2017-05-07 13:10:00

Françesku meshtarëve të rinj: “Mos jini klerikë të Shtetit, por barinj”


Jini gjithnjë të mëshirshëm e flisni me fjalë të thjeshta, fjalë zemre; mos jini klerikë të shtetit, por barinj: me këto fjalë iu drejtua Papa 10 meshtarëve të rinj, të cilët i shuguroi gjatë Meshës Shenjte, kryesuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, në ditën e sotme, kushtuar lutjes për thirrjet meshtarake. Mesha, sipas traditës, u kremtua në të Dielën IV të Pashkëve, që njihet si e Diela e Bariut të Mirë. Ritin e shoqëroi Kori i Kapelës Sikstine të Dioqezës së Romës, drejtuar nga mjeshtrat Palombella e Frisina.

“U zgjodhën nga vetë Jezusi, për të vijuar misionin e Tij personal si mësues, meshtarë e barinj”. Kështu e kujtoi Papa misionin e meshtarëve, për të sqaruar, më pas:

“U zgjodhën nga Zoti Jezus jo për të bërë karrierë, por për të bërë këtë shërbim”.

Ftesa e parë, që u drejtoi Françesku meshtarëve të rinj, ishte:

“Lexojeni e meditojeni  rregullisht Fjalën e Zotit, për të besuar në atë, që lexuat; për t’ua mësuar të tjerëve, çka nxutë në fe, për ta jetuar, çka mësuat”.

Më pas, një këshillë e drejtpërdrejtë:

“Mos bëni homeli tepër intelektuale e të stërholluara; flisni thjesht, flisni zemrave. E ky predikim do të jetë ushqim i vërtetë”.

E të jetë gëzim e mbështetje për besimtarët - u tha Papa meshtarëve të rinj - parfumi i jetës suaj, sepse fjala, pa shembullin, nuk i duhet gjë kujt:

Më mirë të kthehesh prapa. Jeta e dyfishtë është sëmundje e ligë, në Kishë”.

Vlerësojeni atë, që bëni e imitojeni atë, që kremtoni, nënvizoi akoma Françesku:

“Një meshtar, që ndoshta ka studiuar shumë teologji e ka nja dy-tri diploma, por nuk ka mësuar ta mbartë si duhet Kryqin e Krishtit, nuk duhet gjë! Do të jetë akademik i mirë, profesor i mirë, por jo meshtar”.

Më pas, thirrja:

“Ju lutem, po jua kërkoj në emër të Krishtit e të Kishës, të jeni të mëshirshëm. Gjithnjë! Mos ngarkoni mbi shpinë të besimtarëve barrë, që nuk mund t’i mbartin, as ata e as ju. Jezusi i qortoi këta, këta doktorë, e i quajti hipokritë”.

Ndërmjet detyrave të meshtarit, Papa kujtoi edhe një tjetër. Detyrë ndoshta të mërzitshme, e edhe të dhimbshme, por shumë të rëndësishme:  vizitat tek të sëmurët:

“Bëjeni, ju. Po, është mirë të shkojnë besimtarët laikë, diakonët. Por sidomos ju. Mos rrini pa e prekur Korpin e Krishtit të munduar, në trupin e të sëmurëve; kjo ju shenjtëron, ju afron tek Krishti”.

Së fundi, edhe një porosi:

“Jini gazmorë, kurrë të trishtë! Gazmorë. Me gëzim, në shërbim të Krishtit, edhe mes vuajtjeve, keqkuptimeve, mëkateve tuaja”.

Ndiqeni shembullin e Bariut të Mirë, që nuk erdhi për t’u shërbyer, por për të shërbyer:

“Ju lutem, mos e mbani veten zotërinj, sepse nuk jeni, nuk jeni klerikë të shtetit, por barinj të popullit të Zotit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.