2017-04-28 18:53:00

Në Konferencën për paqen, në Kajro, një minut heshtjeje për viktimat e terrorizmit


Nga vizita e Papës në Egjipt, po kujtojmë një nga hollësitë prekëse. Imami i Madh i Al-Azhar, Ahmad al-Tayyib, para se të merrte fjalën në Konferencën ndërkombëtare të paqes, në Kajro, i ftoi të pranishmit të mbanin një minut heshtje, për viktimat e terrorizmit…

Ishte një minut – i gjatë sa një jetë. Jetë, që u këput me thikën e kasapit në fyt, jetë koptësh, që u shuan në bregdetin libik të Adriatikut, për të mos e mohuar Krishtin...

Jetë të shkurtuara në Irak, ku ranë mijëra e mijëra njerëz, në lule të moshës, për të mos ndërruar fenë…

Jetë të rrënuara të njerëzve, që vijojnë të të ikin nga Toka e Shenjtë, sepse të persekutuar e të kryqëzuar si Krishti, i kryqëzuar në trojet e tyre…

jetë të këputura në lule të rinisë në Sirinë e martirizuar, ku dhuna vijon të shkaktojë çdo ditë viktima, nën goditjen e armëve të milicëve të Isisit, që s’dihet nga vijnë…

një minut .. tepër i shkurtër, për të shfletuar faqen tjetër të librit të dhunës, atë që shkatërron jetë të pafajshme në rrugët e Kontinenteve, që sulmon trenat, sallat e koncerteve, udhët, ku njerëzit paqësorë shkojnë në punën e tyre a gëzojnë një çast çlodhjeje, pas punës kapitëse të ditës…

një minut, për të qarë qindra e qindra këmbë, duar e sy fëmijësh, mbetur në fushat e minuara, pas telave me gjemba, të hedhur në erë, të dhunuar, fëmijë pa fëmijëri…

sa i shkurtër, ky minut heshtjeje…E sa i gjatë!

Ju ftojmë edhe ne për heshtjen e një minuti, e jo vetëm për të kujtuar gjithë këtë gjëmë, pa pikë kuptimi, por kryesisht për të menduar ç’ mund të bëjë secili nga ne, për t’i dhënë fund, duke kujtuar ftesën e Papës në Konferencë: “Sinai i kujton mbarë njerëzimit se, duke e përjashtuar Zotin nga horizonti, nuk mund të takohet në paqe”.

Edhe për këtë minut heshtjeje, të gjatë sa mijëra jetë, shkoi Papa në Egjipt, që njerëzimi të heshtëte e të mendonte...

Ndoshta nuk mund të bëjmë shumë, në këtë minut, por një premtim mund ta bëjmë, një uratë mund ta themi, me bindjen se Zoti e dëgjon uratën e sinqertë të çdo zemre njerëzore!








All the contents on this site are copyrighted ©.