2017-04-29 12:23:00

Papa Françesku: t’i copëtojmë paragjykimet e do të njohim fytyrën e Zotit


Papa Françesku kryesoi, sot paradite, Meshën në Air Defence Stadium të Kajros, pjesë e Fshatit të sportit të Forcave ajrore  ushtarake. Të pranishëm, jo vetëm katolikë, por edhe kopto-ortodoksë, të krishterë të konfesioneve të tjera dhe myslimanë:

“Sa herë njeriu vetëparalizohet, duke mos pranuar ta kapërcejë idenë e tij për Zotin, për një Zot, të krijuar në përngjasim të njeriut. Sa herë dëshpërohet, duke mos dashur të besojë se gjithëpushteti i Zotit nuk është gjithëpushtet force, autoriteti, por gjithëpushtet dashurie, faljeje, jete”.

Kështu u shpreh Papa Françesku në homelinë e Meshës, në Air Defence Stadium të Kajros, përballë më se 30 mijë pjesëmarrësve, duke kujtuar fragmentin ungjillor të së Dielës III të Pashkëve, që flet për udhën e dy dishepujve të Emmaus, të cilët largohen të dëshpëruar nga Jeruzalemi. Ungjill, që - kujtoi Papa - mund të përmblidhet me tri fjalë: vdekje, ngjallje, jetë:

“Dishepujt e njohën Jezusin në të thyer të bukës, në Eukaristi. Nëse nuk e lëmë të griset perdja, që i errëson sytë tanë, nëse nuk lejojmë të copëtohet ngurtësia e zemrës sonë, e paragjykimeve tona, nuk do të mund ta njohim kurrë fytyrën e Zotit”.

Fe e vërtetë është ajo, që na bën më të mëshirshëm, më të ndershëm, më njerëzorë; është ajo, që i zgjeron zemrat tona, për t’i zënë të gjithë e për t’i dashur të gjithë, pa interes, pa dallim e pa përzgjedhje. Pikërisht kjo na ndihmon të shikojmë tek tjetri jo armikun, për ta shpartalluar, por vëllain, për ta dashur, për t’i shërbyer, për ta mbështetur; pikërisht kjo na ndihmon ta përhapim e ta jetojmë kulturën e takimit, të dialogut, të respektit e të vëllazërimit; na jep guxim ta falim atë, që na fyen; t’i shtrijmë dorën atij, që u rrëzua; të veshim të zhveshurin; të shujtojmë të uriturin; të vizitojmë të burgosurin; të ndihmojmë jetimin e vejushën; t’i japim të pijë, të eturit, ta mbështesim të moshuarin e skamnorin:

“Feja e vërtetë është ajo, që na nxit të mbrojmë të drejtat e të tjerëve me të njëjtën forcë e të njëjtin entuziazëm, që mbrojmë tonat. Në të vërtetë, sa më shumë rritesh në fe e në dije, aq më i pëvuajtur bëhesh e aq më shumë fiton vetëdijen se je i vogël, tejet i vogël”.

Këtë e theksoi me forcë Papa në homelinë e Meshës, kremtuar në Stadiumin e Forcave Ushtarake Ajrore të  Kajros, në ditën e dytë të vizitës së tij në Egjipt, në praninë e turmës së larmishme, me besime të ndryshme, që e ndiqte këtë Meshë të jashtëzakonshme papnore:

Zotit i pëlqen vetëm feja e praktikuar me jetë, sepse i vetmi ekstremizëm, që mund të pranohet nga besimtari, është ai i bamirësisë! Asnjë lloj tjetër ekstremizmi nuk vjen nga Zoti e nuk i pëlqen Atij”.

Tani - u tha Papa Françesku në përfundim të homelisë së Meshës besimtarëve të mbledhur rreth tij - ashtu si dishepujt e Emmaus, kthejuni në Jeruzalemin tuaj, domethënë, në jetën tuaj të përditshme, në familjet tuaja, në punën tuaj, në atdheun tuaj, plot me gëzim, me guxim e fe:

Mos kini frikë t’ia hapni zemrën tuaj të Ngjallurit; lëreni që Ai ta shndërrojë pasigurinë tuaj në forcë pozitive për vete e për të tjerët. Mos kini frikë t’i doni të gjithë, miq e armiq, sepse forca dhe thesari i besimtarit gjindet pikërisht në dashurinë e jetuar”.  








All the contents on this site are copyrighted ©.