2017-04-28 16:06:00

Papa Françesku: terrorizmi është falsifikim idhujtar i Zotit


Nisi sot shtegtimi apostolik i Françeskut në Egjipt. Vizita e dytë, e shumëpritur, e Papës, ishte ajo në selinë e Al-Azhar, institucioni më i lartë fetar i Islamit sunit në botë, si dhe Universiteti më i lashtë islamik, ngritur që në vitin 969, një vit pas themelimit të Kajros. Xhamia e tij nisi të shërbejë edhe për dhënien e disiplinave fetare e juridike, duke përfshirë edhe shkencat e tjera, si gramatika, retorika, aritmetika. Këtë karakter ka edhe sot e kësaj dite, kjo qendër sunite e studimeve teologjike e juridike, më e lashta e më e rëndësishmja e të gjitha viseve myslimane.

Këtu, në përfundim të Konferencës për paqen, Papa mbajti njërin nga fjalimet më të pritura të këtij shtegtimi. Fjalim programatik. E quajti dhuratë të madhe që po e niste vizitën në Egjipt, pikërisht nga ky vend e, si falënderoi për këtë Imamin e Madh, u ndalua tek historia e lavdishme e Egjiptit.

Nuk do të ketë edukatë të përshtatshme për të rinjtë, nëse  formimi  nuk do të përkojë me natyrën e njeriut

Tokë qytetërimi - e quajti Papa. – Që në lashtësi, kultura e lindur në brigjet e Nilit, qe sinonim i qytetërimit. Në Egjipt ndriti drita e dijes, duke bërë të mungullojë një pasuri e pallogaritshme kulture e urtie për banorët e lashtë të kësaj toke, që zgjodhën udhën e paqes e punuan për paqen e zhvillimin, me bindjen se nuk mund të ketë paqe, pa edukim të përshtatshëm të breznive të reja:

“E nuk do të ketë edukatë të përshtatshme për të rinjtë e sotëm, nëse  formimi që u jepet, nuk do të përkojë me natyrën e njeriut. Edukimi bëhet urti jete, kur është i aftë të nxjerrë nga njeriu, në lidhje me Atë që e larton  e me gjithçka e rrethon, ç’ka më të mirë brenda vetes. Dija kërkon tjetrin, duke e kapërcyer tundimin e ngurtësimit e të mbylljes në vetvete: e hapur e në lëvizje, e përvuajtur e hulumtuese njëherësh, ajo di ta vlerësojë të kaluarën e ta vërë në dialog me të tashmen, pa hequr dorë nga ermeneutika e duhur”.

Dija kërkon pa u lodhur kurrë raste takimi e ndarjeje të përbashkët; e kaluara i mëson se nga e keqja buron vetëm e keqja e nga dhuna, vetëm dhuna, në një spirale, që rrënon. Kjo dije vë në qendër njeriun, tejet i çmuar për sytë e Zotit, dhe një etikë të denjë për të, duke e refuzuar frikën nga tjetri e druajtjen nga njohja me të, përmes mjeteve, që na dhuroi vetë Krijuesi.

Të thirrur të ecim gjithnjë bashkë në fushën e dialogut

Pikërisht në fushën e dialogut - nënvizoi Papa - posaçërisht atij ndërfetar, jemi të thirrur të ecim gjithnjë bashkë, me bindjen se ardhmëria e të gjithëve varet edhe nga takimi ndërmjet feve e kulturave. Në këtë drejtim  kujtoi se bashkëpunimi i frytshëm i Komitetit të Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar me Komitetin e Al Azhar, është shembull konkret inkurajues. Tre, elementet themelore - nënvizoi Françesku - që, nëse lidhen mirë, mund ta ndihmojnë dialogun:

“Detyra e identitetit, guximi i larmisë dhe sinqeriteti i qëllimeve”.

Udha më e mirë, që duhet ndjekur

Po cila është udha më e mirë që duhet ndjekur:

“Të edukosh me aftësinë për ta hapur plot respekt zemrën e për të dialoguar me tjetrin, duke ia njohur të drejtat e liritë themelore, posaçërisht atë fetare. Kjo, udha më e mirë për të ndërtuar së bashku ardhmërinë e për të qenë konstruktorë të qytetërimit”.

E për t’iu kundërvënë vërtet barbarive të atyre, që i fryjnë zjarrit të urrejtjes e nxisin dhunën, duhen shoqëruar e duhen ndihmuar të fitojnë pjekurinë, brezni që i përgjigjen logjikës zjarrvënëse të së keqes, me lulëzimin durimtar të së mirës; të rinj të cilët, si drurët që mbillen mirë, i kanë rrënjët në truallin e historisë e, duke hedhur shtat drejt Lartësive, e pastrojnë çdo ditë ajrin e ndotur nga urrejtja, me oksigjenin e vëllazërimit.

