2017-04-26 12:30:00

550-vjetori i arritjes së Zojës së Shkodrës në Gjenacan: “Gërmadhë e cak shtegtimesh...”


Emisioni i tretë dhe i fundit kushtuar 550-vjetorit të zhvendosjes së Figures së Zojës sonë të Këshillit të Mirë në Gjencan, nis me një pyetje: “Si u kremtua 500-vjetori i ngjarjes së madhe?”  

Sepse pas 450-vjetorit të shpërnguljes së Figures Shenjte, duhet të ishte kremtuar me të njëjtën madhështi, edhe 500 vjetori! Po ky jubile, për fat të keq, binte në një nga vitet më ogurzeza për krishterimin në Shqipëri: në vitin 1967, kur kisha u rrënua për herë të dytë nga diktatura enveriane. Ky vit e gjente krishterimin shqiptar ndër katakombe, në kthetrat e revolucionit kulturor të tipit kinez, me instucione fetare të shkatërruara, me vepra kulture të bëra rrafsh me tokë, me kulmin e përndjekjes fetare, me  meshtarë të pushkatuar a të ngujuar në biruca burgu, me kisha të rrënuara ose të tjetërsuara. Në këtë situatë martirizimi, i erdhi radha edhe Shenjtërores së Zojës së Këshillit të Mirë. Ndërtesa e rrënua, u hap varri i Argjipeshkvit të Shkodrës, imzot Jak Serreeqi, e eshtrat e tij ndoqën fatin e atyre të Fishtës së madh: u flakën në Dri. Dukej se gjithçka kishte marrë fund, pa kthim. E megjithatë, në këmbë apo gërmadhë, Kisha mbeti gjithnjë cak shtegtimi. Nuk ka besimtar që duke kaluar andej, edhe pas vitit 1967, kur kisha u rrënua për herë të dytë nga diktatura enveriane, të mos jetë lutur në heshtje për ditë më të mira me një lutje tradicionale, që i bëri ballë kohës, më shumë se muret: “O Zoja e Bekueme, Nana e Këshillit të Mirë, po të thërrasim ty, që je Bija e zgjedhuna e Zotit Atë, Nana e Jezu Krishtit, Nusja e Shpirtit Shenjt, Tempull i së Shenjtnueshmes Trini: ndërmjetëso për ne në qiell!”.

E Zoja ndërmjetësoi. Ishte data 16 prill e vitit 1991, kur në rrugët e vjetra të Shkodrës, që vitet fundit kishin dëgjuar vetëm lajme të kobshme, u përhap një nga sihariqet më të gëzuara: “Do të kremtohet mesha e parë mbi rrënojat e Kishës së Zojës!”. Shkodranët u dyndën, si dikur, kambëzdathë,  e kodrina e veshur me blerimin e  prillit, i pa edhe një herë gjithë banorët e qytetit tek këmbët e Zojës, si dikur. Mbledhur rreth një prej elterëve më të çuditshëm në botë: një lloj tribune prej dërrasash të vjetra, që kush e di ku ishte gjetur, stolisur me lulet e egra, mbledhur në shkëmbinjtë e kodrës. Mbi të, një Meshar i stërpërdorur. Latinisht, kuptohet. Pranë tij, një harmonio e vogël portative e përreth, kori i vjetër i Kishës së fretënve. Gjëja që të bënte më shumë përshtypje ishin gërmadhet e lapidarit, ngritur mbi gërmadhat e Kishës. E kishin shembur të rinjtë shkodranë, për t’i hapur rrugën Kishës së re, që po niste të jetonte që në këto orë. Ndërto ditën e shembu natën: këtë fat e kishte paralajmëruar rapsodi i lashtë, që kur qenë hedhur themelet e Kështjellës Rozafa, poshtë së cilës ndërtohej e rrënohej Kisha, nga e cila Zoja kishte ikur për të shpëtuar nga pushtuesi... Lapidari shtrihej sa gjërë gjatë, pa jetë... Sa pak gjëra i qëndrojnë rrebesheve të kohës... Mesha nisi në orën 09.00, kremtuar nga dom Ndoc Nogaj.  Frynte një fllad i lehtë pranvere, që, si një dorë e padukshme, shfletonte ngadalë fletët e Mesharit. Kur u çua Shenjti Sakramend, turma u gjunjëzua mbi barin e blertë të lëndinës, duke u bërë një me shkëmbin. Pastaj, kungimi! Me shijen e kungimit të parë, marrë ende fëmijë. E lutja e heshtur në qindra zemra. Zemra të mjera, më shumë se të lume. Që kërkonin shpëtimin tek Nëna:

“Merri zemrat tona - thoshin qindra sy – Le të jenë tulla e gurë për muret e reja të shenjtores sate! Ndër duart tua të fuqishme, o Nanë e Mëshirës, po e lëshojmë të dashtunin kombin tonë, megjithsè jemi mëkatnorë të mjerë e të padenjë. Po të falënderojmë se na je gjetë e na ke ndihmue me kujdesin e një Nane të vërtetë në dimnin e gjatë e të vështirë të persekutimit, i cili na shkaktoi viktima të panjehuna, martirë që tash ndërmjetësojnë për ne në qiell. Po të falënderojmë që na e nxore nga Zoti hirin e rikthimit të pranverës së lirisë fetare e qytetare, e cila i hap rrugën ndërtimit të Kishës sate të re, tri herë të rrenueme e tri herë të rindërtueme, e të një shoqnie ma të drejtë e ma vëllaznore”.

Ishte kjo, dita e rilindjes së Shenjtërores së Zojës së Shkodrës. Me projekt e përmasa të njëjta, si kishte qenë para shembjes, falë ndihmës bujare të imzot Simeone Duca, i Kolonisë së arbëreshëve të Arbëneshit (Borgo Erizzo), pranë Zare. Ku u rikthye edhe figurja e mrekullueshme!

Sa vërtetësisht tingëllojnë në këtë 550 vjetor fjalët e Tynzot drejtuar Shën Pjetrit: “Et portae inferi non praevalebunt!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.