2017-04-26 17:36:00

Fugurja e restauruar e Zojës i kthehet Shkodrës


Dje, në Seminarin Ndërdioqezan të Shkodrës u paraqit fugurja e restauruar e Zojës së Këshillit të Mirë, nxjerrë nga skutat e Muzeut ateist, ku është keqtrajtuar dhe prishur në një pjesë të madhe. Ajo iu kthye besimtarëve, e restauruar nga Instituti Palazzo Spinelli në Firence, me kontributin e Ministrisë shqiptare të Kulturës.

Nuk dihet kush është autori i fugures, por sipas historianit Gjush Sheldija, ajo u porosit në kohën e kryeipeshkvit të Shkodrës, imzot Jak Serreqit, dhe u vendos në elterin kryesor të projektuar nga Kolë Indromeno. Në paraqitjen e djeshme, ishin të pranishëm restauratorët, i dërguari i Papës Françesku, kardinali Franc Rodè, kryeipeshkvi metropolit i Shkodrës, imzot Angelo Massafra dhe autoritete të tjera kishtare, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe ai i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati. Gjatë fjalës së tij, famullitari i katedrales së Shën Shtjefnit, don Artur Jaku, nënvizoi: “Kuadri, në të cilin Zoja ëmbëlsisht mban në krah Jezusin fëmijë, me një dashuri të mrekullueshme, pasqyron një raport drite, të vërtetë, sinqeriteti, por edhe teologji e dogmë. Është një vepër, që ritmon me plagët e veta, historinë e qytetit… Uroj Shkodrën për këtë ditë të lume, të kthimit të bijës së vet, që njëherësh është nënë dhe Derë e Qiellit”.

E edhe kardinali Franc Rodè, i dërguari i Papës për kremtimet e 550-vjetorit të shpërnguljes së Zojës, nënvizoi: “Shqipëria nuk do të vdesë kurrë nga acari, sepse ruan kujtesën e saj historike, legjendat e saj dhe identitetin e saj, kulturor dhe shpirtëror. Shqipëria është një premtim i të ardhmes për të dhënë një mesazh. Populli shqiptar është ndër më të lashtët në Evropë, por gjithmonë i ri, dhe duhet të japë shembull për Evropën dhe mbarë botën”, sidomos përsa u përket marrëdhënieve ndërmjet feve.

Fugurja do të vendoset në Muzeun e kryedioqezës pranë katedrales së Shkodrës, aty ku gjenden relike të çmuara të besimit të krishterë.

Po dje, në vigjilje të solemnitetit të sotëm, kardinali Rodè bekoi fuguren e Zojës, kopje e asaj të Gjenacanit, që i priu procesionit të besimtarëve nga katedralja e Shën Shtjefnit nëpër rrugët e qytetit, deri në shenjtëroren rrëzë Rozafës.








All the contents on this site are copyrighted ©.