2017-05-09 16:19:00

Paraqiti letrat kredenciale Nunci i ri Apostolik në Shqipëri


Paraqiti sot letrat kredenciale, Nunci i ri apostolik në Shqipëri, imzot Charles John Broën, emëruar nga Papa Françesku në këtë detyrë më 9 mars të këtij viti. Imzot Brown është kryeipeshkëv titullar i Akuileas e deri tani ka qenë Nunc Apostolik në Irlandë. Nunci i mëparshëm, imzot Ramiro Moliner Ingles e përfundoi misionin e tij diplomatik me 1 shtator 2016.

         Siç njofton zëdhënësi i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, dom Gjergj Meta, nunci i ri mbërriti të dielën në Shqipëri, ku u prit nga Kryetari i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, imzot Angelo Massafra, nga ipeshkvijtë dhe kleri vendas, si edhe nga i ngarkuari me punë Mons. Romano Mbena, në nunciaturën apostolike në Tiranë. “Në fjalët e para, ai tha se ka takuar para disa javësh Papën Françesku, i cili i emocionuar i ka thënë: “Po të dërgoj në një komb të martirizuar. Mos rri i mbyllur në nunciaturë por dil e tako njerëzit, kishën lokale. Shko në periferitë për të takuar njerëzit.”

Imzot Charles John Brown, lindi në Nju Jork, më 13 tetor 1959. Kreu studimet në degën e historisë, në Universitetin Notre Dame të Indianas në SHBA. Më pas vijoi teologjinë në Universitetin e Oksfordit në Angli, si edhe u specializua në Studime Mesjetare në Universitetin e Torontos, Kanada, për të përfunduar me studimet në Teologji Sakramentale në Universitetin e Shën Anselmit në Romë.

U shugurua meshtar më 13 maj 1989, në katedralen e Shën Patrikut, në Nju Jork. Ka qenë fillimisht zv.famullitar, pastaj bëhet Kapelan i Shenjtërisë së Tij Papë, ndërsa në shtator 2009, Sekretar i Komisionit Teologjik Ndërkombëtar. Që nga viti 1994 është edhe funksionar i Kongregatës për Doktrinën e Fesë. Para se të vinte në Shqipëri ka qenë nunc apostolik në Irlandë.








All the contents on this site are copyrighted ©.