Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Audienca dhe Engjëlli i Tënzot

Papa Françesku: Egjipti është shenjë shprese për historinë e për të sotmen

Papa në audiencën e përgjithshme

03/05/2017 13:32

Egjipti është shenjë shprese si për historinë e kaluar, ashtu edhe për të sotmen. Kështu u shpreh Papa Françesku në katekizmin e audiencës së përgjithshme, sot paradite, në Sheshin e Shën Pjetrit. Françesku rikujtoi shkurtimisht, etapë pas etape, shtegtimin e tij apostolik, kryer të premten e të shtunën e kaluar në Egjipt, tokë që ka një detyrë të veçantë në udhën drejt paqes së qëndrueshme.

“Një shenjë paqeje”, në një rajon që vuan nga konfliktet e terrorizmi

“Një shenjë paqeje”, në një rajon që vuan nga konfliktet e terrorizmi. Kështu ishte shtegtimi apostolik në Egjipt, falë angazhimit të jashtëzakonshëm të autoriteteve, të cilat Françesku i falënderoi gjatë audiencës, njëherësh me gjithë popullin egjiptian, për pritjen aq të ngrohtë e të përzemërt.

Në katekizëm, Papa u nis nga ngjarja e parë

 Në katekizëm, Papa u nis nga ngjarja e parë e shtegtimit: takimi me botën myslimane pranë Al Azhar, universiteti më i lashtë islamik dhe institucioni më i lartë akademik i islamit sunit. Këtu bisedoi me Imamin e Madh e, po këtu, mori fjalën në Konferencën ndërkombëtare për Paqen.

Takim, ky, me dy përmasa: përmasa e dialogut ndërmjet të krishterëve e myslimanëve dhe ajo e paqes në botë. Ishte Imami i Madh ai, që kujtoi, në fjalimin e mbajtur me këtë rast, se paqja ndërtohet përmes edukimit dhe humanizmit që përfshin, si pjesë përbërëse, lidhjen e njeriut me Zotin. Paqja - vijoi Papa në katekizëm - ndërtohet edhe duke u rinisur nga besa e lidhur ndërmjet Zotit e njeriut, themel i besës së lidhur ndërmjet gjithë njerëzve, bazuar mbi Dhjetë Urdhërimet, shkruar mbi rrasat e gurit të Sinait, por edhe më thellë akoma, mbi zemrën e çdo njeriu, të çdo kohe e të çdo vendi. Një ligj, që përmbledh, në Dhjetë Urdhërime, dashurinë për Zotin e për njeriun:

“Mbi këtë bazë ndërtohet edhe rendi shoqëror e civil, në të cilin janë të thirrur të bashkëpunojnë të gjithë qytetarët, të çdo origjine, kulture e besimi”.

Një vizion i tillë i laicitetit të shëndetshëm - kujtoi Papa - u theksua në shkëmbimin e fjalimeve me presidentin e Republikës së Egjiptit:

“Trashëgimia e madhe historike e fetare e Egjiptit dhe roli i tij në rajonin e Lindjes së Mesme, e ngarkojnë me një detyrë të veçantë në udhën drejt paqes së qëndrueshme e afatgjatë, që nuk mbështetet mbi të drejtën e forcës, por mbi forcën e së drejtës”.

Dita e dytë e shtegtimit iu kushtua besimtarëve katolikë

“Festë feje e vëllazërimi”: kështu ishte Mesha e kremtuar në stadiumin e Kajros. Pastaj edhe takimi me priftërinjtë rregulltarët e seminaristët e shumtë. Në këtë bashkësi - kujtoi akoma Françesku - pashë bukurinë e Kishës në Egjipt e u luta për gjithë të krishterët e Lindjes së Mesme, që të jenë kripë dhe dritë e këtyre trojeve:

“Egjipti ishte shenjë shprese, strehimi, ndihme, si në historinë e Jakobit, kur ishin vitet e thatësirës, ashtu edhe më pas, me Jezusin, kur Familja Shenjte iku në brigjet e Nilit për të shpëtuar nga dhuna e Herodit”.

Edhe fjalët e fundit të audiencës, ishin shenjë shprese:

“Prandaj përshkrimi i këtij shtegtimi hyn në udhën e të folurit për shpresën: për ne Egjipti e ka këtë shenjë shprese, si për historinë, ashtu edhe për të sotmen, për  këtë vëllazërim, që sapo e kujtova”.

Urimi, në përfundim, që Familja e Shenjtë e Nazaretit t’i prijë popullit egjiptian në udhën e prosperitetit, të vëllazërimit e të paqes”.

03/05/2017 13:32