2017-05-07 15:01:00

Papa: të ndjekim Jezusin, Bariun e Mirë, duke u ruajtur nga dijet e rreme të kësaj bote


Në përfundim të Meshës, lutja e Mbretëreshës Qiellore. Françesku i nxiti besimtarët të mos hutohen nga dijet e rreme të kësaj bote, por të ndjekin Jezusin. Pak para fillimit të lutjes, u kërkoi katër meshtarëve të rinj të dioqezës së Romës t’i rrinë përkrah në Dritaren e Engjëllit, për ta dhënë bekimin së bashku me të. Kujtoi, më pas, Ditën botërore të lutjes për thirrjet meshtarake e, së fundi, falënderoi shoqatën Meter, e cila që prej vjetësh i kundërvihet çdo forme të shpërdorimit të të miturve.

Në Ungjillin e kësaj së diel, Jezusi na paraqitet si Bari i Mirë e si derë e vathës të deleve:

“Krishti, Bariu i Mirë, u bë dera e shëlbimit të njerëzimit, sepse dha jetën për shpëtimin e deleve të veta” - kujtoi Papa Françesku – duke kometuar, në vijim, posaçërisht dy figura, të cilat plotësojnë njëra-tjetrën:

“Jezusi është prijës, autoriteti i të cilit  shprehet përmes shërbimit, prijës që, për të komanduar, flijon jetën e vet, e nuk u kërkon të  tjerëve ta flijojnë për të. Një prijësi të tillë mund t’i besohet plotësisht” - nënvizoi Papa. - Delet e dinë mirëfilli se me Të shkohet kah kullotat barënjoma e, prej këndej, mjafton t’u bëjë një shenjë të vogël, për të vrapuar, të udhëhequra nga zëri i Atij, që e ndjejnë si prani mike, të fortë, të ëmbël, ngushëlluese e mjekuese:

“Kështu është Krishti për ne. Është një përmasë në jetën e krishterë, që ndoshta e lëmë paksa në hije; përmasa shpirtërore e dashurisë. Ndjesia se na lidh një vjegëz e veçantë me Zotin, si delet me bariun  e tyre. Nganjëherë e racionalizojmë pak si tepër fenë dhe rrezikohemi ta humbasim perceptimin e timbrit të atij zëri, zërit të Jezusit, Bariut të Mirë, që të nxit e të mrekullon”.

Kjo ishte  përvoja e dishepujve të Emmaus, të cilëve u ndizej zemra zjarr, nësa e dëgjonin zërin e të Ngjallurit:

“Është përvoja e mrekullueshme, që provon njeriu, kur ndjen se Jezusi e do”.

Bëjani vetes pyetjen: “A e ndjej se Jezusi më do?”. Për të nuk jemi kurrë të huaj, por miq e vëllezër, megjithatë, nuk është gjithnjë e lehtë ta dallojmë zërin e Bariut të Mirë! Kini mendjen: mund të rrezikohemi gjithnjë  të habitemi pas zhurmës shurdhuese të një mori zërash të tjera:

“Sot jemi të ftuar të mos hutohemi nga dijet e rreme të kësaj bote, por ta ndjekim Jezusin, të Ngjallurin, si prijësin e vetëm të sigurt, që i jep kuptim jetës sonë”.

Prej këndej, në këtë Ditë Botërore të lutjes për thirrjet meshtarake, Françesku i ftoi të gjithë të luten që Zoti të dërgojë barinj të mirë, e t’i kujtojnë në uratë edhe dhjetë meshtarët e shuguruar pak më parë. Katërve prej tyre u kërkoi të dalin në dritaren e Engjëllit, për të dhënë bekimin së bashku me të.

Pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore, kujtoi edhe të Lumët e rinj, shpallur dje, në Spanjë, mbytur nga urrejtja për fenë, në një kohë persekutimi të tmerrshëm. Martirizmi i tyre - uroi - ngjalltë në Kishë dëshirën për ta dëshmuar me qëndresë Ungjillin e dashurisë.

Së fundi, një mendim i veçantë për Virgjërën Mari:

“Nesër do t’i drejtojmë lutjen Zojës Rruzare të Pompeit; në këtë muaj maji ta themi Rruzaren posaçërisht për paqen. Mos harroni: ta themi Rruzaren për paqen, siç kërkoi Zoja e Fatimës, ku do të shkoj  në shtegtim pas pak ditësh, me rastin e njëqindvjetorit të dukjes së parë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.