Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Kremtime

Françesku: kundër jetës së dyfishtë, për butësi në Kishë

Papa gjatë Meshës në Shën Martë

05/05/2017 13:01

Edhe sot në Kishë ka njerëz të sertë, që sillen me rreptësi për të mbuluar mëkatet e veta. Ky, qortimi i sotëm i Papës gjatë Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shën Martë. Duke komentuar leximin e parë, shkëputur nga Veprat e Apostujve, Papa u ndalua posaçërisht tek figura e Shën Palit që, nga persekutor i egër, bëhet kumtues i butë e durimtar i Ungjillit.

Emrin e Saulit - vërejti Françesku - e dëgjojmë për herë të parë kur mbytet me gurë Shtjefni. Sauli - vijoi Papa – ishte djalosh i zjarrtë, i sertë,  idealist, i bindur për ngurtësinë e ligjit.

Jo, njerëzve të ngurtë, me jetë dyfishe, në Kishë

Ishte i ngurtë, i sertë, por i ndershëm - komentoi Papa. Ndërsa Jezusi - shtoi - i dënoi njerëzit e rreptë, që nuk ishin të ndershëm:

 “Njerëzit e ashpër, me jetë të dyfishtë; që bëjnë çmos të duken të bukur, të ndershëm, por kur nuk i sheh kush, s’lënë gjë pa bërë. Ndërsa ky djalosh ishte i ndershëm, besonte, në atë që bënte. Unë, ndërsa e them këtë, mendoj për një mori të rinjsh, të cilët kanë rënë në tundimin  e ngurtësisë, sot, në Kishë. Disa janë të ndershëm, janë të mirë e ne duhet të lutemi që Zoti t’i ndihmojë të rriten në udhën e zemërbutësisë”.

Të tjerë - shtoi - sillen si njerëz të sertë, për të mbuluar ligështitë, sëmundjet e personalitetit e prandaj tregohen krejt të ngurtë, për të dalë mbi të tjerët. Françesku vërejti, në vijim, se Sauli, i rritur në këtë atmosferë rreptësie, nuk mund të tolerojë, çka për të është herezi e prandaj edhe nis t’i persekutojë të krishterët. Të paktën - komentoi Papa - i lë gjallë fëmijët, ndërsa sot as këta nuk kursehen. Sauli, siç e dimë, shkon në Damask për t’i kapur të krishterët e për t’i hequr zvarrë ndër pranga, në Jeruzalem. E udhës ndodh takimi i madh, shndërrues, me një burrë tjetër, që i flet djaloshit të sertë me gjuhën e butësisë: “Saul, Saul, pse po më persekuton?”.

Shën Pali, nga salvues, bëhet ungjillëzues

Fëmija - vijoi Papa -  djaloshi i sertë, që u bë edhe burrë i sertë, por i ndershëm – u bë vërtet fëmijë dhe u nis për të shkuar atje, ku e thirri Jezusi. Ishte kjo, forca e butësisë së Zotit. Kështu Sauli u bë Pal dhe e kumtoi Zotin deri në fund të fundit e vuajti për Të:

“E kështu ky njeri, duke u nisur nga përvoja e tij, filloi t’u predikojë të tjerëve, të kumtojë në të katër anët: i perskutuar, me një mori problemesh, edhe në Kishë. E iu desh të vuajë edhe pse të krishterët e tij grindeshin me njëri-tjetrin. Po ai, që e pati persektuar Zotin me ngurtësinë e Ligjit, do t’u thoshte të krishterëve: ‘Me të njëjtat gjymtyrë, që u larguat nga Zoti, që mëkatuat me mendje, me korp, me gjithçka, po me ato tani jini të përkryer, jepini lumni Zotit”.

Të lutemi për të ngurtët, që të ndjekin udhën e butësisë së Jezusit

“Ky është dialog ndërmjet mendjemadhësisë, ngurtësisë e butësisë” – tha Papa. Dialog ndërmjet një njeriu të ndershëm e Jezusit që, flet butësisht, ëmbëlsisht. E kështu nisi historia e këtij njeriu, që e njohëm qysh kur ishte djalosh, mes turmës, nësa po mbyste me gurë martirin e parë, Shtjefnin, e që do të mbaronte i tradhtuar nga një grindje e brendshme ndërmjet të krishterëve. Për ndokënd jeta e Shën Palit ishte dështim, ashtu si jeta e vetë Jezusit:

“Kjo është udha e të krishterit: të ecë përpara në gjurmët, që na la  Jezusi, gjurmë predikimi, gjurmë vuajtjeje, gjurmë Kryqi, gjurmë ringjalljeje. T’i lutemi Saulit, sot, në mënyrë të posaçme, për të ngurtët, që janë në Kishë, për të sertit e ndershëm, si ai, që kanë zell, por që edhe gabojnë. E edhe për të ngurtit hipokritë, për ata, me jetë dyfishe, ata, për të cilët Jezusi  thoshte: 'Bëni atë që thonë, por jo atë që bëjnë'”. Të lutemi për të ngurtët, sot!

05/05/2017 13:01