2017-04-25 13:47:00

Shenja e kryqit në arabisht, së bashku me Françeskun


Një familje e Betlehemit do t’i mësojë Papës Françesku të bëjë shenjën e kryqit në arabisht, një ditë para nisjes për në Egjipt. “Kështu, Papa do të jetë më i përgatitur për vizitën e tij”, pohojnë fëmijët Antonio e Lea, që së bashku me prindërit, Vincenzo e Carol Bellomo, përfaqësues nga Toka e Shenjtë, do të marrin pjesë në Kongresin II Ndërkombëtar të Veprimit Katolik, i cili do të mbahet më 27 prill, në Sallën e Sinodit, në Vatikan.

Kongresi, siç njoftohet në një komunikatë, do të reflektojë mbi temën “Veprimi katolik është mision, me të gjithë e për të gjithë”. Organizuesit: Forumi ndërkombëtar i Veprimit Katolik, Veprimi Katolik Italian dhe Dikasteri vatikanas për Laikët, Familjen dhe Jetën. Parashikohet një ndërhyrje e Papës Françesku mbi natyrën dhe misionin e Veprimit Katolik.

Familja Bellomo, së bashku me laikë nga Lampeduza dhe Afrika Qendrore, do të japin një dëshmi të shkurtër, para se ta marrë fjalën Ati i Shenjtë, në orën 11.30. Pjesëmarrësit në Kongres do të jenë rreth 300, ardhur nga 52 vende të botës e, edhe nga Shqipëria. Ky takim bën pjesë në kremtimet e 150-vjetorit të themelimit të Veprimit Katolik italian, që do të nisin më 30 prill, me një festë të madhe në Sheshin e Shën Pjetrit, së bashku me Papën Françesku.








All the contents on this site are copyrighted ©.