Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Vatikani \ Ngjarje

Selia e Shenjtë shqetësohet për situatën në gadishullin korean

Armët bërthamore, rrezik për njerëzimin - EPA

03/05/2017 14:42

Imzot Urbańczyk në Vjenë: “Selia e Shenjtë e shikon me shqetësim situatën në gadishullin korean dhe mbështet përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare lidhur me rifillimin e bisedimeve për zhdukjen e armëve bërthamore e për paqen”.

Ky, pohimi i imzot Janusz Urbańczyk, kryetar i delegacionit të Selisë së Shenjtë në Komitetin e parë përgatitor (në vijim, në Vjenë, nga 2 deri më 12 maj), të Konferencës për rishikimin e Traktatit lidhur me mospërhapjen e armëve bërthamore. Armët bërthamore - nënvizoi prelati - krijojnë një ndjenjë të rreme sigurie. Kujtoi - më pas - se që më 1971, kur Selia e Shenjtë hyri në këtë Traktat, shprehu dëshirën të japë ndihmesën e saj në përpjekjet për promovimin e sigurisë, të besimit reciprok dhe të bashkëpunimit paqësor në marrëdhëniet ndërmjet popujve. Edhe sot, prania e Selisë së Shenjtë në Komitetin përgatitor - vërejti prelati - është shprehje e dëshirës për t’i shërbyer një bote të çliruar nga armët bërthamore.

Përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare, të pamjaftueshme

Por përpjeket e bashkësisë ndërkombëtare për ta përdorur Traktatin në shërbim të një bote më të sigurt - nënvizoi - deri tani nuk kanë qenë të mjaftueshme. Selia e Shenjtë - shtoi imzot Urbańczyk - i nxit shtetet të bëjnë hapa konkrete përpara e të merren vesh për të arritur objektivin përfundimtar të zhdukjes së armëve bërthamore. E është gati edhe të angazhohet, në mënyrë konstruktive, në këtë proces. Paqja duhet shikuar si “virtyt aktiv”, që kërkon përpjekjen e çdo individi e të mbarë shoqërisë, në tërësinë e saj.

Duhet një etikë vëllazërimi, e themeluar mbi respektin dhe dialogun

Etika e vëllazërimit dhe e bashkëjetesës paqësore ndërmjet njerëzve e popujve - siç lexohet në mesazhin e Papës Françesku me rastin e Ditës së fundit Botërore të Paqes - nuk mund të bazohet mbi logjikën e frikës, të dhunës, të mbylljes, por mbi përgjegjësinë, respektin e dialogun e sinqertë. Në këtë mesazh - kujtoi në vijim imzot Urbańczyk - Papa pati bërë një thirrje në favor të çarmatimit si dhe të ndalimit e të zhdukjes së armëve bërthamore. Gara e armatimit bërthamor dhe kërcënimi për shkatërrimin e sigurt reciprok - shtonte Papa - nuk mund ta themelojnë këtë tip etike.

Së fundi, duke nënvizuar se Selia e Shenjtë i mbështet përpjekjet e bisedimeve për krijimin një mjeti juridikisht të aftë për t’i ndaluar armët bërthamore, i nxiti autoritetet politike jo vetëm ta garantojnë sigurinë e qytetarëve të tyre, por edhe të punojnë aktivisht për sigurimin global të paqes, për të cilën njerëzimi ka shumë nevojë.

03/05/2017 14:42