2017-05-04 12:01:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: shpjegimi i lutjes “Falemi Mari”


Të dashur dëgjues, jemi në muajin maj, që Kisha Katolike ia kushton Zojës së Bekuar. Ndërkaq, për shqiptarët, ky muaj është edhe më i veçantë, pasi tradicionalisht, në të dielën e fundit të muajit, të gjithë shqiptarët e Italisë, nëse munden, shtegtojnë te Zoja e Këshillit të Mirë në Gjenacan, Pajtorja e tyre. Kësaj radhe, më 28 maj, mesha do të jetë më se solemne. Kremtohet edhe 550-vjetori i mërgimit të Zojës nga shenjtërorja e Shkodrës në atë të Gjenacanit. Do të jenë të pranishëm të gjithë ipeshkvijtë e Shqipërisë, që pikërisht në atë periudhë ndodhen në vizitë “ad Limina” në Vatikan, por edhe kardinali shqiptar, Ernest Simoni-Troshani. Në rubrikën tonë të së enjtes, menduam që të shtjellonim së bashku, kuptimin e lutjes “Falemi Mari”, lutje shumë e përhapur, bazë e Rruzares, që thuhet veçanërisht gjatë këtij muaji.

Lutja përbëhet nga dy pjesë. E para, ajo që do të shohim sot, është lavd dhe i paraprin pjesës së dytë, që është përgjërim me të cilin i lutemi Zojës të ndërhyjë për ne në Qiell. Pjesa e parë përbëhet nga fjalë të zbuluara në Ungjill, është filli shpirtëror, që nis nga Engjëlli i Lajmërimit të Zojës e nga Elizabeta, shtjellohet në shekuj e vjen deri në ditët tona.

Të falemi

Lavdi fillon me fjalët, që engjëlli Grabriel i drejton Marisë: “Të falem, o Hirplote! Zoti me ty!” (Lk 1,28). Në origjinalin greqisht, shën Luka thotë “kàire”, pra “gëzohu”, por në latinisht kjo pjesë e lutjes u shndërrua në “Të falemi”. Gjithsesi, duke marrë parasysh origjinalin, kuptohet fare mirë se ftesa për t’u gëzuar drejtuar Marisë, që ajo e pranoi dhe e realizoi plotësisht, na drejtohet edhe ne çdo ditë e sa herë e themi këtë lutje.

Mari, hirplote

Emri i Marisë, në lutje, ka të njëjtën peshë me fjalën “hirplote”, që i vjen pas. Në Ungjill, mungon emri, sepse është mbivënie e fjalës “hirplotë” (Kekaritoméne). Mari do të thotë hirplote, pra, plot me Shpirtin Shenjt, model për çdo të krishterë. Në emrin e Marisë është shkruar edhe fati i Virgjërës Shenjte. Nëse kemi parasysh origjinën egjipto-hebraike, kuptimi i emrit është “e dashur nga Zoti”. Rrënja egjiptiane “Myr” do të thotë “e dashur”, ndërsa ajo hebraike “yam” është shkurtim i emrit të Zotit “Iahvè”. Nëse shohim botën aramaike, domethënia e emrit “Mari” është “princeshë”, “zonjë e madhe”. Në të dyja rastet, emri përmbledh në vetvete gjithë misterin e asaj, që lindi Birin e Hyjit.

Zoti me ty

Këto fjalë na hapin horizonte të jashtëzakonshme. Në Bibël, kjo shprehje nënvizon afërsinë e Hyjit me popullin e vet, në këndvështrimin e besëlidhjes, për të cilën Zoja është simbol i dukshëm dhe konkret. Vetë Virgjëra, në kuadrin e Besëlidhjes së Re, është Arka e Re në të cilën Shpirti Shenjt realizon dhe rrezaton veprimin e tij.

Fjalët e lutjes “Zoti me ty” kanë edhe kuptim ngushëllues e japin siguri, sepse i përgjigjen drejtpërdrejt pyetjes më njerëzore, që i bën Maria engjëllit: “Si do të mund të ndodhë kjo, ndërsa unë jam virgjër?” (Lk 1,34). E engjëlli e siguron se nuk duhet të ketë frikë përderisa Zoti është me të, sepse “s’ka gjë të pamundur për Hyjin!” (Lk 1,37). Përveç kësaj, afërsia e Hyjit me Marinë merr edhe kuptimin e afërsisë fizike: Zoti, Krishti, është vërtet brenda Marisë, i mishëruar në barkun e saj, apo në kraharorin e saj, siç thotë tradita.

Fjalët që pasojnë menjëherë pas, janë “bekuar je mbi të gjitha gratë” e i thotë Elizabeta, kushërira e Marisë, kur Zoja, pavarësisht nga shtatzania, shkon ta vizitojë më të motuarën e ta ndihmojë. Por me shpjegimin e kësaj pjese do të merremi të enjten e ardhshme, po në rubrikën “Çelësi i fjalëve të Kishës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.