2017-04-27 09:00:00

Prof. Giovagnoli: Roncalli e Wojtyla, aktualizuar nga Papa Françesku


Përkujtohet sot, 27 prill, përvjetori i tretë i Shenjtërimit të Shën Gjonit XXIII dhe Shën Gjon Palit II, dy Papë, që lanë gjurmë të pashlyeshme në jetën e Kishës së shekullit të fundit.  Si Roncalli, ashtu edhe Wojtyla, janë tejet të pranishëm në Papninë e Françeskut, duke u nisur nga tema e paqes, siç nënvizon historiani i Universitetit katolik Agostino Giovagnoli, intervistuar nga Radio Vatikani:

 Tema e paqes ishte, sigurisht, kryesore për Papën Gjoni XXIII, e po kështu, edhe për Gjon Palin II, pavarësisht nga ndryshimi i periudhës historike kur jetuan. E kështu mund të thuhet edhe për Papën Françesku, që flet për luftën e tretë botërore me copëza e nevojën për t’iu kundërvënë. Është interesante të vëresh sesi Papët, liderë - mund t’i quajmë kështu - të një bashkësie të madhe besimtarësh, që është bashkësia katolike, e përhapur në mbarë botën, e ndjejnë thellësisht nevojën për të qenë mbartës të një mesazhi paqeje për këtë botë, që vijon të shndërrohet rrufeshëm. Nga lufta e ftohtë, kaluam në periudhën e pas-Bashkimit Sovjetik e, pastaj, në çrregullimin e botës aktuale. Në këto shndërrime shikojmë edhe shenjën, që tregon se Kisha katolike duhet të luajë një rol të ri në ngjarjet e botës.

Papa Françesku nuk e humbet asnjë rast për të kujtuar Konicilin II të Vatikanit, njëherësh me Palin VI. Ç’gjë, sipas jush, është veçanërisht e pranishme në papninë e Françeskut, nga Papa Roncalli, nga shërbesa e intuita, edhe profetike, që pati ky Papë?

Sigurisht që papnia e Françeskut të kujton nga afër atë të Gjonit XXIII, posaçërisht pës stilin njerëzor të komunikimit shumë të drejtpërdrejt, stilin e thyerjes “së rregullave”, që kishin prirjen për ta mbyllur edhe vetë Papën brenda logjikave institucionale; stil që, natyrisht, është sidomos baritor, por edhe stil i një Kishe, që takohet me botën. Le ta themi me shprehjen e Françeskut: Kishë në dalje!

Një Kishë në dalje që, sigurisht ishte edhe stili i Papnisë së Gjon Palit II, me shtegtimet e tij, me takimet… me të gjithë, e me secilin. Pastaj është edhe një e dhënë me natyrë biografike e Gjon Palit II. Ishte Karol Wojtyla ai, që e shuguroi ipeshkëv e pastaj e krijoi edhe kardinal pikërisht Françeskun, i cili më pas do ta shenjtëronte Papën Wojtyla…

Po, natyrisht vërehet menjëherë kjo lidhje e dyfishtë ndërmjet dy Papëve, ndonëse dy figura shumë të ndryshme. E të prek fort  kuptimi i Kishës në dalje, i pranishëm në të dyja figurat, pavarësisht nga ndryshimet: ja, flitet për Gjon Palin II si Papa i parë global, për shkak të shtegtimeve të panumërta në mbarë botën, po edhe Françesku është Papa i globalizimit, që di t’i flesë botës së globalizuar, e, sidomos, di të bëjë veprimtari baritore metropolesh, sot vendet ku shkarkohen kontradiktat e globalizimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.