2017-05-04 14:18:00

Papa Françesku: reformë e mediave vatikanase për t’ua kumtuar Ungjillin të gjithëve


T’ua kumtojmë Ungjillin të gjithëve, përmes mediave që na vë në dispozicion kultura digjitale bashkëkohore. Kjo është këshilla, që u dha sot Papa Françesku, pjesëmarrësve në Asamblenë e parë të Përgjithshme të Sekretarisë për Komunikimin, të cilët i priti sot në Vatikan, të kryesuar nga prefekti, imzot Dario Edoardo Viganò.

Është fjala për krijimin e një institucioni të ri

Asambleja është mbledhur që dje, pas dy vjetësh nga themelimi i Sekretarisë për Komunikimin, dikasterit, që vetë Ati i Shenjtë i ka dhënë detyrën e reformimit të mediave:

“Ky dikaster, që do të mbushë dy vjet më 27 qershor, do të shuajë dy qirinj, është në mesin e reformës e nuk duhet të kemi frikë nga kjo fjalë eh! – tha Papa Françesku. Reformë nuk do të thotë t’u japësh një bojë gjërave, por t’u japësh formë tjetër, t’i organizosh në mënyrë tjetër. Duhet bërë me inteligjencë, me butësi, por edhe – nëse ma lejoni këtë fjalë – me një lloj dhune, ama të mirë, me dhunë të mirë, apo jo? Për t’i reformuar gjërat, apo jo? Dikasteri është në mesin e reformës nga çasti, që është realitet i ri, i cili po hedh, tashmë, hapa të pakthyeshme përpara. Vërtet, në këtë rast, nuk është fjala për koordinimin, ose shkrirjen e dikastereve të mëparshme, por për krijimin e një institucioni të ri, siç shkruaj në Motu proprio-n e themelimit”.

“L’Osservatore Romano” dhe Radio Vatikani t’i përshtaten  kohës

Rishikimi i sistemit informativ të Selisë së Shenjtë, nënvizoi Papa Françesku, u bë i nevojshëm nga kërkesat e së ashtuquajturës “konvergjencë digjitale”. Nëse, në të kaluarën, çdo mënyrë komunikimi kishte kanalin e vet dhe çdo formë e shprehjes kishte një medium të përshtatshëm, sot “këto forma komunikimi transmetohen nga një kod i vetëm, që shfrytëzon sistemin binar”:

“Në këtë kuadër, gazeta ‘L’Osservatore Romano’, e cila nga viti i ardhshëm do të bëjë pjesë në dikasterin e ri, duhet të gjejë mënyra të reja e të ndryshme për të mbërritur tek një numër më i madh lexuesish, në krahasim me formën e shkruar. Edhe Radio Vatikani, e cila prej vitesh është një bashkësi portalesh, duhet rimenduar sipas modeleve të reja e duhet t’u përshtatet teknologjive moderne e kërkesave të bashkëkohësve”.

Historia të na mësojë të shikojmë përpara me guxim

Përsa i përket shërbimit radiofonik, Ati i Shenjtë lavdëroi përpjekjet e dikasterit për t’u siguruar lajmet nga Vatikani edhe vendeve, ku teknologjia nuk ka hyrë akoma, sidomos vendeve afrikane, të cilat dëgjojnë radion në valë të shkurtra. Gjithashtu, para hyrjes së Shtëpisë Botuese të Vatikanit, të Tipografisë Poliglote të Vatikanit dhe të gazetës “L’Osservatore Romano” nën ombrellën e Sekretarisë për Komunikimin, Ati i Shenjtë u kërkoi të gjithëve gatishmërinë për të punuar në harmoni për planin e ri prodhues dhe shpërndarës:

 “Puna është e madhe, sfida është e madhe, por duhet bërë, mund të bëhet. Pa dyshim, historia është një trashëgimi përvojash të çmuara për t’u ruajtur e përdorur si shtysë drejt së ardhmes. Përndryshe, ajo do të shndërrohet në një muze interesant e të bukur për t’u vizituar, por të paaftë të japë forcë e guxim për ta vazhduar udhën. Në këtë horizont të krijimit të një sistemi të ri komunikativ, duhet përfshirë edhe përpjekja e madhe për formimin dhe azhurnimin e personelit”.

Lojë skuadre për t’iu përgjigjur sfidave të reja

 Ati i Shenjtë u kërkon të gjithëve të ecet sipas kriterit apostolik e misionar, duke treguar vëmendje të veçantë për gjendjet e varfërisë e të vështirësisë. Vetëm kështu, sipas Papës Françesku, mund t’u çohet Ungjilli të gjithëve, pa zëvendësuar mjetet e komunikimit të Kishave lokale dhe duke mbështetur ato bashkësi kishtare, që kanë më shumë nevojë:

“Të mos dorëzohemi para tundimit të lidhjes së pazgjidhshme me të kaluarën e lavdishme; le të bëjmë një lojë të madhe skuadre për t’iu përgjigjur më mirë sfidave të reja komunikative, që na shtron kultura e sotme, pa frikë e pa imagjinuar skenare apokalipsi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.