2017-04-30 09:00:00

Papa Françesku në Egjipt: udhëtim shprese e paqeje


Ngjarja kryesore e javës së kaluar në Vatikan ishte pa dyshim shtegtimi dyditor i Papës Françesku në Kajro të Egjiptit, ku Ati i Shenjtë shkoi pavarësisht nga atentatet terroriste e, pavarësisht nga frika se mos i ndodhte gjë. Madje, lëvizi me makinë jo të blinduar.

Konferenca për paqen në Kajro

         Një ditë, në të cilën mbizotëruan aspektet institucionale e, një ditë, për t’u takuar me bashkësinë e vogël katolike, por me histori të lavdishme e me kontribut të çmuar për krishterimin botëror. Natyrisht, konferenca e paqes, në të cilën ishte i ftuar nga Imami i Madh i Al Azharit, së bashku me krerë të tjerë fetarë, ishte qendra dhe qëllimi i vizitës së Papës në Egjipt. Jemi këtu “të thirrur nga Zoti, nga historia dhe nga e ardhmja”, tha të premten Bergoglio, me një ton solemn, që theksonte edhe më shumë rëndësinë e kërkesën për paqe në gjithë Lindjen e Mesme.

         “T’ia çjerrim maskën dhunës, që paraqitet me shenjtëri të rreme, duke përdorur absolutizimin e egoizmit e jo hapjen e vërtetë të mendjes ndaj veprimit të Zotit të tejetlartë”. Në institucionin, që njihet si “Vatikani i Islamizmit”, Papa e ngriti zërin për edukimin e të rinjve kundër barbarive të atyre, që i fryjnë zjarrit të urrejtjes dhe nxisin dhunën; u bëri thirrje të gjitha feve të lidhen në aleancë kundër fanatizmit. “E kemi për detyrë – tha Papa, duke iu drejtuar të gjithë krerëve fetarë, atyre islamikë, por edhe atyre ortodoksë e hebrej – të denoncojmë dhunimet kundër dinjitetit njerëzor, të nxjerrim në dritë përpjekjet për të shfajësuar çdo formë urrejtjeje në emër të fesë dhe t’i dënojmë si fallsifikim idhujtar i Zotit: emri i Tij është i shenjtë, Ai është Zoti i paqes, Zoti i mëshirës. Prandaj, vetëm paqja është e shenjtë e asnjë dhunë nuk mund të bëhet në emër të Zotit, sepse do ta përdhoste emrin e Tij”.

         Kemi nevojë për veprimtarë të paqes, nënvizoi Ati i Shenjtë, e jo për provokatorë konfliktesh; kemi nevojë për zjarrfikës e jo për zjarrvënës; kemi nevojë për predikatarë të pajtimit e jo për tellallë të shkatërrimit. Koncepte, që i përsëriti edhe kur u takua me autoritetet egjiptiane e me presidentin Al Sisì, në hotelin Al-Masah.

Takimi me autoritetet egjiptiane e me presidentin Al Sisì

         “Para një skenari botëror delikat e të ndërlikuar, që të bën të mendosh për atë, që e kam quajtur ‘luftë botërore pjesë-pjesë’, duhet të pohojmë se nuk mund të ndërtohet qytetërimi pa hedhur poshtë çdo ideologji të së keqes, të dhunës e çdo interpretim ekstremist, që pretendon ta zhdukë tjetrin e larminë e botës, duke manipuluar e duke e fyer Emrin e Shenjtë të Hyjit”. Papa kërkoi “respektimin pa kushte të të drejtave të patjetërsueshme të njeriut, si barazia ndërmjet gjithë qytetarëve, liria fetare dhe ajo e shprehjes, pa asnjë dallim”. Kujtoi viktimat e terrorizmit, vrasjet e kërcënimet, eksodin e të krishterëve në Sinain verior. E pastaj, iu kthye impenjimit të përbashkët: “E kemi të gjithë për detyrë – ngriti zërin Papa Françesku – t’u mësojmë brezave të rinj se Zoti, Krijuesi i qiellit dhe i tokës, nuk ka nevojë të mbrohet nga njerëzit, madje, është Ai, që i mbron njerëzit; Ai nuk dëshiron kurrë vdekjen e bijve të vet, por jetën dhe lumturinë e tyre; Ai nuk mund ta kërkojë e as ta justifikojë dhunën, por e përçmon dhe e hedh poshtë atë. Zoti i vërtetë është për dashurinë pa kushte, për faljen, për mëshirën, për respektin absolut të çdo jete, për vëllazërinë ndërmjet bijve të vet, besimtarë e jo besimtarë”. E kemi për detyrë, vijoi Papa, të pohojmë së bashku se historia nuk i fal ata, që flasin për drejtësi, por bëjnë padrejtësi; flasin për barazi, por nuk i trajtojnë të gjithë njëlloj. Ati i Shenjtë denoncoi “tregtarët e iluzioneve”, që u premtojnë njerëzve të thjeshtë jetën e përtejme, duke i shndërruar në mish për top; kërkoi të hidhen poshtë idetë vëllavrasëse e ideologjitë ekstremiste, sepse feja s’mund të jetë dhunë e Zoti nuk i do aktet e vdekjes.

Takimi e lutja ekumenike. Homazhi për të krishterët e vrarë nga terroristët

         E pastaj takimi e lutja ekumenike me Patrikun kopto-ortodoks, Tawadros II dhe me Patrikun Ekumenik të Kostandinopojës, Bartolomeu I; homazhi për të krishterët e vrarë nga Isis gjatë muajve të fundit në kishën e Shën Pjetrit, ku më 11 dhjetor 2016, një atentat u mori jetën 21 vetëve dhe plagosi 31 të tjerë. Gjest, që i dha edhe më tepër vlerë deklaratës së përbashkët, nënshkruar nga Papa Françesku dhe nga Patriku Tawadros II, të cilët njohën vlefshmërinë e pagëzimit dhënë nga të dyja Kishat, ajo katolike dhe ajo kopto-ortodokse.

