2017-04-25 13:12:00

Papa Françesku: vizita ime në Egjipt, qoftë përqafim ngushëllues


Gëzimi i Papës Françesku për vizitën e tij të ardhshme apostolike në Egjipt. Në një videomesazh, që u bë i ditur sot e që do të transmetohet nga televizioni egjiptian, Papa thotë: “vij si mik e si lajmëtar i paqes”. E pastaj: “dëshiroj që vizita ime të jetë përqafim ngushëllues e inkurajues për të gjithë të krishterët e Lindjes së Mesme”.

 “Al Salamò Alaikum! Paqja qoftë me ju!”

Kështu e përshëndet Papa popullin egjiptian, vetëm tri ditë para vizitës së tij në këtë vend, “djep i qytetërimit – siç e quan – dhuratë e Nilit, tokë e diellit dhe e mikpritjes, ku jetuan Patriarkë e Profetë dhe ku Zoti, i Butë e i Mëshirshëm, i Gjithpushtetshëm e Unik, bëri të dëgjohet zëri i Tij”. Ati i Shenjtë nënvizon se është i lumtur që shkon në Egjipt si mik, si lajmëtar i paqes në një vend, i cili, dikur, strehoi e mirëpriti Familjen Shenjte. Papa falenderon presidentin e Republikës, Patriarkun kopto-ortodoks, Imamin e Madh të Al-Azharit, Patriarkun kopto-katolik, si edhe të gjithë ata, që po punojnë për këtë udhëtim. Më pas, përshkruan objektivat dhe shpresat e vizitës:

“Dëshiroj që kjo vizitë të jetë përqafim ngushëllues dhe inkurajues për të gjithë të krishterët e Lindjes së Mesme; mesazh miqësie dhe vlerësimi për të gjithë banorët e Egjiptit; mesazh vëllazërimi dhe pajtimi për të gjithë bijtë e Abrahamit, veçanërisht për botën islamike. Së fundi, të jetë edhe një kontribut i vlefshëm për dialogun ndërfetar me botën islamike dhe për dialogun ekumenik me Kishën e nderuar e të dashur Kopto-Ortodokse”.

Bota jonë, e shpartalluar nga dhuna e verbër, që ka goditur edhe zemrën e tokës suaj të dashur, thekson më tej Papa Françesku, ka nevojë për paqe, dashuri e mëshirë:

 “Ka nevojë për veprimtarë të paqes e për njerëz të lirë e çlirimtarë, për njerëz të guximshëm, që dinë të mësojnë nga e kaluara, për të ndërtuar të ardhmen pa u mbyllur në paragjykime; ka nevojë për ndërtues të urave të paqes, të dialogut, të vëllazërimit, të drejtësisë e të humanitetit”.

Së fundi, Papa Françesku u drejtohet të gjithë egjiptianëve, të rinj e të moshuar, gra e burra, myslimanë e të krishterë, të pasur e të varfër, duke i përqafuar me përzemërsi e duke iu lutur Zotit të gjithpushtetshëm ta bekojë e ta mbrojë vendin nga çdo e keqe. Si zakonisht, u kërkon të luten për të:

Shukran wa Tahiaì Misr! Faleminderit e rroftë Egjipti!”








All the contents on this site are copyrighted ©.