Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Takime kulturore

Çelësi i fjalëve të Kishës: devocioni i Papëve për Zojën e Këshillit të Mirë

Papa Gjon Pali II para fugures se Zojes se Keshillit te Mire, te rrenojat e Shenjterores se Zojes se Shkokdres, me 25 prill 1993 - RV

27/04/2017 13:25

Të dashur dëgjues, jo më larg se dje, 26 prill, në Shkodër, në praninë e të dërguarit të Papës Françesku, kardinalit Franc Rodè, i cili kryesoi meshën solemne në shenjtëroren e Zojës së Shkodrës rrëzë Rozafës, përfunduan kremtimet me rastin e 550-vjetorit të shpërnguljes së Nënës së Këshillit të Mirë për në Gjenacan, pranë Romës. Në emisionin e sotëm, do t’ju flasim për kultin e devocionin ndaj kësaj Zoje, sidomos për devocionin e papëve, që shpesh shkuan për vizitë në shenjtërore, siç dëshmojnë dokumentet. E disa prej tyre janë shenjtorë.

I pari, që dha urdhër të analizohet fugurja e shenjtë e Zojës së ardhur nga trojet shqiptare, ka qenë Papa Pali II në vitin 1467, viti i dukjes së saj në Gjenancan. Komisioni hetimor, që u ngrit nga Papa, doli me përfundimin se gjithçka ishte e denjë për fenë. Papa Siksti IV, kur vendosi të ndërtojë kishën e Shën Marisë së Popullit në Romë, edhe ajo besuar augustinianëve, pati thënë se shpresonte shumë që Zoja t’i jepte edhe Qytetit të amshuar hiret, që i kishte rezervuar Gjenacanit.

Papa Aleksandri VI i kërcënoi se do t’i shkishëronte vjedhësit – që i pati quajtur “bij të ligësisë” -  të cilët përpiqeshin të vidhnin sendet e çmuara brenda shenjtërores. Gjithashtu, për çdo meshë, që kremtohej në elterin e Zojës së Shkodrës, Papa u lejoi besimtarëve të kërkonin ndjesën e plotë. Ndër papët më të devotshëm ndaj Nënës së Këshillit të Mirë, u dallua Shën Piu V, i cili i lutej gjithnjë për të gjitha nevojat e Kishës. Papa Klementi XI (Papa me origjinë shqiptare) i dha shenjtërores së Gjenacanit të njëjtat privilegje me atë të Loretos. Benedikti XIV, duke miratuar Bashkimin e Përshpirtshëm të Zojës së Këshillit të Mirë, kërkoi të regjistrohej i pari si anëtar i kësaj shoqate. Ky Bashkim u quajt edhe “Bashkimi i Përshpirtshëm i Papëve”, sepse në të morën pjesë edhe papët Piu VI, Piu VII, Piu VIII, Gregori XVI, Piu IX, Leoni XIII e, edhe shën Gjoni XXIII.

Papa Piu VI miratoi për Gjenacanin një meshë e një lutje të vetën për festën e Zojës së Këshillit të Mirë, më 25 prill, festë, që më vonë, u përhap edhe në dioqeza të tjera. Qe Papa Leoni XIII ai, që përfshiu në Litanitë Lauretane edhe atë për “Zojën e Këshillit të Mirë”, që krijoi një skapolar apo shpatullore të veçantë për këtë devocion dhe ndërtoi një strehë për rrëfyestarët, të cilët rrëfenin e ndihmonin shtegtarët në Gjenacan. Papa Piu X iu lut pikërisht kësaj Zoje, kur i kërkoi ta shndrisë, në një epokë, në të cilën njerëzimi ishte zhytur në valët e materializmit e të modernizmit të pafe. Sapo u zgjodh në fronin e Shën Pjetrit, ai shkoi në elterin e Zojës së Këshillit të Mirë, ngritur nga Piu IX në Pallatin Apostolik, duke i kërkuar ndihmë e bekim.

Papa Piu XII e frekuentoi shenjtëroren e Gjenancanit që kur ishte seminarist. Privilegje të veçanta për shenjtëroren kanë dhënë edhe Papët Gregori XIII, Pali V, Inoçenci XII, Benedikti XIII, Klementi XII, Piu IX. Qe Gjon Pali II ai, që çoi në Shkodër një kopje të fugures së Gjenacanit, e cila edhe sot e kësaj dite ndodhet në kishën katedrale, që atëherë akoma mbante shenjat e kthimit të saj në pallat sporti, gjatë komunizmit.

Vizitat e Papëve e të shenjtorëve në Gjenacan

Papa i parë që shkoi për vizitë në shenjtëroren e Gjenacanit ka qenë Urbani VIII, i cili i kërkoi Zojës ndihmë kundër murtajës, që kishte përfshirë gjithë Italinë. Ishte 25 tetor 1630. Në vitin 1864, qe Papa Piu IX, që shkoi shtegtar te Nëna e Këshillit të Mirë për t’i kërkuar bekimin e saj për Koncilin I Ekumenik të Vatikanit. Para fugures së Zojës së Shkodrës u ndalën në lutje edhe Papa i shenjt Gjoni XXIII, në vitin 1959, dhe Papa i shenjt Gjon Pali II, para se të nisej për udhëtimin e tij në Shqipëri. Shumë shenjtorë të tjerë kanë qenë shtegtarë në Gjenacan. Ndër ta, shën Alfons Maria de’ Liguori, shën Gaspri nga Bufalo, shën Pali i Kryqit, don Luigji Orione, shën Gjon Bosko dhe i Lumi Don Rua.

27/04/2017 13:25