Tokë besëlidhjesh Egjipti, ku nuk lindi vetëm dielli i dijes, por edhe drita shumënmgjyrëshe e feve, që e ndriçoi këtë vend – kujtoi Papa – duke u ndalur tek historia e feve, që e kanë këtu simbolin e tyre “Malin e Besëlidhjes”, i cili lartohet mbi këtë tokë. Sinai i kujton mbarë njerëzimit se, duke e përjashtuar Zotin nga horizonti, nuk mund të takohet në paqe.

Mesazhi aktual

Është mesazh aktual, përballë paradoksit të rrezikshëm e ngulmues, sipas të cilit njëra palë synon ta mbyllë fenë në sferën private, ndërsa tjetra, ta ngatërrojë sferën fetare me atë politike.

Në këtë kuptim, duke i sjellë simbolikisht sytë nga mali Sinai, Papa kujtoi Dhjetë Urdhërimet, që u shqiptuan këtu, para se të shkruheshin mbi dy rrasa guri. Në qendër të Dhjetë fjalëve, jehon fuqishëm, drejtuar njerëzve e popujve të të gjitha kohërave, urdhërimi: “Mos vra!” (Dal 20,13):

“Zoti, dashurues i jetës, nuk pushon kurrë s’e dashuri njeriun e prandaj edhe e nxit t’i kundërvihet udhës së dhunës, si parakusht themelor i çdo bese të lidhur mbi tokë. Të gjithë janë të thirrur ta vënë në jetë këtë Urdhërim, e posaçërisht fetë”.

Paqja është e shenjtë, fetë duhet ta mbrojnë bashkarisht

Si prijës fetarë - kujtoi në vijim Papa - jemi të thirrur ta demaskojmë dhunën, që vishet me petkun e shenjtërisë, t’i denoncojmë shkeljet kundër dinjitetit njerëzor e kundër të drejtave të njeriut, t’i nxjerrim në dritë përpjekjet për ta justifikuar çdo formë të urrejtjes në emër të fesë e ta dënojmë haptas si falsifikim idhujtar të Zotit: Emri i Tij është Shenjt, Ai është Zoti i paqes, Zoti salam.

 Paqja është e shenjtë: kurrfarë dhune nuk mund të kryhet në emër të Zotit  

Prej këndej, paqja është e shenjtë e kurrfarë dhune nuk mund të kryhet në emër të Zotit, sepse do ta dhunonte emrin e Tij:

“Së bashku, nga kjo tokë ku takohen Qiell e dhe, tokë ku u lidh besa ndërmjet njerëzve e besimtarëve, ta përsërisim një ‘jo’ të fortë e të qartë kundër çdo forme të dhunës, të urrejtjes e të hakmarrjes së kryer në emër të fesë e në  emër të Zotit. Së bashku, të deklarojmë se dhuna e feja, besimi e urrejtja nuk kanë asgjë të përbashkët. Së bashku ta deklarojmë shenjtërinë e çdo jete njerëzore kundër çdo forme të dhunës fizike, shoqërore, edukative, psikologjike”.

Detyra jonë është të lutemi njëri për tjetrin, të dialogojmë e të nxisim harmoninë, bashkëpunimin, miqësinë:

“E sotmja ka nevojë për ndërtues të paqes, jo për provokatorë të konflikteve; për zjarrfikës, jo për zjarrvënës; për predikatarë të pajtimit, jo për kasnecë të shkatërrimit”.

Detyrat themelore për parandalimin e konflikteve

Për të parandaluar konfliktet e për të ndërtuar paqen, është themelore të përpiqemi për ta zhdukur varfërinë dhe shfrytëzimin, në gjirin e të cilit   lindin më shumë ekstremizmat, t’i bllokojmë flukset e parave e të armëve  drejt atyre, që ndezin flakën e dhunës e ta ndalojmë përhapjen e armëve, sepse po u prodhuan, nuk do të vonojnë edhe të përdoren:

“Kjo, detyra urgjente dhe e rëndësishme, që u takon drejtuesve të kombeve, të institucioneve, mjeteve të informimit, ashtu si dhe ne, përgjegjësve të qytetërimit, të thirrur nga Zoti, nga historia e nga ardhmëria për të nisur, secili në fushën e vet, procese paqeje, duke hedhur bazat e  besëlidhjeve të reja ndërmjet popujve e shteteve:

“Uroj që kjo tokë fisnike dhe dashur e Egjiptit, me ndihmën e Zotit, t’i përgjigjet përsëri thirrjes së saj për qytetërim, duke kontribuar për zhvillimin e proceseve të paqes e të besëlidhjes, për këtë popull të dashur dhe për të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme”.

Al Salamò Alaikum! / Paqja qoftë me ju!








All the contents on this site are copyrighted ©.