Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

App:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Liturgjia

Kardinali Komastri: Virgjëra Mari, Nënë e Mësuese e të krishterëve

Virgjëra Mari, Nënë e Mësuese e të krishterëve

02/05/2017 10:24

Në fillim të muajit marian, reflektim i kardinalit Komastri kushtuar Virgjërës Mari, Nënë e Mësuese e të krishterëve

Filloi dje muaji i majit e, kur thuhet maj, mendja të shkon menjëherë te Zoja e Bekuar. Maji është muaji që i kushtohet Zojës, është koha e bashkimit më të ngushtë me Nënën e ne të gjithëve, e cila na prin tek Jezusi. Ftuam kardinalin Angjelo Komastri, vikar i Papës për Shtetin e Qytetit të Vatikanit, që të na flasë për veçantinë e këtij muaji:
 
Muaji i majit, vetvetiu, i është kushtuar Zojës, sepse është muaji i bukurisë, muaji i shpërthimit të jetës e asnjë krijesë nuk është më e bukur se Maria; asnjë krijesë nuk i ka kënduar jetës si Maria. Prandaj muaji i majit është muaj marian.
 
Cilat janë elementet kryesore të muajit marian?

Besoj se çasti më i rëndësishëm i muajit maj duhet të jetë ai i rizbulimit të lutjes mariane e posaçërisht i thënies së Rruzares në shtëpi, në gjirin e familjes. Mund të themi se dikur Rruzarja ishte një element i domosdoshëm për jetën e përditshme të familjes së krishterë. Duke kujtuar fëmijërinë time, nuk mund të mos sjell ndër mend edhe se çdo mbrëmje familja ime kishte në qendër të vëmendjes Rruzaren Shenjte. Me të përfundonte çdo ditë. Prandaj ne, që s’kishim televizor, ndjeheshim mrekullisht të lum në muzg, sepse ishim përplot me Zotin, në sa i luteshim së bashku me Marinë.

Hirësi, ç’ këshill i jepni dëgjuesve tanë për ta thënë sa më mirë Rruzaren Shenjte?

Për ta thënë a lutë mirë Rruzaren është e nevojshme që në shtëpi të ndjehet atmosfera e lutjes. Lutja nuk vjen vetvetiu. Në se në shtëpi ndjehet fryma e fesë, është e lehtë të krijohen kushtet e nevojshme për të thënë me gjithë zemër Rruzaren. Para së gjithash duhet që të mblidhen të gjithë së bashku, babai, nëna, bijtë e bijat e në se janë, edhe gjyshi e gjyshja, sepse Rruzarja është e bukur, kur e thotë gjithë familja së bashku, kur luten të gjithë një zëri. Duke thënë së bashku Rruzaren, ndjehet zëri i popullit të Zotit, familja bëhet një gjë e vetme me të, ndjen misterin e Jezusit të pranishëm në mes të atyre që janë mbledhur në emër të Tij.

Ju kohët e fundit keni shkruar, një libër titulluar “Zoja nuk është optional", keni përdorur këtë fjalë angleze, që don me thënë nuk është diçka fakultative, që nuk jemi të detyruar ta zgjedhim, që mund të zgjidhet ose jo. Ç ‘mesazh doni të transmetoni?

- Me këtë libër shumë të thjeshtë dëshiroj t’i bëj njerëzit të kuptojnë se devocioni ndaj Zojës së Bekuar nuk është një shpikje e Kishës. Devocioni për Zojën e Bekuar lind nga vetë historia e shëlbimit, është vepër e vetë Zotit. Shën Luka ungjilltar i paraprin tregimit mbi Lajmërimin e Zojës me disa fjalë, që kanë një kuptim jashtëzakonisht vendimtar. Thotë Ungjilltari: “Engjëlli Gabriel qe dërguar nga Zoti në një qytet të Galilesë, të quajtun Nazareth, tek një virgjër me emrin Mari”. Kjo shtesë ka rëndësi vendimtare: na tregon se është Zoti ai që e dërgoi Engjëllin. Prej këndej, edhe se është Zoti ai që e zgjodhi Marinë. Ishte Zoti ai që trokiste te porta e zemrës së Marisë; kjo portë u hap dy kanatash përpara Hyjit e që atë çast Maria u bë bashkëpunëtorja më e madhe në planin e shëlbimit. Maria është vazhdimisht pranë Jezusit, nuk ndahet kurrë nga ai. Në se ndahet Biri nga Nëna ose Nëna nga Biri, bëhet diçka që është kundër zgjedhjes së Zotit. 

02/05/2017 10:24