2017-05-05 17:07:00

Nigeria: imzot Bagobiri: plan për zhdukjen e të krishterëve në Veri


“Numri i të krishterëve të vrarë shtohet nga dita në ditë e trojet rreth nesh mbillen vetëm me varre. Qeveria nigeriane jo vetëm bën pak e aspak për ta ndaluar këtë valë terrori, por i furnizon edhe me armë ekstremistët”. Imzot Joseph Bagobiri, ipeshkëv i Kafanchan, në Nigeri, denoncon edhe një herë, përmes fondacionit “Ndihmë për Kishën që Vuan”, dhunën kundër të krishterëve, kryer nga një grup islamist barinjsh endacakë Fulani, në shtetin verior të Kadunës. Dhuna vijon të përhapet gjithnjë më shumë në të gjithë Nigerinë e përballë saj - akuzon ipeshkvi - autoritetet duket sikur bashkëpunojnë. Prelati mendon se terroristët Fulani janë shumë pranë me Boko Haramin e se terrori thellohet gjithnjë më shumë, si pasojë e bashkëpunimit të tyre me qeverinë.

E vetmja rrugë, në të cilën duhet ecur, për ta ndryshuar këtë situatë, përherë më të padurueshme - sipas imzot Joseph Bagobirit - është ajo e ndërhyrjes së bashkësisë ndërkombëtare. Këtu nuk është fjala vetëm për t’i përjashtuar krejtësisht të krishterët nga jeta politike, por për t’i zhdukur fare nga këto troje. “Ka ardhur koha që bota ta  marrë vesh ç’po ndodh në viset tona - thekson me forcë Bariu nigerian – duke shikuar si pakësohet çdo ditë grigja, që i është besuar”.  








All the contents on this site are copyrighted ©.