2017-05-03 15:07:00

Papa Françesku në Fatima: më 5 maj konferencë shtypi e Greg Burke


Gati në prag të udhëtimit të Papës Françesku në Fatima, më 12 e 13 maj, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Greg Burke, do të paraqesë programin e këtij shtegtimi, të premten më 5 maj, në orën 13.00. Udhëtimi i Papës bëhet me rastin e 100-vjetorit të dukjeve të Zojës së Bekuar në Cova da Iria. Në përfundim të konferencës për shtyp, gazetarët do të kenë mundësi të bëjnë intervista me drejtoreshën e komunikimit për shenjtëroren e Fatimës, zonjën Carmo Rodeia dhe me drejtorin e Departamentit të Komunikimit në Patriarkatin e Lisbonës, atë Nuno Rosario Fernandes.

Një kuriozitet: kryedioqeza e Lisbonës u lartua në nivelin e Patriarkatit më 7 nëntor 1716, me bulën “In Supremo Apostolatus Solio” të Papës Klementi XI, me origjinë shqiptare. Dokumenti njihet si “bula e artë”, sepse vula u vu mbi një disk të artë e jo të plumbtë, siç përdorej zakonisht. Gjithsesi, titulli i patriarkut është vetëm nominal, sepse Patriarku i Lisbonës nuk ka të drejta më të mëdha se ato të metropolitëve të tjerë.








All the contents on this site are copyrighted ©.