Mesha në stadiumin e aeronautikës ushtarake

         E djeshmja, dita e dytë e shtegtimit të Papës Françesku, iu kushtua bashkësisë së vogël katolike, vetëm 0,31% e popullsisë 90 milionëshe të Egjiptit. Në meshën e paradites, në stadiumin e aeronautikës ushtarake, Ati i Shenjtë theksoi edhe një herë, me forcë, të vërtetat për fenë. Feja e vërtetë, u tha katolikëve, “është ajo që i bën më bamirës, më të mëshirshëm, më të ndershëm e më njerëzorë; është ajo që i frymëzon zemrat për t’i dashur të gjithë falas, pa dallim e pa preferenca; është ajo që na bën ta shohim tjetrin jo si armik për t’u mundur, por si vëlla për t’u dashur, për t’u shërbyer e për t’u ndihmuar; është ajo që na bën të përhapim, të mbrojmë e të përjetojmë kulturën e takimit, të dialogut, të respektit e të vëllazërimit; na bën të kemi guxim për t’i falur ata që na fyejnë, për t’i dhënë dorën atij që është rrëzuar, për ta veshur të zhveshurin e për ta ushqyer të uriturin, për ta vizituar të burgosurin e për ta ndihmuar jetimin, për t’i dhënë të pijë të eturit e për të ndihmuar të moshuarin e nevojtarin. Feja e vërtetë është ajo, që na bën të mbrojmë të drejtat e të tjerëve, me të njëjtën forcë e më të njëjtin entuziazëm me të cilin mbrojmë tonat. Në të vërtetë, sa më shumë fe e njohuri të kemi, aq më të përvujtë e të vetëdijshëm jemi për vogëlsinë tonë”.

         “Zotit – u tha Papa rreth 30 mijë besimtarëve të mbledhur në stadium – i pëlqen vetëm feja e shprehur me jetë, sepse ekstremizmi i vetëm që pranohet për besimtarët është ai i dashurisë dhe i bamirësisë! Çdo ekstremizëm tjetër nuk vjen prej Zotit e nuk i pëlqen Atij! Tani – shtoi, duke pasur parasysh edhe katolikët e ardhur nga vendet e tjera arabike – si dishepujt e Emausit, kthehuni në Jeruzalemin tuaj, pra, në jetën tuaj të përditshme, në familjet, në punën tuaj e në atdheun tuaj, plot gëzim, guxim e fe. Mos kini frikë t’ia hapni zemrën të Ringjallurit dhe lejojeni ta shndërrojë pasigurinë tuaj në forcë pozitive për ju e për të tjerët. Mos kini frikë t’i doni të gjithë, miq e armiq, sepse në dashurinë e jetuar qëndron forca dhe thesari i besimtarit”.

Takimi me meshtarët, rregulltarët e seminaristët katolikë

         Lejtmotivi “mos kini frikë” vijoi edhe pasdite, në takimin me meshtarët, rregulltarët e seminaristët katolikë, të cilët Papa Françesku i ftoi dhe i inkurajoi të mos kenë frikë nga rrethanat e vështira, nga pesha e rëndë, që shpesh u duhet të mbartin për shkak të dhunës e të atentateve terroriste, që kanë prekur edhe të krishterët egjiptianë. Por, “kush ikën nga Kryqi, ikën nga Ringjallja!”, u tha Bergoglio. Duhet mbjellur, pa pritur të korrat, theksoi:

         “Në mesin e shumë arsyeve për t’u shkurajuar e ndërmjet shumë profetëve të shkatërrimit e të dënimit, në mesin e shumë zërave negativë e të dëshpëruar, ju duhet të jeni forcë pozitive, të jeni dritë e kripë e kësaj shoqërie; të jeni lokomotiva, që e tërheq trenin përpara, drejt objektivit; të mbillni shpresën, të jeni ndërtues urash e veprimtarë të dialogut e të pajtimit”.

        Në Liturgjinë e Fjalës morën pjesë rreth 1500 vetë, të cilët Papa i falenderoi për dëshminë, por u vuri në dukje edhe shtatë tundime, nga të cilat duhet të largohen për të plotësuar misionin e tyre në një tokë si Egjipti, ku ka lindur jeta murgare e Kishës. Së pari, tundimi për t’u tërhequr zvarrë e për të mos e udhëhequr grigjën e besimtarëve. Pastaj, Ati i Shenjtë vuri në duke tundimin për t’u ankuar vazhdimisht e kujtoi se “kush ankohet gjithnjë, në të vërtetë, nuk ka dëshirë për punë”. Së treti, tundimi i thashethemeve dhe i zilisë, pastaj ai i krahasimit me të tjerët e “faraonizmi”. E së fundi, individualizmi dhe ecja pa busull e pa objektiv. E përfundoi, duke i kujtuar Egjiptit historinë e vet të krishterë:

        “Egjipti ka kontribuar në pasurimin e Kishës me thesarin e paçmuar të jetës murgare. Prandaj, ju bëj thirrje të merrni shembull nga Shën Pali eremit, nga Shën Antoni, nga Etërit shenjtorë të shkretëtirës, nga murgjër të shumtë, që me jetën dhe me shembullin e tyre u hapën portat e qiellit shumë vëllezërve e motrave; e kështu, edhe ju mund të jeni dritë dhe kripë, pra, arsye shëlbimi për vetveten e për të tjerët, besimtarë e jo, e sidomos, për të fundmit, për nevojtarët, të braktisurit e të mënjanuarit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.