2017-05-02 12:42:00

Papa Françesku: Zoti është i aftë ta ndryshojë zemrën e ngurtë


Zoti i zbut zemrat e ngurta, të cilat dënojnë gjithçka, që nuk shkon sipas Ligjit. Kështu, Papa Françesku, në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Njerëzit zemërgur, nënvizoi, nuk e dinë se dhembshuria e Hyjit është në gjendje ta heqë zemrën e ngurtë e të vendosë, në vend të saj, një zemër të vërtetë prej mishi e gjaku.

Zemrat e mbyllura e bëjnë të vuajë Kishën

Homelia e Papës u nis nga Leximi i parë i liturgjisë së sotme, që tregon për martirizimin e Shtjefnit, i cili u vra me gurë, sepse njerëzit nuk e kuptonin Fjalën e Zotit, që ndiqte ky dëshmitar i fesë. Shtjefni i pati quajtur “kokëfortë”, “të parrethprerë në zemër e në veshë”, pra, i pati konsideruar “paganë”, të paaftë të kuptonin fenë e vërtetë. Zemra e ngurtë, vërejti Françesku, të bën të mos e kuptosh Fjalën e Zotit në mënyra të ndryshme. Për shembull, Jezusi i quan “të pamend” dishepujt e Emausit, sepse nuk e kuptonin se kishin përpara Krishtin e gjallë, por nuk ishin të këqinj, kishin vetëm frikë. Prandaj, fjalët e përdorura nga Jezusi, shpjegoi Papa, nuk janë aq të ashpra sa ato të Shtjefnit. Kur Jezusi i kritikon, dishepujve iu ngrohet zemra dhe e dëgjojnë, ndërsa ata që vranë Shtjefnin, nuk përmbaheshin, nuk donin të dëgjonin. Ky është problemi i zemrës së ngurtë, nënvizoi Ati i Shenjtë. Në Psalmin 94, Zoti e paralajmëron popullin e vet të mos e ngurtësojë zemrën, ndërsa me profetin Ezekiel i premton t’ia ndryshojë zemrën e ngurtë në një zemër prej mishi e gjaku, që di të dëgjojë e di të bindet:

        “Kjo e bën të vuajë shumë, tepër, Kishën: zemrat e mbyllura, zemrat e ngurta, zemrat, që nuk duan të hapen, që nuk duan të dëgjojnë; zemrat, që njohin vetëm gjuhën e dënimit: dinë të dënojnë, por nuk dinë të thonë ‘Ma shpjego, pse e thua këtë? Pse kjo tjetra? Ma shpjego…’. Jo! Janë të mbyllura. Nuk kanë nevojë për shpjegime”.

Zemra e ngurtë nuk e lë Shpirtin Shenjt të hyjë

Vetë Jezusi u thotë njerëzve zemërngurtë se i kanë vrarë profetët, ngaqë u thonin çka nuk u pëlqente, kujtoi Papa. Vërtet, zemra e ngurtë nuk e lë Shpirtin Shenjt të hyjë:

“Nuk kishte vend në zemrën e tyre për Shpirtin Shenjt. Ndërsa, Leximi i sotëm na thotë se Shtjefni, plot me Shpirtin Shenjt, pati kuptuar gjithçka: ishte dëshmitar i bindjes ndaj Fjalës së bërë njeri e, kjo është punë e Shpirtit Shenjt. Ishte plot me Të. Zemra e mbyllur, zemra e ngurtë, zemra e paganit nuk e lë të hyjë Shpirtin dhe i mjafton vetvetja”.

Zoti e shkul zemrën e ngurtë

Dy dishepujt e Emausit, vijoi komentin Papa Françesku, jemi ne, që kemi shumë dyshime, shumë mëkate, që shpesh duam të zbresim nga Kryqi e nga sprovat, por i bëjmë një vend në zemër edhe Fjalës së Jezusit, sepse ajo na e ngroh shpirtin. Grupit tjetër, atyre që njohin vetëm ngurtësinë e Ligjit, Jezusi u ka thënë fjalë shumë më të ashpra se ato të Shtjefnit, kujtoi Ati i Shenjtë. E përfundoi homelinë, duke përmendur episodin e kurorëthyeses, viktimës së zemrave të ngurta. Njerëzit e Ligjit donin ta vrisnin me gurë e Jezusi u thotë vetëm “Shikoni veten tuaj”:

“E sot, ta kundrojmë këtë dhembshuri të Jezusit: dëshmitari i bindjes, Dëshmitari i Madh, Jezu Krishti, që dha jetën, na bën ta shohim dhembshurinë e Hyjit për ne, për mëkatet tona, për dobësitë tona. Të hyjmë në këtë dialog e t’i lutemi Zotit për hirin e zbutjes së zemrave të njerëzve të ngurtë, të atyre, që mbyllen në rregullat e Ligjit e dënojnë gjithçka është jashtë tij. Nuk e dinë se Fjala u mishërua, se Fjala është dëshmitare e bindjes. Nuk e dinë se dhembshuria e Zotit është e aftë ta shkulë zemrën e ngurtë e të vendosë një zemër prej mishi e gjaku në vend të saj”.








All the contents on this site are copyrighted ©.