarkoi të organizonte misionet popullore në të gjithë Andaluzinë, për t’i dhënë gjallëri të re fesë në këto troje. Fama e Gjonit si gojëtar u përhap me shpejtësi në të gjitha shtresat shoqërore të popullsisë, aq sa të bëhej legjendare. Prej këndej, u caktua të mbante predikimin me rastin e salikimeve të Mbretëreshës Izabela e Portugalisë, bashkëshorte e Karlit V, kremtuar më 17 maj 1538.

Mik i Shën Injacit të Lojolës, ndihmoi shumë për përhapjen e jezuitëve në Spanjë; mbështeti Shën Terezën e Avilës në veprimtarinë për reformimin e Urdhërit Karmelitan dhe Shën Gjonin e Zotit, për themelimin e Urdhrit Fatebenefratelli. E ishte pikërisht homelia e mbajtur prej tij në salikimet e Izabelës së Portugalisë, që shkaktoi kthimin e Shën Françeskut Borxhia, i cili braktisi detyrën e mëkëmbësit të mbretit të Katalonjës, për t’u bërë meshtar jezuit. Shën Gjoni i Avilës njihet si autor i shumë veprave me karakter devocinal. Ndërmjet tyre, “Epistolari shpirtëror”, që pati sukses të madh në gjysmën e shekullit XVII, u përkthye në shumë gjuhë e u përhap në mbarë Evropën.

Gjoni, prift dioqezan në vitet e rilindjes spanjolle, mori pjesë në përtëritjen e mundimshme kulturore e fetare të Kishës e të shoqërisë në agimet e kohëve moderne. Por shenjtëria e jetës dhe thellësia e doktrinës, e bënë përjetësisht aktual : hiri i Shpirtit Shenjt i priu në përvojën e kuptimit të thellë të zbulesës hyjnore e të dialogut të urtë me botën, që përbëjnë horizontin e përhershëm të jetës e të veprimtarisë së Kishës.

Shën Gjoni i Avilës është shembulli i meshtarit të shenjtë, që u paraqitet të rinjve si pikë referimi e shembull. Figurë e shquar për shkrimet e tij biblike, teologjike, shpirtërore e humaniste, shën Gjoni i Avilës njihet për predikimet, që kthyen shumë njerëz në fenë e Krishtit. “Mësuesi i Avilës”, siç e quanin, pati një këndvështrim të veçantë mbi shën Marinë, e cila është ajo, që tregon rrugën drejt shëlbimit, dhënë si model botës nga vetë Zoti. Mariologjia e shën Gjonit është krejtësisht në sintoni me magjisterin e Koncilit II të Vatikanit e me mësimet e papëve.

Ky shenjtor e doktor i Kishës, mbetet me vlerë të madhe për çdo kohë e, sidomos, për kohën tonë. Pra edhe në ditët tona, përmes mësimit të tij, Shpirti i Zotit tonë Jezu Krishtit të Ngjallur vijon ta bëjë të dëgjohet zëri i tij e të ndriçojë rrugën kah e Vërteta, e vetmja që mund të na bëjë të lirë e t’i japë kuptim të plotë jetës sonë.

Kulti në nderim të tij u miratua nën papninë e Klementit XII. U shpall ‘Venerabile’(i Nderuar) më 8 shkurt 1759; Leoni XIII e lumnoi më 4 prill 1894 e Pali VI e shenjtëroi më 31 maj 1970. Papa Benedikti XVI e shpalli  Doktor të Kishës universale më 7 tetor 2012. Kisha katolike e përkujton festën e shën Gjonit të Avilës më 10 maj. Shën Gjoni i Avilës është pajtor i klerit shekullar spanjoll.








All the contents on this site are copyrighted ©.