2017-04-30 14:39:00

Papa në Mbretëreshën Qiellore: në Venezuelë të ndalohet dhuna e të kërkohet rruga për të dalë nga kriza


Lajmet dramatike, që arrijnë nga bota e, posaçërisht, nga Venezuela e nga Republika e Maqedonisë, ishin në qendër të mendimit të Papës në lutjen e sotme të Mbretëreshës Qiellore, kremtuar drejtpërdrejt nga Sheshi i Shën Pjetrit, në përfundim të takimit me Veprimin Katolik Italian.

Nuk pushojnë së arrituri lajme dramatike për situatën në Venezuelë - pohoi Papa - duke kujtuar vazhdimin e ndeshjeve në vend, me të vrarë, të plagosur e të arrestuar:

“Ndërsa marr pjesë në dhimbjen e familjarëve të viktimave, për të cilat  lutem e ngushëlloj, i drejtoj një thirrje të ngutshme qeverisë dhe të gjithë anëtarëve të shoqërisë venezuelane, që të shmanget çdo formë e re dhune, të respektohen të drejtat e njeriut e të fillojnë bisedimet për zgjidhjen e krizës së rëndë humanitare, shoqërore dhe ekonomike, që po e dërrmon popullsinë”.

Papa ia besoi Virgjërës Mari ndjetet e paqes, të pajtimit e të demokracisë në këtë vend e u lut  për të gjitha viset, që po kalojnë çaste të vështira, posaçërisht këto ditë, Republika e Maqedonisë.

Françesku kujtoi se Kisha ka një të Lume të re, Leopoldina Naudet, themeluese e Motrave të Familjes Shenjte, lumnuar dje, në Veronë. Kujtoi edhe se sot, në Itali, u kremtua Dita për Universitetin Katolik të Zemrës së Krishtit:

“Inkurajoj të mbështetet ky institucion i rëndësishëm, që vijon të investojë në formimin e të rinjve, për ta përmirësuar botën”.

E, lidhur me formimin, Papa shprehu vlerësimin për nismën e “së dielës biblike”, organizuar në Poloni, ku në kishat, në shkollat e në mjetet  e komunikimit, lexohet një pjesë e Shkrimit Shenjt. Së fundi, Papa i shprehu mirënjohjen e tij të thellë “Marisë, Nënës sonë”, për shtegtimin apostolik të sapokryer në Egjipt:

“I kërkoj Zotit ta bekojë mbarë popullin egjiptian, aq mikpritës, autoritetet dhe besimtarët e krishterë e myslimanë e t’i japë paqe këtij vendi”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.