Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Audienca dhe Engjëlli i Tënzot

Papa Françesku: Maria na mëson të shikojmë përpara edhe në errësirën më të dendur

Fotografia e Papës shtegtar pranë Zojës së Fatimës - AP

10/05/2017 14:20

“Nuk jemi jetimë, e kemi një Nënë në qiell!” -  kujtoi Papa Françesku që, në katekizmin e sotëm, duke u nisur nga jeta e Zojës sipas rrëfimeve të Ungjijve, shpjegoi konkretisht pse Maria është Nëna e Shpresës:

“Sepse na mëson virtytin e pritjes, kur gjithçka duket fare pa kuptim. Ajo mbetet plot me besim në misterin e Zotit, edhe kur Ai duket sikur eklipsohet, për faj të së keqes, që vijon në botë. Në çastet e vështirësive, Maria, Nëna, që Jezusi na e dhuroi të gjithëve, mund të na i forcojë hapat e ligështuar e, kur të rrëzohemi, mund të na thotë: “Ngreju. Shiko përpara! Shiko horizontin!”.

Thotë kështu, sepse Ajo është Nëna e shpresës.

“Po”-ja e parë e Marisë do të ishte hapi i parë, në listën e gjatë të bindjeve. Grua e heshtur, që nuk ligështohet, as nuk e nëm fatin e jetës, shpesh  tepër armiqësor. Ajo është grua, që dëgjon:

“Mos e harroni lidhjen e fortë ndërmjet shpresës e dëgjimit! E Maria është pikërisht grua, që dëgjon, që e jeton jetën ashtu si i jepet secilit nga ne, me ditët e veta të lume, por edhe me tragjeditë e veta, që nuk do t’i dëshironim kurrë. Deri në natën më tragjike, kur pa sesi po ia kryqëzonin të Birin mbi drurin e kryqit”.

Deri në këtë ditë, Maria është gati–gati e zhdukur nga rrëfimi i Ungjijve - nënvizoi Papa - gjë që na lë të nënkuptojmë se ajo jetoi në heshtje të plotë  përballë misterit të një Biri, që i bindej Atit. Maria riduket në çastin vendimtar, kur shumica e miqve zhduken, nga frika:

“Nënat nuk tradhtojnë, e në këtë çast, tek këmbët e Kryqit, askush nga ne nuk mund të na e thotë cili ishte mundimi më mizor: gozhdimi i njeriut të pafaj, që vdiste si fajtor përmbi kryq, apo agonia e një nëne, që shoqëronte frymën e fundit të jetës së birit të saj”.

Tejet të përmbajtur Ungjijtë, kur e përshkruajnë këtë çast. Nuk tregojë qau apo nuk qau Maria, siç do të bënte çdo nënë. Thonë vetëm. “Ishte aty!”. Për të hyrë në hollësitë e këtij çasti të pashembullt në historinë e njerëzimit, na ndihmon imagjinata e poetëve, e muzikantëve, e piktorëve, që na dhuruan me fjalë, me tinguj, me ngjyra, pamje të këtij çasti tragjik, duke krijuar vepra, të cilat pastaj hynë në historinë e artit e të letërsisë:

“Në terrin më të verbër, në këtë çast mizor, Zoja vuajti, pa dyshim, por nuk lëvizi nga vendi, ndenji aty, nuk iku”.

As ajo nuk e dinte fatin e Ringjalljes, që i Biri po e hapte para njerëzve, por ishte aty për t’i qëndruar besnike deri në fund të fundit planit të Zotit  e shtyrë edhe nga dashuria e nënës, që vuan, sa herë një nga bijtë e saj kalon çaste të mundimshme:

“Vuajtja e martirëve... të gjithë kemi njohur nëna të forta, që i mbartën me durim tronditës mundimet e të bijve…”.

E pastaj e gjejmë Marinë, “nënën e shpresës”, në Kishën e parë, të mbështjellë me dritën e Ngjalljes, por edhe të pushtuar nga rrënqethja  e hapave të para, që duhej të bënte ende në botë. Në mes të bashkësisë së dishepujve, aq të brishtë - njëri kishte mohuar, të tjerë kishin ikur, të gjithë ishin tmerruar - Ajo, thjesht, ishte gjithnjë aty!

Në përfundim të katekizmit, Papa i drejtoi përshëndetjen një delegacioni priftërinjsh të rinj të Patriarkanës së Moskës, mysafirë të Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të krishterëve. Zoti - u tha Papa - e bekoftë Vendin tuaj dhe angazhimin e Kishës ortodokse ruse për dialogun ndërmjet feve e për të mirën e përbashkët”.

Papa kujtoi edhe Javën ekumenike, organizuar nga Lëvizja e Fokolarëve, shoqëruar me nxitjen për ta vijuar udhën e dialogut ndërmjet feve e popujve. Së fundi, një nga përshëndetjet më të ndjera, drejtuar atdheut. Argjentinës.  

10/05/2017 14:20