2017-04-28 18:00:00

Papa, autoriteteve egjiptiane: mos i lini predikatarët e urrejtjes t'u premtojnë njerëzve amshimin


Hoteli Al-Màsah (Diamanti), një kompleks i Ministrisë së Mbrojtjes së Egjiptit, me 9 sallone, 12 restorante, dy salla kinemaje, impiante sportive e pishina e madje, edhe me një simulator fluturimi në avion e me një xhami të brendshme, ishte korniza, në të cilën Papa Françesku u takua me rreth 800 përfaqësues të institucioneve, të Trupit Diplomatik dhe të shoqërisë civile egjiptiane, në praninë e presidentit të Republikës, Al-Sisì.

Egjipti ka histori të lashtë, të rëndësishme për krishterimin

“Egjipti – u tha Ati i Shenjtë – ka një detyrë të veçantë: të forcojë e të konsolidojë edhe paqen rajonale, megjithëse në tokën e vet, është edhe ai i plagosur nga dhuna e verbër”. Papa Françesku vuri në dukje historinë e lashtë të vendit, tokë ku Zoti i zbuloi emrin e Tij Moisiut në malin Sinai, ku i besoi popullit të vet Urdhërimet hyjnore, vend ku gjeti strehë Familja shenjte, Jezusi, Maria e Jozefi. E ku sot, gjejnë strehë miliona refugjatë nga Sudani, Eritrea, Siria e Iraku, të cilët, shoqëria përpiqet t’i integrojë me impenjim të lavdërueshëm.

Egjipti ka rol të pazëvendësueshëm në Lindjen e Mesme

Për shkak të historisë dhe të pozicionit të tij gjeografik, Egjipti ka një rol të pazëvendësueshëm në Lindjen e Mesme, për të shmangur rrëshqitjen e rajonit në një gjendje edhe më të rëndë dhune. “I referohem – vuri në dukje Papa – asaj dhune të verbër e çnjerëzore, shkaktuar nga faktorë të ndryshëm: nga lakmia për pushtet, nga tregtia e armëve, nga probleme të rënda shoqërore e nga ekstremizmi fetar, që e përdor Emrin e Shenjtë të Zotit për të kryer masakra e padrejtësi të padëgjuara”.

Të mos i mungojë askujt buka, liria dhe drejtësia

Duke kërkuar një impenjim të përbashkët kundër kësaj prirjeje të rrezikshme, Ati i Shenjtë bëri thirrje që askujt të mos i mungojë buka, liria dhe drejtësia shoqërore. Natyrisht, vuri në dukje Papa, ky objektiv do të bëhet realitet nëse të gjithë do t’i shndërrojnë fjalët në vepra, aspiratat në impenjim, ligjet e shkruara në ligje të zbatuara. Françesku denoncoi këtu vrasjet dhe kërcënimet, që shkaktuan dhe shkaktojnë eksodin e të krishterëve nga Sinai verior; përmendi atentatet kundër Kishave kopte, si në dhjetorin e shkuar, ashtu edhe në të Dielën e Larit, në Tanta dhe në Aleksandri.

Ati i Shenjtë inkurajoi të gjitha përpjekjet e Egjiptit për të arritur zhvillimin, begatinë dhe paqen – të mira, që meritojnë çdo sakrificë. E Papa përvijoi një sërë detyrash për të ndërtuar një shoqëri, që nuk e pranon ideologjinë e së keqes e të dhunës, që e hedh poshtë çdo interpretim ekstremist, i cili pretendon ta shuajë larminë e njerëzve e të feve, duke e manipuluar dhe duke e fyer Emrin e Shenjtë të Zotit.

T’u mësojmë brezave të rinj se Zoti i vërtetë është Ai i dashurisë pa kushte

 “E kemi të gjithë për detyrë – ngriti zërin Papa Françesku – t’u mësojmë brezave të rinj se Zoti, Krijuesi i qiellit dhe i tokës, nuk ka nevojë të mbrohet nga njerëzit, madje, është Ai, që i mbron njerëzit; Ai nuk dëshiron kurrë vdekjen e bijve të vet, por jetën dhe lumturinë e tyre; Ai nuk mund ta kërkojë e as ta justifikojë dhunën, por e përçmon dhe e hedh poshtë atë. Zoti i vërtetë është për dashurinë pa kushte, për faljen, për mëshirën, për respektin absolut të çdo jete, për vëllazërinë ndërmjet bijve të vet, besimtarë e jo besimtarë”.

 E kemi për detyrë, vijoi Papa, të pohojmë së bashku se historia nuk i fal ata, që flasin për drejtësi, por bëjnë padrejtësi; flasin për barazi, por nuk i trajtojnë të gjithë njëlloj. Ati i Shenjtë denoncoi “tregtarët e iluzioneve”, që u premtojnë njerëzve të thjeshtë jetën e përtejme, duke i shndërruar në mish për top; kërkoi të hidhen poshtë idetë vëllavrasëse e ideologjitë ekstremiste, sepse feja s’mund të jetë dhunë e Zoti nuk i do aktet e vdekjes.

Roli i Egjiptit në rajonin e Lindjes së Mesme

Historia, nënvizoi Ati i Shenjtë, nderon ndërtuesit e paqes. E pikërisht si i tillë, Egjipti mund të luajë një rol vendimtar në rajon. Shpëtojeni nga mungesa e dashurisë dhe e vëllazërisë, nga dhuna e terrorizmi, dhurojuni të gjithëve “grurin e paqes”, u tha Papa autoriteteve egjiptiane. E nuk harroi të citojë moton e Revolucionit të 23 korrikut 1952: “Feja është për Zotin, Atdheu është për të gjithë”. “Nga kombet e mëdha – theksoi Françesku – nuk mund të priten gjëra të vogla” e kujtoi se paqja është dhuratë e Zotit, por edhe punë e njeriut.

Duke përmendur 70-vjetorin e marrëdhënieve të Selisë së Shenjtë me Egjiptin, së fundi, Papa iu drejtua bashkësive të krishtera: “Prania juaj në këtë vend nuk është as e re, as e rastësishme, por historike dhe e pandarë nga historia e Egjiptit. Jeni pjesë përbërëse e këtij vendi e gjatë shekujve, keni krijuar marrëdhënie unike, një simbiozë të veçantë, që mund të merret si shembull nga kombe të ndryshme”.








All the contents on this site are copyrighted ©.