Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Udhëtime e vizita

Kard. Parolin: Papa Françesku, as që e mendoi të mos shkonte në Egjipt

Papa pritet në Egjipt - AP

27/04/2017 15:09

Do të shkoj nesër si shtegtar i paqes në Egjiptin e paqes”: kështu shkruan Papa Françesku në një tweet, në prag të udhëtimit të tij të 18-të ndërkombëtar. I gjithë vendi është gati për ta pritur në këtë shtegtim dialogu e vëllazërimi, në një çast të vështirë për këtë tokë të plagosur nga atentatet terroriste kundër pakicës së krishterë, pasojat e të cilave i paguan e gjithë popullsia. Ati i Shenjtë do të mbërrijë nesër në Kajro, në orën 14.00 e do të kthehet në Romë pasnesër, rreth orës 20.30. As që e mendoi ndonjëherë të mos shkojë, pavarësisht nga dhuna, siç shpjegon Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin:

Shumë menduan se Papa Françesku, pas atentateve të përgjakshme e brutale që goditën Egjiptin javët e fundit, do të vinte në diskutim udhëtimin e tij në këtë tokë. Por Papa, as që e ka menduar një gjë të tillë, pikërisht sepse dëshiron të jetë i pranishëm, dëshiron të jetë aty ku ka gjendje dhune, ku ka gjendje konflikti, - në këtë rast, në Egjipt – e dëshiron të jetë lajmëtar i paqes aty, ku ka më shumë nevojë për paqe, ku ka më shumë nevojë të kumtohet e të veprohet për paqen. Sigurisht, do ta bëjë këtë me fjalën e tij, në takimet e ndryshme, por do ta bëjë sidomos e para së gjithash me praninë e tij, me afërsinë, solidaritetin, inkurajimin. Pra, Papa shkon pikërisht, sepse Egjipti ka nevojë për dikë, që t’i shpallë paqen e të përpiqet të punojë për paqen.

Qeveria egjiptiane, sipas jush, mund të bëjë më shumë për të mbrojtur pakicat e krishtera nga ekstremistët?

Qeveria duhet të bëjë gjithçka është e mundur për të mbrojtur qytetarët egjiptianë, në çfarëdo grupi shoqëror apo fetar të bëjnë pjesë ata. Është detyrë e qeverisë të garantojë sigurinë për qytetarët e vet, përmes punës së të gjitha aparateve e të forcave të rendit. Por, është e qartë se sfida e terrorizmit është më e ndërlikuar, nuk zgjidhet e nuk kufizohet vetëm në nivelin e sigurisë. Është sfidë, që kërkon impenjim për të çrrënjosur të gjitha shkaqet, që ndikojnë në lindjen e në rritjen e terrorizmit, prandaj qeveria dhe autoritetet duhet të impenjohen në këtë front. Njëkohësisht, duhet të impenjohet edhe shoqëria, sidomos në fushën e edukimit. Pra, familja, shkolla, Kishat, mass media, të gjithë kanë përgjegjësi për edukimin ndaj paqes e për zhdukjen e shkaqeve të fenomenit terrorist, sidomos në gjirin e të rinjve. U duhet mësuar të rinjve ç’kuptim ka jeta, cilat janë vlerat për të cilat ia vlen të jetosh, të impenjohesh e të luftosh, duke mos i lënë ta humbasin vetveten në këtë vorbull dhune e shkatërrimi, vërtet të pakuptimtë.

Papa Françesku do të takohet me Patriarkun e Kostandinopojës Bartolomeu II, me Imamin e Al-Azharit, njëri ortodoks e tjetri mysliman. A do të ketë ndonjë thirrje të përbashkët për paqen?

Unë mendoj se do të ketë një thirrje, që do të shprehet me impenjimin e përbashkët të të krishterëve e të myslimanëve në favor të paqes… Ky takim do të jetë, madje, shembull e model i paqes, sepse do të jetë takim dialogu. 

27/04/2017 15:09