2017-04-26 16:53:00

Famullitari i Sharm el Sheikh: Papa në Egjipt, bekim për vendin


Para shtegtimit të tij në Egjipt, në një tweet, Papa Françesku fton  “të nxitet miqësia dhe respekti ndërmjet burrave e grave të traditave të ndryshme fetare, për të ndërtuar një botë me paqe”. Po, ç’shpresohet se do të sjellë ky shtegtim apostolik? Të dëgjojmë priftin kopt Garas Boulos Garas Bishay, famullitar i famullisë “Maria Virgjër, Mbretëreshë e Paqes”, në Sharm el Sheikh:

Shpresat janë të pafundme. Vizita e mëkëmbësit të Krishtit në Egjipt, na bën të emocionohemi thellësisht në korp e në shpirt.

Papa do të shkelë në trojet e një Egjipti, që po vuan shumë, që vijon të jetë i tensionuar. Sa mund t’i bëjë mirë edhe Egjiptit shembulli i një dialogu të niveleve kaq të larta?

Në nivelin politik, takimi me presidentin është një shtytje e mirë kundër dhunës dhe terrorizmit. Në nivelin e dytë, takimi me Imamin e Madh të Al Azhar është fakt pabesueshmërisht i fortë: ky takim i thotë botës se fetë nuk janë në konflikt, madje mund të dialogojnë, mund të hartojnë një plan dialogu e paqeje për mbarë botën. Pastaj, në nivel kishtar, takimi i Papës së Romës me Papën ortodoks, do të ketë ndikim tejet të fuqishëm në nivelin e krishterë. Edhe ardhja e patrikut të Kostandinopojës  do t’i shtojë kësaj ngjarjeje të madhe një element ekumenizmi ndërkombëtar: krerët e kishave mblidhen së bashku për të dialoguar në dobi të bashkimit të Kishës. E, në nivelin e Kishës katolike, i kartëti nivel: Kisha katolike në Egjipt po kalon një çast tejet delikat e do të ketë një  vërshim oksigjeni ndër vena, që mund t’i lëvizë velat e varkës së Kishës drejt horizontit, dialogut  ndërfetar e ndërkonfesional.

Ju jeni famullitar i Sharm el Sheikh, një nga zonat e Egjiptit, që është cak turistik. Tani që situata në Egjipt është kaq e vështirë, si jeton popullata e Sharm el Sheikh?

Në të vërtetë kemi vuajtur shumë, që nga rënia e avionit rus e deri më sot. Vendi nuk ka nisur ende të marrë frymë. Shumë nga të rinjtë që punonin në hotele, janë larguar nga puna. Dhjetra mijëra! E, në vend që t’i ndihmojnë familjet, janë bërë barrë e rëndë për to. Zona ka vuajtur shumë si pasojë e mungesës së turizmit, posaçërisht atij rus e italian. Shpresohet se gjithçka do të përmirësohet, por sa herë bëjmë një hap para, na zë pritë një sulm terrorist si ai i Shën Katerinës. Atëherë bëjmë një hap para e dhjetë mbrapa.

Pse, sipas jush, objektivi i terrorizmit është ta izolojë Egjiptin nga pjesa tjetër e botës e ta izolojë edhe turizmin?

Egjipti shkoi kundër një plani ndërkombëtar, që ishte përgatitur për Zonën e Lindjes së Mesme. Me revolucionin e popullit egjiptian - 32 milionë njerëz nëpër rrugë kundër Vëllezërve Myslimanë, kundër Morsi-t - ne i thamë ‘jo!’ këtij plani. Forcat ndërkombëtare nuk mundën të bëjnë gjë prej gjëje, por ama vijojnë të përpiqen për ta realizuar, me mënyra të tjera.

Atëhere mund të themi se Konferenca Ndërkombëtare në të cilën do të marrë pjesë edhe Papa, pranë Universitetit të Al Azhar, në Kajro, mund të jetë përgjigje me vlerë për t’i hapur Egjiptit rrugën e dialogut e të pajtimit?

Sigurisht prania e Atit të Shenjtë, që shikohet vërtet si njeri shenjt, njeri i paqes, mbrojtës i të varfërve, strehues i emigrantëve, mik i të sëmurëve, vizitor i të burgosurve, strehues i njerëzve pa strehë mbi kokë, do të jetë bekim i vërtetë. Do të ndjehet fuqimisht ndikimi i pranisë së tij mes nesh, në trojet e Egjiptit, ku u strehua Familja Shenjte. E sigurisht, do të japë frytet e veta. Le të shpresojmë ditë më të mira.








All the contents on this site are copyrighted ©.