Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

App:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Kremtime

Papa: ta pranojmë me bindje Fjalën e Zotit, për të pasur mirësi, paqe, butësi

Papa kremton Meshën në Shën Martë

09/05/2017 12:45

Të mos e kundërshtojmë Shpirtin Shenjt, por ta pranojmë me bindje Fjalën e Zotit: kjo, porosia e Papës gjatë homelisë të Meshës së mëngjesit, kremtuar  në  Shtëpinë e Shën Martës. Mirësia, paqja e vetëpërmbajtja  janë pikërisht fryt i atij, që e pranon Fjalën, e njeh, e ka gjithnjë pranë. Mesha - kujtoi Papa në fillim të homelisë - ofrohej për Motrat e Shtëpisë së Shën Martës, që sot kremtuan Ditën e Themelueses së tyre, Shën Luiza Marillac.

Dje folëm për kundërshtimin e Shpirtit Shenjt e për qëndrimin e Shtjefnit, që i qorton doktorët e pabindur të Ligjit. Sot leximet flasin për një sjellje të kundërt, për të krishterin që i bindet pa ngurrim Shpirtit Shenjt. Këto, fjalët e para të Françeskut. E kjo sjellje, edhe zemra e reflektimit të Papës, gjatë homelisë së sotme, mbajtur në Shtëpinë e Shën Martës. Pas martirizimit të Shtjefnit - kujtoi -  në Jeruzalem shpërtheu një persekutim i furishëm. Mbetën vetëm Apostujt. Ndërsa besimtarët, laikët - vijoi Papa - u shpërndanë ku mundën, në Qipro, në Feniki e në Antioki, siç e tregon edhe Leximi I, i shkëputur nga Veprat e Apostujve. E kështu ua kumtonin Fjalën vetëm judenjve. Ndërkaq, disa prej atyre, që ishin në Antioki, nisën t’ua kumtojnë Jezu Krishtin edhe grekëve, “paganëve”, sepse e ndjenin që Shpirti Shenjt i shtynte ta bënin këtë: “ishin të epshëm - shpjegoi Papa Françesku – laikë,  që vijuan ta predikojnë Fjalën e Zotit pas persekutimit, sepse e kishin këtë aftësi për t’iu bindur Shpirtit Shenjt".

Jakobi apostull, në kapitullin e parë të Letrës së tij, i nxit të krishterët ta pranojnë me bindje Fjalën. Na kujton kështu, se duhet të jemi njerëz me zemër të hapur, jo të ngurtë. E hapi i parë në udhën e bindjes, është ta pranosh Fjalën, domethënë, ta hapësh zemrën. I dyti, ta njohësh Fjalën, domethënë, të njohësh Jezusin, që vijon të na kujtojë: “Delet mia e dëgjojnë zërin tim e unë i njoh e ata më ndjekin pas”. E njohin, sepse dinë t’i binden Shpirtit Shenjt.

E pastaj, është edhe një hap i tretë: familjariteti me Fjalën:

“Ta kemi gjithnjë me vete Fjalën, ta lexojmë, t’ia hapim zemrën Shpirtit Shenjt, që na ndihmon ta kuptojmë Fjalën. Prej këndej vjen fryti, që të shtyn ta marrësh Fjalën, ta njohësh Fjalën, ta mbash gjithnjë me vete, të kesh familjaritet me Fjalën. Fryt i madh, ky: njeriu, që e bën këtë, është plot  me mirësi, me paqe,  vetëpërmbajtje, butësi”.

Ky, stili që të jep bindja ndaj Shpirtit Shenjt, vijoi Françesku:

“Po duhet ta marr Shpirtin Shenjt, që më çon te Fjala me bindje, e kjo bindje, ky moskundërshtim i Shpirtit Shenjt, më çon në këtë mënyrë jetese, në këtë mënyrë veprimi. Ta marrësh me bindje Fjalën, ta njohësh Fjalën e t’i kërkosh Shpirtit Shenjt hirin ta pranosh e pastaj t’i krijosh hapësirë, që kjo farë të mungullojë e të rritet në atmosferën e mirësisë, të butësisë, të dashamirësisë, paqes, dashurisë, vetëpërmbajtjes; e gjithë kjo bëhet stil i jetës së krishterë”.

Në Leximin e Parë tregohet sesi, kur erdhi në Jeruzalem lajmi se njerëzit e ikur në Qipro e Cirenë ua kumtonin Fjalën paganëve të Antiokisë, dishepujt u trembën paksa e dërguan Barnabën të pyeste sesi ish e mundur t’u predikohej Fjala të parrethprerëve e, për më tepër, kur këtë fjalë nuk po e predikonin apostujt, por njerëz që nuk i njihte askush. E gjëja më e bukur - kujtoi Papa - është kur Barnaba arriti në Antioki e pa si gurronte hiri i Zotit, u gëzua dhe i nxiti të ishin gjithnjë besnikë, sepse ishte njeri përplot me Shpirtin Shenjt:

“Është Shpirti Shenjt ai, që na prin për të mos gabuar, për ta pranuar me bindje Shpirtin, për ta njohur Shpirtin në Fjalën e Zotit e për të jetuar sipas Shpirtit. E kjo është e kundërta e rezistencës, për të cilën Shtjefni i qortonte krerët, doktorët e Ligjit: ‘Ju gjithmonë e keni kundërshtuar Shpirtin Shenjt!’. I rezistojmë Shpirtit Shenjt? E kundërshtojmë Shpirtin?  Apo e pranojmë? Me bindje! Kjo është fjala e Jakobit: ‘Ta pranojmë me bindje. Rezistenca është kundër bindjes. Ta kërkojmë këtë hir'”.

E Papa e përfundoi homelinë duke kujtuar se pikërisht në Antioki na dhanë mbiemrin tonë, mbasi atje, për herë të parë dishepujt u quajtën “Të krishterë”.

09/05/2017 12:45