2017-04-25 09:00:00

Krezhmë me të varfërit në dioqezën e Sapës


Krezhmë me të varfërit, është ndër fushatat dhe iniciativat më të spikatura që Caritas Dioqezan Sapa, ndërmerr në kuadër të mbledhjes së fondeve. Nisur dhe nga titulli që përmban, kjo fushatë i kushtohet kohës së Krezhmeve, që mes të tjerash është një kohë thirrjeje edhe për lëmoshë. Është një thirrje ndërgjegjësimi dhe sensibilizimi për fëmijët e katekizmit për të kontribuar sadopak në ndihmë të moshatarëve të tyre. Të përgatitur nga zyret e Caritasit, që në fillim të krezhmeve rreth 2000 kutija simbolike me mbishkrimin “Krezhme me të Varfërit” iu shpërndanë fëmijëve të katekizmit në të gjitha famullitë të dioqezës, që me ndihmën e famullitarëve dhe motrave përgjegjëse u bënë pjesë e kësaj fushate duke kursyer diçka nga vetja e tyre për fëmijët që janë më në nevojë. Më hollësisht të dëgjojmë Violeta Marashin nga Vau i Dejës...

Të ofrohesh në bamirësi, do të thotë të jetosh me dhuratën e Zotit. E për ta dëshmuar më së miri këtë vepër dashurie dhe bamirësie konkrete, Caritas Sapa organizoi këtë të shtunë eventin e “Mbledhjes së kutijave të lëmoshës”, me praninë e të gjithë protagonistëve që shprehën dashurinë e tyre në ndihmë të bashkëmoshatarëve që gjenden në vështirësi. Stafi bashkë me vullnetarët pritën rreth 700 fëmijë, të cilët u bashkuan pranë qendrës së Caritas Sapa.

Pikënisje e këtij takimi ishte kremtimi i Eukaristisë Shenjte në Katedralen Shën Nënë Tereza në Vau-Dejës. Pas meshës takimi i kësaj dite vazhdoi me argëtimin e fëmijëve, në oborrin e katedrales, ku prania e grupit të animatorëve të Caritasit dioqezan dhe të shoqerisë së animatorëve Shqiptarë, me performancën e tyre përmes muzikës, humorit dhe lojërave, krijuan një klimë gëzimi duke i dhënë kështu larmishmëri dhe ngjyra festive gjithë aktivitetit bamirës.  

Fushata “Kreshme me të varfërit”, tashmë i shtohet listës së gjatë të të gjithë veprimtarisë së Caritasit, dhe bëhet pjesë e secilit që dëshiron të ndërgjegjësohet për t’i ardhur në ndihmë njerëzve të varfër. Një nismë e tillë është për t’u vlerësuar dhe për t’u marrë shembull. I gjithë kontributi i mbledhur me këtë rast do të shkojnë në ndihmë të fëmijëve te varfer, një qasje dhe ndjeshmëri kjo për të dëgjuar dhe ndihmuar këtë shtresë që gjendet në vështirësi dhe nevoja të ndryshme jetësore.








All the contents on this site are copyrighted ©.