2017-05-07 11:00:00

Papa Françesku shuguroi 10 meshtarë të rinj


Sot, Papa Françesku kremtoi meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, duke shuguruar edhe 10 meshtarë të rinj.

         Që nga ora 9.15, kremtimi, që tradicionalisht bëhet në të Dielën IV pas Pashkëve, e cila quhet edhe e Diela e Bariut të Mirë, i dhuroi Kishës 10 barinj, pikërisht në Ditën e 54-t Botërore të lutjes për thirrjet në meshtari e në jetën rregulltare. Me Atin e Shenjtë, bashkëkremtuan edhe kardinali-vikar i dioqezës së Romës, Agostino Vallini, mëkëmbësi Filippo Iannone, ipeshkvijtë ndihmës të dioqezës, eprorët e seminareve të interesuara dhe famullitarët e 10 meshtarëve të rinj.

         Nga diakonët e shuguruar nga Papa, katër vijnë nga Seminari i Madh Papnor në Romë, të gjithë italianë. Ndërkaq, dy kanë studiuar në Kolegjin dioqezan misionar të Romës “Redemptoris Mater”, njëri romak e tjetri meksikan. Katër të tjerët janë dy nga Italia, një nga Peruja dhe i fundit nga Azerbajxhani.

         Që të premten, më 5 maj, në orën 20.30, e gjithë dioqeza e Romës u mblodh në Bazilikën Lateranense për një Mbrëmje lutjeje për këto thirrje të reja në meshtari. Dy nga diakonët e Romës dhanë dëshminë e jetës e të përkushtimit të tyre ndaj Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.