2017-04-26 18:05:00

Këshilli i kardinajve: njofton zëdhënësi i Vatikanit, Greg Burke


Drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Greg Burke, mbajti sot një takim me gazetarët për mbledhjen XIX të kardinajve këshilltarë me Papën Françesku. Këshilli i nëntëshes u mblodh për tri ditë, duke filluar nga 24 prilli. Ati i Shenjtë nuk mori pjesë vetëm sot, për shkak të audiencës së përgjithshme.

         Seancat e punës u zhvilluan paradite e pasdite. Në veçanti, u fol mbi Kongregatën për Ungjillëzimin e Popujve dhe mbi Këshillin Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri. Kardinajtë studiuan edhe tekste, që do t’i paraqiten Papës e që kanë të bëjnë me Këshillin Papnor për Dialogun Ndërfetar, me atë për tekstet Legjislative, si edhe me tri gjykatat: Pendestarinë Apostolike, Gjykatën e Lartë të Senjaturës Apostolike dhe Gjykatën e Rotës Romake.

         Gjatë këtyre ditëve, u shqyrtua edhe mënyra e përzgjedhjes dhe e formimit të personelit në shërbim të Selisë së Shenjtë, laikë e klerikë. Tjetër temë e rëndësishme, edhe marrëdhëniet ndërmjet Konferencave të ndryshme Ipeshkvnore dhe Kuries Romake. Kardinali George Pell e informoi Këshillin për punën e Sekretarisë për Ekonominë, që drejtohet prej tij, sidomos përsa i përket monitorizimit të buxhetit të vitit në vijim. Kardinali Sean O’Malley informoi mbi punën e Komisionit Papnor për Mbrojtjen e të Miturve, duke i kushtuar vëmendje programeve të edukimit global, mbledhjes së fundit të përgjithshme dhe vizitave në dikasteret e ndryshme. Mbledhja e ardhshme e Këshillit të Kardinajve do të mbahet më 12, 13 e 14 qershor.








All the contents on this site are copyrighted ©.