Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Udhëtime e vizita

Papa në avion: Koreja e Veriut, rrugëzgjidhja është rruga e diplomacisë

Papa në avion - REUTERS

30/04/2017 13:15

Nga kriza bërthamore verikoreane, tek çështja Regeni; nga emigrimet, tek protestat në Venezuelë; nga roli i OKB-së, tek udha ekumenike. Këto,  disa nga temat që preku Papa në bisedën me gazetarët, gjatë fluturimit të kthimit nga Kajro. Françesku kujtoi se ky shtegtim në Egjipt është i 18-ti ndërkombëtar i papnisë së tij e se do t’i kishte pëlqyer shumë të vizitonte edhe piramidat.

Udha e diplomacisë, e vetmja rrugëzgjidhje për krizën verikoreane.

I pyetur nga gazetarët, Papa reflektoi për rreziqet dhe kërcënimet e luftës bërthamore, duke u bërë përsëri thirrje për bisedime, liderëve përgjegjës për këtë çështje kaq delikate:

“Kjo luftë botërore, për të cilën po flas që prej dy vjetësh, është copa-copa, pjesë-pjesë, po këto copa e pjesë po vijnë duke u zgjeruar gjithnjë më shumë e edhe duke u përqendruar. Janë përqendruar në pika, që ishin prej kohe të nxehta, sepse kjo puna e raketave të Koresë ka nisur prej më se një viti, por tani më duket se është nxehur pak si tepër e mund të përvëlojë. Unë bëj gjithnjë thirrje për zgjidhjen e problemeve me udhë diplomatike: bëj thirrje për bisedime…. Sepse bëhet fjalë për ardhmërinë e njerëzimit. Sot, një luftë e zgjeruar, do të shkatërronte, nuk po them gjysmën e njerëzimit, por një pjesë të mirë të tij e të kulturës së tij… do të rrënonte gjithçka, gjithçka”.

Njerëzimi nuk do të ishte në gjendje ta duronte gjithë këtë gjëmë - pohoi  Françesku - e më pas u hodhi një sy zonave të ndryshme gjeografike, ku vijojnë të ndizen zjarre lufte, nga Lindja e Mesme, në Afrikë. Kujtoi edhe vendet ndërmjetësuese, si Norvegjia, por edhe organizmat ndërkombëtare:

“Besoj se Kombet e Bashkuara e kanë për detyrë ta rimarrin paksa në dorë lidershpin e tyre, sepse ndjehet pak, fare pak”.

Në këtë kuadër, dikush e pyeti Papën nëse do ta presë presidentin amerikan Tramp, kur të vijë për vizitë në Itali, për G7 e Taorminës. Françesku, që nuk është informuar ende lidhur me ndonjë kërkesë në këtë drejtim, pohoi:

“Unë e pres çdo kryetar shteti, që kërkon audiencë”.

Prej këndej, u cek një krizë tjetër ndërkombëtare, ajo e protestave kundër Maduros, në Venezuelë, vend që Papa theksoi se e do shumë, për të kujtuar më pas, përpjekjet për ndërmjetësim nga ana e katër presidentëve, që dështuan, e edhe nga ana e Selisë së Shenjtë.  

“Todo lo que…

Gjithçka mund të bëhet për Venezuelën, duhet bërë!”.

Shikimi i Papës, nësa i përgjigjej një pyetjeje për populizmat në Evropë si dhe për zgjedhjet presidenciale në Francë, u ndal tek një emergjencë tjetër aktuale: emigracionet:

“E vërtetë se Evropa është në rrezik të shkrihet: kjo është e vërtetë. E thashë ëmbëlsisht në Stasburg, e përsërita më me forcë në ceremoninë e Çmimit të Karlit të Madh e tani po e them troç. Duhet vetëm të meditojmë për këtë, jo? Evropa, që shkon nga Atlantiku - në Urale… që… është një problem që e tremb Evropën e ndoshta edhe e mban gjallë:  problemi i emigracioneve. Kjo është e vërtetë. Por nuk duhet harruar se Evropa është bërë nga emigrantët: shekuj e shekuj emigrantësh… jemi ne… Por gjithsesi është problem që duhet studiuar, edhe duke respektuar opinionet… por ama opinione të ndershme, diskutim politik me shkronjë të madhe. Me Politikën e madhe, jo me politikën e vogël të vendit, që në fund  shuhet e mbaron”.

E atij që e pyeti nëse përkufizimi “kampe përqendrimi” i përdorur gjatë vizitës në Shën Bartolomeun, në Ishullin Tiberin, për disa kampe refugjatësh, ishte fjalë e shkarë pa dashur, Papa iu përgjigj:

“Ka kampe përqendrimi - më fal - kampe refugjatësh, që janë vërtet kampe përqendrimi. E ndonjë është, ndoshta, edhe në Itali, ndonjë tjetër gjetiu... në Gjermani jo, sigurisht. Po ju a mendoni ç’bëjnë njerëzit e mbyllur në një kamp, nga nuk mund të dalin? Mendoni për atë, që ndodhi në veri të Evropës, kur donin të kapërcenin detin, për të shkuar në Angli; janë njerëz të mbyllur brenda…”.

Më pas, lidhur me bisedimet që pati në Egjipt, posaçërisht me presidentin Al Sisi, shtypi italian pyeti nëse u fol edhe për rastin Regeni. Françesku u përgjigj se bisedimet ishin private e, për respekt - shtoi - duhet ruajtur karakteri rezervat, por lidhur me studiuesin e ri friulian të vrarë në Egjipt në fillim të viti 2016, sqaroi:

“Unë jam shqetësuar. Nga Selia e Shenjtë kam lëvizur në këtë drejtim, sepse ma kërkuan edhe prindërit. Selia e Shenjtë ka lëvizur. Nuk po them si e ku, por kemi lëvizur”.

Përsa i përket rëndësisë së paqes dhe të harmonisë ndërmjet popujve, si dhe barazisë së qytetarëve, pavarësisht nga feja, që praktikojnë, gjë që Papa e nënvizoi në Egjipt, Françesku theksoi rolin vendimtar të vlerave:

“Unë flas për vlera, e secili ta shikojë e ta gjykojë nëse kjo apo ajo qeveri, ky apo ai shtet i çon përpara këto vlera”.

Sot ka më shumë martirë, sesa pati në shekujt e parë, posaçërisht në Lindjen e Mesme - vërejti Françesku - duke folur për persekutimin e të krishterëve. Temë shumë e ndjerë, kjo, edhe në nivel ekumenik, në një dialog, që bëhet duke ecur:

”Ekumenizmi bëhet për udhë, me vepra bamirësie, me vepra ndihme, duke i bërë gjërat së bashku, kur mund të bëhen bashkë… Nuk ka ekumenizëm statik. Eshtë e vërtetë se teologët duhet të studiojnë e të merren vesh, por kjo nuk  mund të përfundojë mirë, nëse nuk ecet”.

30/04/2017 13:15