2017-05-09 12:48:00

Spekula Vatikanase: konferencë për vrimat e zeza dhe sfidat e kozmologjisë


Kush e di se autori i teorisë së Big Bang-ut ka qenë meshtar? Ashtu si shumë të tjerë, që kanë dhënë kontribut për shkencën, duke dëshmuar se, siç ka theksuar vazhdimisht Papa Benedikti XVI, feja dhe arsyeja nuk janë armike. Një konferencë, që filloi sot e do të përfundojë të premten, në Spekulën e Vatikanit në Kastelgandolfo, pranë Romës, synon pikërisht të vërë në dukje trashëgiminë e kozmologut dhe meshtarit belg, mons. Georges Lemaître, atit të teorisë së Big Bang-ut, ish-drejtor i Akademisë Papnore të Shkencave, nga viti 1960 deri në vitin 1966, vit i vdekjes së tij. Konferenca titullohet: “Vrimat e zeza, valët gravitacionale dhe veçoritë e përmasave hapësirë-kohë”. U paraqit dje në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë.

         Kurioziteti dhe etja për të ditur fatin e tij e shtyn njeriun të pyesë ç’ndodhi kur nga një atom i vetëm fillestar nisi Universi, siç supozon teoria e mons. Lemaitre? Cili është fati i fundëm i kozmosit? Cilat janë kufizimet e kozmologjisë moderne? Që sot, për këto tema po diskutojnë shkencëtarë si Çmimi Nobel për Fizikën, Gerald’t Hooft, fizikani Roger Penrose  dhe kozmologët George Ellis, Andrei Linde e Joe Silk.

“The Observatory was founded in 1891 by Pope Leo XIII, to show the world that the …

         Drejtori i Spekulës së Vatikanit, atë Guy Consolmagno, planetolog, kujtoi se ky institucion shkencor i Selisë së Shenjtë “u themelua në vitin 1891 nga Papa Leoni XIII për t’i treguar botës se Kisha e përkrah shkencën e mirë. Por, për ta bërë këtë – shtoi – është e  nevojshme të kemi një shkencë të mirë”.

         Atë Consolmagno uroi që punimet e këtyre ditëve të japin vërtet shembullin e një shkence emocionuese. Gjeninë e atë Lemaître e kujtoi atë Gabriele Gionti, edhe ai kozmolog i Spekolës së Vatikanit:

         “Në vitin 1927 publikoi këtë artikull të famshëm, në të cilin sqaronte se largimi i galaktikave shpjegohej me anë të një kozmologjie të re, e cila lindte nga një zgjidhje e ekuacioneve të relativitetit të përgjithshëm të Albert Einstein-it, që ishin zbuluar prej pak kohësh. Megjithatë, ai ishte njeri shumë i thjeshtë dhe i përvuajtur: nuk i bëri kurrë reklamë këtij zbulimi, që është themelor”.

         Ndër çështjet, për të cilat po flitet në konferencë, është edhe: ç’mund të ndodhë nëse biem në një vrimë të zezë? Ja si u përgjigj kozmologu Alfio Bonnano i Observatorit Astrofizik të Katanies, në Itali:

         “Përgjigjia e parë, që i lë të gjithë të shushatur, është kjo: ‘Brenda vrimës së zezë, hapësira bëhet kohë e koha hapësirë’. Kjo mund të duket si batutë, por nuk është kështu. Kjo është zgjidhja, që na jep matematika për brendësinë e vrimës së zezë. Pastaj, ka mistere të tjera matematike: nga ekuacioni i Einstein-it duket sikur është e mundur të përdoren vrimat e zeza për të pasur një koleksion universesh, njëri ngjitur me tjetrin. Pyetja është: këto, janë objekete matematike apo kanë ndonjë dinjitet shkencor? Shpresojmë të kuptojmë diçka edhe gjatë këtyre ditëve të konferencës, në Spekolën e Vatikanit”.

         Konferencë, që shënon një çast epokal në kozmologjinë moderne, siç nënvizoi sërish Bonnano:

         “Kozmologjia moderne duhet të luftojë kundër ‘kulçedrave’ të mëdha, aktualisht. Nga njëra anë, kemi këtë objekt të çuditshëm, që akoma s’mund ta deshifrojmë, prandaj e quajmë ‘materie e zezë’ apo ‘materie e errët’. Astronomët vërejnë se në galaktikë duhet të kemi edhe një materie shtesë, falë së cilës shpjegohen shpejtësitë radiale, mënyra e rrotullimit të galaktikave… por kjo materie nuk shihet e nuk e dimë akoma ç’natyrë ka. Dimë se përbën 30% të materies së universit. Pastaj, kemi edhe problemin e enërgjisë së errët: në vitin 1998, nga matja e disa yjeve supernova të tipit 1A u zbulua se universi jo vetëm zgjerohet e përhapet, duke e ulur shpejtësinë, por në të vërtetë e shton shpejtësinë e ky nxitim – që në fizikë është simptoma e pranisë së një force të kundërt me atë të rëndesës – nuk e dimë ç’është. Lemaître e pati kuptuar këtë objekt, që e quajmë energji të errët, por pikërisht pse ‘e errët’ nuk e dimë mirë ç’është. Kjo energji përbën 68-69% të energjisë së përgjithshme të universit, prandaj jemi para një problemi thelbësor për kozmologjinë bashkëkohore”.

         Që këndej, rëndësia e një dialogu të frytshëm në gjirin e bashkësisë shkencore, siç shpjegoi kozmologu Fabio Scardigli i Politeknikumit të Milanos:

         “Qëllimi i kësaj konference është pikërisht ky: të përpiqemi – në një farë mënyre – t’i vemë në dialog, t’i bashkojmë këto dy teori të mëdha të fizikës së shekullit XX, që janë, nga njëra anë, relativiteti i përgjithshëm e, nga ana tjetër, mekanika kuantike. Ato flasin, por ndoshta, akoma nuk kuptohen plotësisht ndërmjet tyre”.

         Së fundi, një kuriozitet. Termi “Big Bang” u përdor për herë të parë gjatë një emisioni radiofonik në BBC. Në mars 1949, Fred Hoyle e përdori me përçmim, si për të thënë “ç’është kjo teori e bumit të madh”. Hoyle ishte fizikan, matematicien e astronom, por edhe autor i programeve shkencore me karakter divulgativ. Ishte përkrahës i modelit stacionar për krijimin e botës, që mbështetet mbi idenë e një universi, që ka ekzistuar dhe do të ekzistojë përgjithmonë. Kjo ide pati shumë përkrahës fillimisht, por gjithnjë e më shumë braktiset për shkak të provave shkencore.








All the contents on this site are copyrighted ©.