2017-05-05 14:18:00

Papa në Fatima. Burke: vizitë e natyrshme, por jo e zakonshme


Udhëtimi i Papës Françesku për në Fatima të Portugalisë, më 12 e 13 maj, bëhet me rastin e 100-vjetorit të dukjeve të Zojës, pra, “është vizitë e natyrshme, por jo e zakonshme”. Kështu nënvizoi drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Greg Burke, duke paraqitur sot programin e shtegtimit të Atit të Shenjtë. Madje, e nënvizoi fjalën “shtegtim apostolik”, pasi udhëtimi bëhet në muajin e majit, kushtuar Shën Marisë e ka për temë pikërisht “Me Marinë, shtegtar, në shpresë e në paqe”.

Papa Bergoglio shkon për herë të parë në Fatima, ku kanë qenë edhe tre papë të tjerë: Pali VI, tri herë Gjon Pali II, si edhe Benedikti XVI. Madje Zoja e Fatimës është tashmë pazgjidhshmërisht e lidhur me Gjon Palin II, i cili plumbin e atentatit kundër tij, e ngërtheu në kurorën e Shën Marisë, pasi ajo e shpëtoi nga vdekja e sigurtë. Vërtet, ai plumb pati bërë një trajektore të çuditshme brenda trupit të shenjtit të ardhshëm, pa i prekur organet jetësore. Ishte 13 maji i vitit 1981 e Kisha Katolike kremtonte festën liturgjike të Zojës së Fatimës.

E tani, kthehet në këtë vend  në zë të Portugalisë, Papa Françesku. Ndër kuriozitetet, që vuri në dukje sot Greg Burke, edhe takimi me një meshtar portugez 104-vjeçar, më i moshuari i Portugalisë, i cili ka lindur katër vjet pas dukjes së parë të Zojës para tre barinjve të vegjël, dy prej të cilëve do të nderohen së shpejti si shenjtorë nga Kisha, ndërsa vijon procesi i lumnimit të motër Luçisë, dëshmitares së tretë, që ruajti edhe tre Sekretet e Fatimës, tashmë, të njohura.

Papa Françesku do të kanonizojë pikërisht Francisco dhe Giacinta Marton, që së bashku me kushërirën Lucia dos Santos, dëshmuan për gjashtë dukjet e Zojës, ndërmjet majit e tetorit të vitit 1917. Mesha e shpalljes së tyre shenjtorë të Kishës Katolike do të kremtohet më 13 maj, në orën 10.00, në sheshin para Shenjtërores së Fatimës, që mund të mbajë deri në 6 mijë vetë. Para saj, Ati i Shenjtë do të takohet me kryeministrin portugez, ndërsa pas saj do të përshëndesë të sëmurët. Vijon dreka me ipeshkvijtë portugezë e së fundi, ceremonia e lamtumirës, në praninë e presidentit portugez, të cilin Papa do ta takojë edhe një ditë më parë, sapo të mbërrijë në Fatima.

Po më 12 maj, Ati i Shenjtë do të shkojë në Kapelën e dukjeve të Zojës e do të lutet privatisht. Më pas, do t’u drejtohet të pranishmëve me të parin nga katër fjalimet në portugalisht, parashikuar në tokën luzitane. Pas darkës, Papa do të kthehet në Kapelë për ceremoninë e bekimit të qirinjve dhe për Rruzaren. Dita e 12 majit përfundon me kremtimin e një Mbrëmjeje lutjeje, që do të fillojë në orën 22.00, në Bazilikën e Fatimës, lutje e kryesuar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin.








All the contents on this site are copyrighted ©.